Kryedialoguesi i Kosovës me Serbinë në Bruksel, Besnik Bislimi, ka deklaruar se ditën e shtunë do të vendoset KFOR-i në Jarinje e në Bernjakë e pas disa orëve do të largohet Policia Speciale dhe barrikadat e serbëve, ky, sipas tij ka qenë rezultati i bisedimeve sot në Bruksel.
“Marrëveshja sipas tij parasheh tri elemente. E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave. Kjo është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjedhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me shtendosjen e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i pas disa orëve do të zëvendësojë Policinë Speciale të Kosovës që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare. Kemi tentuar të detyrojmë Serbinë që të largojë edhe procedurat për qytetarët e Kosovës që lëvizin drejt Serbisë dhe mendoj se ky ka qenë rezultati sot, natyrisht që ne do të preferonim që të mos ketë asnjë barrierë dhe këto dy shtete të njohin tabelat, por ky do të jetë objektivi i grupit punues që do të themelojmë dhe i cili do të takohet që nga data 21 tetor”, ka deklaruar Bislimi, i cili humbjen në dialog e konsideron si fitore, si dikur, Lutfi Haziri e Edita Tahiri.
Vendosja e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Jarinje dhe në Bërnjakë, rikthejnë edhe fizikisht rezolutën 1244 të KS OKB-së, e cila edhe ashtu ende është në fuqi.
Përpjekja e Besnik Bislimit për ta paraqitur humbjen si fitore, nuk është diçka e re, por ai e di më së miri se kompromisi i arritur nuk është bërë me insistimin e delegacionit dhe vetë Bislimit, por ka qenë një vendim i komandës së KFOR-it, e cila edhe ashtu me kohë kishte paralajmëruar se do ta merrte nën kontroll Veriun ashtu sikur 10 vite më parë, derisa, në pamundësi për t’ u përballur me protestuesit serbë, kishte lejuar Policinë Speciale të Kosovës, ROSU, të merrte nën kontroll ndërtesat e doganave në Jarinje dhe në Bernjakë. Me atë rast gjatë përleshjeve me protestuesit serbë ishte vrarë polici, Enver Zymberi dhe ishin plagosur disa të tjerë, por pikat e kontrollit ishin vendosur.
Sot është vendosur që ato pika kontrolli t i kthehen sërish KFOR-it, për vendosjen e rendit dhe të sigurisë.
Autogoli që Qeveria Kurti i ka dhënë vetes me hyrjen në veri nën pretekst të targave të automjeteve sot është kthyer bumerang dhe ky është vetëm fillimi. (RKL)