KK i Rahovecit, sot mbajti mbledhjen e rregullt, ku ndër pikat me interes të veçantë ishte edhe Shqyrtimi dhe Miratimi i Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2023 – 2025. Kësisoj, me shumicë votash, këshilltarët e Kuvendit Komunal në Rahovec, miratuan Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2023 – 2025, e cila ka në fokus:
– Qeverisjen e mirë dhe të përgjegjshme;
– Përkrahjen e fermerëve;
– Projekte infrastrukturore dhe shërbime më të mira publike;
– Investime dhe prioritete për ngritjen e cilësisë në edukim dhe arsim;
– Investime publike dhe përkrahje për kulturën, sportin, rininë, trashëgiminë kulturore dhe historike;
– Investime në modernizim, pajisje dhe ofrim të shërbimeve më të mira shëndetësore;
– Projekte dhe investime në funksion të turizmit dhe ekonomisë.
Buxheti i përgjithshëm për vitin 2023 është 17.548.240.00€, ku nga të hyrat vetanake të planifikuara kemi: 1,445, 603.00 €.
Për Paga dhe Mëditje janë: 8.453.088.00 €, Mallra dhe Shërbime: 2.203.829.00€, Shpenzimet komunale: 370.000.00€.
Subvencione dhe Transfere: 820.000.00 €,
Investime kapitale 5.701.323.00 €.
Është në traditën e shqiptarëve që në vendime të mëdha të jenë të bashkuar, ashtu si edhe sot që u dëshmuan këshilltarët e subjekteve politike në kuvend, të cilët vazhduan kulturën dhe traditën, duke miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2023 – 2025 me shumicë votash. Kryetari Latifi i ka falënderuar grupet politike që përfaqësohen në Kuvend dhe këshilltarët, në veçanti ata që votuan PËR, si dhe të gjithë të tjerët për qëndrimin e tyre konstruktiv. Po ashtu, ka falënderuar edhe Kryesuesin e KK z. Defrim Kafexhiu, të gjithë bashkëpunëtorët e tij, drejtorin e financave Afrim Limanin, të gjithë drejtorët e drejtorive si dhe të gjithë qytetarët dhe grupet e interesit të angazhuar për gjithë përkushtimin e treguar për këtë dokument të rëndësishëm, i cili reflekton një analizë të hollësishme të shpenzimeve publike dhe përcakton parametrat dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e vazhdueshëm të buxhetit vjetor komunal. Gjithashtu, KAB- komunal, siguron mekanizmat e nevojshëm për arritjen e objektivave, prioriteteve, të identifikuara në dokumentet strategjike të komunës, përmes integrimit sa më të mirë në procesin buxhetor.