leoni

Në Mitrovicë testi i maturës përfundon pa asnjë problem

Edhe në Mitrovicë ka filluar dhe mbaruar ashtu si duhet Testi i Maturës Shtetërore. Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtori  i Arsimit në komunën e Mitrovicës, Pajazit Hajzeri, ka vizituar me këtë rast disa qendra ku është mbajtur testi, për tu njohur nga afër me ecurinë e testit dhe për të parë se mos ka ndonjë problem eventual.

Ai është ndarë i kënaqur me përgatitjet që ishin bërë për zhvillimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm. Edhe vet administruesit e testit që kishin ardhur nga Podujeva dhe Ferizaj, i thanë kryetarit Bahtiri se gjithçka është në rregull dhe se nuk ka pas asnjë problem, as në aspektin e përgatitjeve dhe as në raport me maturantët që ju shtruan testimit, për të cilët thanë se ishin të sjellshëm.

Kryetari Bahtiri vlerësoi lartë organizimin, por edhe punën e mirë të administruesve dhe sjelljet e mira të maturantëve. “Unë besoj se kësaj radhe maturantët nga Mitrovica do të arrin rezultate edhe më të mira, pasi që gjatë vitit shkollor që po përfundon komuna ka bërë shumë për përmirësimin e kushteve të mësimdhënësve, duke arritur që të gjithë ata të mos kenë më telashe me paga, si dhe kushtet për mësim të nxënësve. Pastaj është punuar edhe në aspekte të tjera për përmirësimin e cilësisë në arsim”, tha ndër të tjera Bahtiri.

Drejtori për Arsim në komunën e Mitrovicës, Pajazit Hajzeri, tha se drejtoria që ai e drejton me kohë i ka marrë të gjitha masat për realizimin me sukses të këtij aktiviteti, duke i zbatuar plotësisht udhëzimet e Ministrisë. Ai tha se testit i janë nënshtruar 1849 maturantë, të shpërndarë në nëntë objekte shkollore me 14 qendra. Sipas tij, testi ka filluar në ora 10:00 dhe ka përfundua në ora 12:30, pa asnjë problem.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …