Mbrëmë, në Malishevë është mbajtur nata e parë e festivalit mbarëkombëtar të folklorit “Oda e Llapushës”, edicioni gjashtë. Në natën e parë, janë paraqitur disa nga ansamblet, grupet dhe rapsodët, por shiu e ka ndërprerë në gjysmë dhe pjesa e mbetur do të vazhdoj konkurrimin në natën e dytë, e cila mbahet sonte nga ora 19:00. Nata e parë e festivalit, ka filluar me tingujt e këngës “Baresha” e kënduar nga Nexhmije Pagarusha, pasi ashtu edhe sikur është bërë traditë, secili edicion i festivalit, fillon me tingujt e një prej perlave të muzikës popullore apo folklorike nga Malisheva. Krahas shumë qytetarëve dhe zyrtarëve të qeverisë komunale të Malishevës, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, zv/ministrat Vesel Krasniqi dhe Arbëreshë Krasniqi, si dhe një numër i madh i artdashësve dhe kultivuesve të folklorit dhe të artit, nga të gjitha trevat shqiptare.
Festivalin e ka hapur, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nën përkujdesjen e të cilit edhe mbahet Festivali Folklorik “Oda e Llapushës”. “Ky festival ka nisur për të mbarë dhe kështu po vazhdon. Malisheva është djepi i folklorit dhe rapsodëve dhe kjo traditë do të vazhdojë, që të kultivohet trashëgimia dhe kultura jonë e pasur”, tha Begaj, i cili i përshëndeti të gjithë të pranishmit, e sidomos mërgimtarët, pasi edhe festivali mbahet në kuadër të shënimit të ditëve të mërgatës, si dhe pjesëmarrësve ju uroj suksese.
Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Besartë Kryeziu-Ramaj,e cila është edhe drejtoreshë e festivalit, pasi i ka përshëndetur të gjithë, tha se “Malisheva është treva më emblematike e folklorit shqiptar, Malisheva është e këngës, e luftës dhe e lirisë, prandaj kënga asnjëherë nuk është ndalur dhe as nuk do të ndalet, pasi është burim i pashtershëm i folklorit, i kulturës, i artit dhe i traditës”, tha drejtoresha Kryeziu-Ramaj.
Festivali vazhdon sonte, me natën e dytë, ndërsa të gjitha prezantimet konkurruese do të vlerësohen nga juria profesionale, në përbërje nga Prof.Dr.Zymer Neziri, prof.Dr.Adem Zejnullahu dhe prof.Dr.Sami Piraj, njohësit më të mirë të folklorit shqiptar.