Në ministrinë për FSK u mbajt konferenca e tetë, ”FSK dhe Partnerët’’

Në ministrinë për FSK u mbajt konferenca e tetë, ”FSK dhe Partnerët’’

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sot filloj punimet konferenca dy ditore ,,FSK dhe Partnerët’’ me pjesëmarrje të ambasadorëve dhe atasheve ushtarak të shteteve partnere. Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj shprehu falënderim për miqtë ndërkombëtarë: ,, Ua kemi borxh të jemi partner me ju, sepse na keni ndihmuar në kohëra kritike që të jemi këtu ku jemi sot. Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në hapjen e punimeve të Konferencës së 8-të, të organizuar nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me temën ,,FSK dhe Partnerët’’.  Kryeministri me këtë rast tha; ,,Forca e Sigurisë së Kosovës reflekton të vërtetën e Kosovës dhe kjo e vërtetë është që të gjithë ne, çdo qytetar i këtij vendi, të ndjehet si në shtëpinë e tij, qoftë shqiptar, serb, turk, rom, ashkali, egjiptian, boshnjak’’.

“Sot, jemi në një institucion, që është shtëpia e të gjithëve. Aspirata jonë është që t’i bashkohemi familjes së Aleancës Veriatlantike dhe t’i kontribuojmë paqes”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se tranzicioni i Forcës së Sigurisë dhe mandati kushtetues i saj, nuk do të ndërrojë themelin e shtetit tonë dhe misionin e vizionin e shoqërisë sonë.

Ministri i FSK-së Rrustem Berisha në fjalën e hapjes së punimeve të konferencës, fillimisht falënderoj të gjithë partnerët e FSK-së për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme drejt arritjes së synimeve të Ministrisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai tha se Konferenca ,,FSK dhe Partnerët’’ ka për qëllim harmonizimin e aktiviteteve me partnerët, me synim të mbështetjes së nevojave të FSK-së si dhe koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta  në rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt integrimeve Euro-Atlantike. ,,Duke i paraqitur para jush  kërkesat dhe nevojat tona,  në mënyrë që ta shfrytëzojmë sa më racional angazhimin tonë në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, ne kemi për qëllim rritjen e ndërveprueshmërisë së FSK-së me ushtritë e vendeve partnere dhe atyre të NATO-së’’.

Pastaj, ministri Rrustem Berisha  shpalosi synimet e shtetit në fushën e sigurisë: ,, Republika e Kosovës synon që të mos të jetë vetëm konsumues i sigurisë dhe paqes por të jemi  edhe kontribuues pro aktiv i saj’’.

,,Ne si FSK kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që procesi i Transformimit të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese duke qenë të përkushtuar që pjesë e këtij procesi të jenë të gjitha komunitetet jo shumicë, në këtë rast dhe komuniteti serb’’. Duke theksuar se MFSK i ka realizuar të gjitha aktivitetet e parapara sipas planit të veprimit, ndërsa pjesën tjetër do ta realizojmë pas marrjes së vendimit për Transformim.

Në fund të fjalës së tij, ministri Rrustem Berisha tha se është i përkushtuar që edhe në të ardhmen të vazhdojë me përgatitjet e FSK-së për tranzicion, duke kërkuar edhe ndihmën dhe mbështetjen e vendeve partnere në këtë proces: ,, përkushtimi ynë është që edhe në të ardhmen të vazhdojmë me përgatitjen e FSK-së për tranzicion  dhe kërkojmë mbështetjen dhe ndihmën e juaj qe edhe Lista Serbe te jetë pjesë e këtij procesi’’.

 Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha: ,,Pa mbështetjen  tuaj, Forca e Sigurisë së Kosovë nuk do të ishte këtu ku është sot. Në organizatën tonë kultivojmë tri principe, atë të udhëheqjes, marrëdhënies dhe miqësisë’’.

,,Ne sot këtu, së bashku me atashetë e vendeve mike kemi një ditë të gjatë dhe do ti koordinojmë të gjitha aktivitetet tona, kërkesat dhe nevojat për të ardhmen’’.

Kolonel Jeton Dreshaj, shef i Kabinetit të Komandantit të FSK-së paraqiti ekspozenë ,, FSK, kredibile, e përfaqësuar dhe e gatshme’’, me të cilin paraqiti disa prej të arriturave, bashkëpunimeve, sukseseve në shkollim edhe trajnime jashtë vendit, etj.

Gjatë sesionit të parë të konferencës, folën edhe Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Ralf Hoffmann, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Turqisë dhe Kroacisë.

Konferenca do të vazhdojë me sesionet e punës gjatë ditës së sotme, ndërsa nesër, pra në ditën e dytë, pjesëmarrësit e konferencën, ,,FSK dhe Partnerët’’ do vizitojnë operacionet përfundimtare të ushtrimit të përbashkët me KFOR-in ,, Shpata e Argjendtë 18’’ në kazermën ,, Evropianët e rinj’’ në Pomozotin.

 Pjesëmarrës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Ministri i FSK-së, z. Rrustem Berisha, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, zëvendësministrat Burim Ramadani dhe Agim Çeku, Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatori Cuoci, si dhe ambasadorë të vendeve mike dhe partnere, atashetë ushtarakë të akredituar për Kosovë nga Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Kanada, Republika e Çekisë, Francës, Hungarisë, Italisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Turqisë, Mbretërisë së Bashkuar, SHBa-ve,  përfaqësues nga Presidenca, Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s,  KFOR-i, nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.

Kontrolloni gjithashtu

zamira.hyseni@uni-pr.edu

Visar Ymeri kritikon Albin Kurtin për kontroll mbi mendimin qytetar dhe mungesë të interesit për nevojat reale

Analisti politik Visar Ymeri ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e …