Në Mitrovicë hapet Impianti për riciklimin e gomave dhe plastikës mbeturinë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim ambasadorin e Austrisë në Republikën e Kosovës, Gernot Pfandler, i cili shoqërohej nga drejtori i Kompanisë  “BN01”, Baki Baliu dhe bashkëpunëtorët e tij, me të cilët bisedoi për kushtet që ofron komuna e Mitrovicës për investitorë të huaj. Fillimisht kryetari Bahtiri falënderoj ambasadorin e Austrisë, Pfandler për interesimin e tij për Mitrovicën dhe për nxitjen e investitorëve austriak për investim në komunën e Mitrovicës, si dhe në vazhdim e njoftoj shkurtimisht për situatën në Mitrovicë dhe për mundësitë që ofron komuna për investitorë të huaj. Ai i tha ambasadorit Pfandler se komuna është shumë e interesuar për zhvillim ekonomik, andaj edhe është duke krijuar një sërë kushtesh të favorshme për të gjithë ata investitorë që duan të investojnë këtu. “Deri tash kemi krijuar kushte të mira. Në Frashër është duke u punuar me të madhe në rregullimin e infrastrukturës në Zonën e Lirë Ekonomike, ku tashmë kanë filluar të vendosen bizneset që kanë përfituar tokën nga komuna, e cila po ashtu siguron edhe kushtet maksimale për biznese. Edhe kompanitë tuaja nëse janë të interesuara mund të aplikojnë dhe të jenë përfituese të tokës për vendosjen e objekteve për biznese të ndryshme”, tha kryetari Bahtiri. Aksionarët (partnerët) austriak të Kompanisë  “BN01”, Sh.p.k, e njoftuan kryetarin Bahtiri me përgatitjet që kanë bërë për fillimin e punës të objektit të Impiantit për riciklimin e gomave dhe plastikës mbeturinë, në Shupkofc të Mitrovicës, që pritet të bëhet së shpejti. Ata thanë se kapaciteti i fabrikës është riciklimi  i 6.000 tonelatave goma të vjetra në vit dhe përpunimi i disa produkteve tjera. Nga ky investim komuna do të përfitoj sepse do të hapen vende të reja pune, kurse ambienti përreth dhe më gjerë do të jetë më i pastër pasi që do të mblidhen gomat e vjetra dhe plastika mbeturinë, që do të përpunohen këtu. Ambasadori austriak, Gernot Pfandler, tha se beson se ky bashkëpunim i filluar do të vazhdohet dhe thellohet edhe me projekte të tjera, që do të ndikojnë në zhvillimin  ekonomik të Mitrovicës. Kryetari Bahtiri i siguroi mysafirët se do të mbështesë fuqishëm të gjithë ata investitorë austriak që janë të interesuar të hapin këtu biznese dhe se të gjitha obligimet e komunës, do të kryhen në mënyrë efikase.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …