Në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës 2016”, në oborrin e e ndërtesës së administratës komunale në Mitrovicë, është hapur panairi njëditor artizanaleve dhe ushqimit tradicional. Panairi është organizuar nga organizata CECD-Friends, me drejtoreshën Valbona Sadiku, ndërsa që është mbështetur nga Ministria Diasporës.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se ky aktivitet është mjaft i rëndësishëm dhe domethënës. Ai falënderoi organizatorët për idenë e organizimit të këtij manifestimi dhe Ministrinë e Diasporës me në krye Valon Murati, për mbështetjen që i ka dhënë manifestimit.
“Duke pas parasysh se çdo popull ka mënyrën e vet tradicionale të gatimit e të ushqyerit dhe prodhimeve artizanale, dua të them se ajo që na dallon ne shqiptarëve nga të tjerët, është shumëllojshmëria dhe cilësia, si e ushqimeve tona tradicionale, ashtu edhe e punimeve artizanale”, tha kryetari Bahtiri.
Në vazhdim kryetari Bahtiri tha se komuna do t’i mbështesë maksimalisht individët dhe bizneset që në kuadër të veprimtarisë së tyre kanë edhe përgatitjen e shërbimin e ushqimeve tradicionale, si dhe të punimeve artizanale.
Ndërkaq, nënkryetari i komunës, Safet Kamberi vlerësoi lartë të gjitha ushqimet dhe punimet artizanale që ishin të ekspozuara në këtë panair, si dhe i inkurajoj pjesëmarrësit që edhe në të ardhmen të vazhdojnë të angazhohen duke treguar kështu kulturën tonë kombëtare.
Prezent në këtë eveniment ishte edhe Zëvendësministri i Diasporës, Janez Frrokaj, i cili para të pranishmëve foli për rëndësinë që kanë mërgimtarët për shtetin tonë. Ai tha se falë bashkëpunimit të mirë të Ministrisë me institucionet përkatëse, është lehtësuar shumë procedura e pajisjes së mërgimtarëve me dokumente, si dhe është shkurtuar dukshëm koha e pritjes së tyre nëpër vendkalimet kufitare.
“Vlen të theksohet se gjatë këtij viti procedura për pajisje me dokumente të ndryshme nëpër komuna, është edhe më e lehtë, pasi që në shumë sosh janë vendosur E-KIOSKAT, ku qytetarët vet mund t’i nxjerrin dokumentet e nevojshme”, theksoj Frrokaj.