Në moshën 59-vjeçare ka vdekur poeti, Bahti Mustafë Graiçevci

Pas një sëmundje të rëndë dhe të gjatë, në moshën 59-vjeçare ka vdekur, Bahti Mustafë Graiçevci nga fshati Ribar i Madh. Bahtiu gjatë tërë jetës, krahas punëve të ndryshme është marrë edhe me veprimtari poetike. Në vitin 2011 ka botuar përmbledhjen me poezi, “Shpresa e fundit”. Trupi i Bahti Graiçevcit u varros në varrezat e fshatit Ribar i Madh,  komuna e  Lypjanit.

Poezi që burojnë nga një botë e pasur dhe e motivuar shpirtërore

Bahti Graiçevci nga fshati Ribar i Madh, i komunës së Lypjanit i takon grupit të poetëve të heshtur, të cilët kanë shkruar, por nuk kanë botuar, jo sepse kanë dyshuar në vlerat e poezisë së tyre, por sepse nuk i ka favorizuar koha, apo ndoshta edhe sepse  kanë konsideruar me të drejtë, se dikush tjetër duhet të kujdeset për poezitë e tyre.

Rasti i poetit, Bahti Graiçevci është i veçantë. Ai ka shkruar poezi kohë pas kohe, por nuk i ka botuar ato. Arsyet për këtë janë të shumta dhe kryesisht individuale, familjare por edhe politike. Si anëtar i një familje të persekutuar nga regjimi serb, nip i Kadri Bebë Ribarit, ai ishte i ekskomunikuar nga njerëzit e regjimit, por edhe i përbuzur dhe i shpërfillur nga ambienti ku jeton.

Duke qenë se ka përjetuar shqetësime dhe trauma në familje, ekskomunikim në rrethin shoqëror, Bahtiu  ngushëllimin e vetëm për të përballuar vrazhdësinë e jetës e ka gjetur duke shkruar poezi, të cilat janë mjaft të motivuara dhe kanë një origjinalitet specifik, meqë janë të përjetuara me ndjenja të  thella, disa herë edhe melankolike dhe me një dozë të shprehur të vanitetit, pesimizmit, lodhjes dhe zvetënimit të jetës, që janë pjesë e jetës së tij fizike.

Poezia e tij  pasqyron edhe realitetin e trishtuar kohor, të jetës së shqiptarëve nën robërinë serbe. Një jetë, e cila prore ndeshej me të papritura dhe bëhej edhe më e rëndë nga skamja e mjerimi, sepse të gjitha shtigjet që çonin në jetë i kishte zënë regjimi. Si pjesëtar i një familje që trajtohej armike e regjimit komunist jugosllav, Bahtiu nuk pati mundësi të kryente studimet, por qysh i ri punoi fizikisht me qëllim për ta mbajtur familjen. Një kohë të gjatë ka punuar edhe në kurbet, larg familjes.

Rravgimet e jetës së rëndë kanë lënë gjurmë edhe në shëndetin e tij delikat, por jo në frymën e tij shpirtërore, sepse  ai  e ka ruajtur të paprekur botën e tij autentike të meditacionit, meqë të vetmen mbështetje të ngazëllimit shpirtëror  kishte poezinë, atë valvul nga ku buronte shpirti i çiltër, aty ku gjente ngushëllim, por edhe baraspeshë, me qëllim  për të qëndruar dhe për të jetuar me shpresë për ditët në liri, ku poezia do të tingëllonte lirshëm dhe do t’i kthente në kujtesë dromcat e së kaluarës, me të cilat ai rikthen në mendje  pjesën e “pa jetuar” të jetës, pjesën e saj më të dhembshme.

Kanë kaluar dyzet vjet qyshkur  Bahti Graiçevci ka shkruar poezinë e parë. Dhe gjatë tërë kësaj kohe ka jetuar si poet i panjohur, por jo edhe i pashprehur. Ai asnjëherë nuk ka hequr dorë nga poezia, e cila e shoqëroi në jetë si dashnore besnike, gjithnjë duke qenë shpresë për ditët më të mira dhe për qetësi e prehje në jetë. Por jeta u tregua shumë e ashpër dhe tejet e vrazhdë ndaj tij.

Poezia e Bahti Graiçevcit tani është në duar të lexuesit, i cili do ta vlerësojë më së miri.

 

 

  1. Ti s’ ke vdekur, i gjallë je!

ADEM JASHARIT

Malet po ushtojnë

Nga krisma topi,

Heronjtë po qëndrojnë

Në Drenicë, qysh moti.

Rrethi po zgjerohet,

Kufoma pushtuesish plot mali,

Në zjarr, madhështor vërsulet

Komandant, Adem Jashari.

I betuar  para veprës legjendare

E të madhit Skënderbe

U lidhe në besën e kombit

Jetën  e dhe për Atdhe.

Prekazi është sot qendër e botës…

Dheu i  vendlindjes, ngjyrë ari,

Aty është lapidari i legjendës të shekullit

I Komandantit,  Adem Jashari.

Shpirti ndër yje pushon

Eshtrat në varr, e lart qëndron kurora

Ti s`ke vdekur, je  i gjallë

Legjendar, të ka shpallë Kosova.

GJALLËRI SHPRESE

Po vjen me erën e shpresave të humbura

Shpëtimtar i urave të zemrave,

Po vjen t’i pushtosh ëndrrat e tmerrshme

Që sonte edhe dhomës po i  japin tmerr.

Shpëtimtar i fundit i shpresës,

Të zgjuar po të shoh si në ëndërr.

Ti vrapon me kalin e bardhë

Të shkumuar nga djersa

Që të arrish në minutën e fundit

Ta shpëtosh këtë Atlantidë të egër

Të mos fundoset përherë.

Shpëtimtar, shpata jote argjendi,

Po e pret forcën tënde  burrërore

Që të arrish aty dhe ku nuk arrihet

Për ta shpëtosh veten.

Atje ku duhet shpëtuar

Në rast paniku.

Ti nuk je dhunues,

Por vetëm një shpëtimtar

I shpirtrave që kërkojnë shpëtim.

Do të bekojnë hyjnitë qiellore

E drita e yjeve të lartë,

Do ta ndriçojë veprën tënde,

Pastaj do të lësh një gjurmë

Këtu në dheun e djegur,

Që të japë shenja jetë

Dhe të dëshmohet  se tani

Edhe këtu mund të jetohet.

Duke ngadhënjyer mbi një monstrum.

DUKE PRITUR

Do të shterën shtatë dete

Derisa të vinë kalorësit,

me Kuaj të bardhë të Apokalipsës,

Pastaj pritja do të shkatërrojë

Do të jesh si në përrallë

me trungun e tharë

ku në të do flenë,

gjarpërinj flokë-thinjur

E pastaj ligji i tyre do të jetë

Sintagmë  zjarri,

pastaj vinë drejtuar,

me turinj nga qielli.

Mundë të këndojnë himnin e tyre..

Nën duartrokitjen e milingonave

Pastaj, Akilë me thembra të çelikta

Me emër te një maratone sportive,

do t’i shkelin lulet më të bukura të këtij planeti.

E, atëherë shpirti yt do të rebelohet.

Do të ik nga trupi yt gjysmë i vdekur,

Qe  mos ta sheh të keqen e së keqes

Me sy gati të mbyllur

Që ende shikojnë.

ATDHEUT TIM TË LASHTË

Tregoi botës se këtu jeton gjatë shekujve,

këtu merr frymë, me tërë mushkëritë,

këtu, këtë vend, të parët na e lanë neve

të saktë, të dëlirë të kthjelltë si loti.

Këtë vend, që të parët e mbrojtën,

E mbrojtën  trimërisht këtë vend,

askujt nuk ia japim le ta dinë të gjithë,

do ta mbrojmë përgjithmonë.

Këtu lëshoi rrënjët bima jonë fisnike

kur Ballkani ishte i qetë nga dyndjet e lindjes

këtu qëndroi Skënderbeu  me luftëtarët e vet

këtu janë varret e të parëve tanë…

Këtu në këtë vend lirie

Të gjithë zgjuar jemi,

Kujtojmë gjyshërit  tanë tima bujarë

Këtu  fëmija kur të lind,

pas emrit `nënë“ thërret emrin tënd.

 

TË BURGOSURIT

Ditë e bukur prilli,

ditë magjepse

cicërimë e zymtë zogjsh,

përreth shtazë të ngordhura.

Muzgu ka rënë,

klithma  trishtuese njerëzish,

xhelatët e maskuar

fillojnë punën e tyre të ndyrë.

Asnjë  klithmë më s`dëgjohet

mëngjesi agon i rëndë,

Jashtë, ulërima qensh

duket se edhe ata i vajtojnë të vdekurit

Xhelatët mburren  me viktimat,

me duar të lyera me gjak,

në radhë tani kush do te jetë

këta njerëz të urtë e pa mëkat.

O, prill muaj i gjelbër

O zot i madh

Kij mëshirë për këta njerëz.

 

KOSOVËS

Një minutë, njëmijë rrugë kaloj,

Ashpër me tërë zërin thërras një emër.

Kosovë ndërgjegje e vrarë e Evropës

damarët m’u kanë  fryrë nga gjaku,

Truri po më digjet…

-Kosovë e mjerë sa shumë po durojmë.

Unë po vdes ngadalë në kujtim për ty

të kam nënë në ty jam betuar

Kosovë atdheu im i bukur

Do të mbrojmë, nuk të harrojmë.

A po e ndjen Kosovë

Si po thërret qetësia,

E qielli dhembshëm po na shikon.

Kosovë, lirinë do ta kesh

kurrë më nuk do të ketë okupatorë.

Prore të kujtoj, Kosovë,

Dhe zemra më dhemb.

Zgjuar jemi, nata unë dhe Ti.

Para syve më dalin masakrat në trupin tënd

-Kosovë , mëkatin mos ia fal gjakësorit.

Tash ke trima e gjeneralë

Dëboi gjakpirësit.

Edhe pse larg, nuk të kemi harruar

ushtarë e Tu të gjithë ne jemi

e prej këtu e deri në amshim

është vetëm një rrugë

e ajo rrugë e mundimshme është çlirim.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …