Në moshën 85-vjeçare ka vdekur kompozitori dhe ish-profesori i Universitetit të Prishtinës, Fahri Beqiri. Familja e kompozitorit të ndjerë ka bërë të ditur se homazhe, në nderim të jetës dhe veprës së tij do të mbahen sot nga ora 14. 00 deri në ora 15. 00 te Teatri Kombëtar. Varrimi do të bëhet në orën 17:00 në varrezat e qytetit, në Prishtinë. Fahri Beqiri gjatë kohës së luftës së UÇK-së, me Efraim Kastratin e të tjerë ka kompozuar siglën e Radios-Kosova e Lirë dhe ka dhënë ndihmesë të pakursyer profesionale.
Fahri Beqiri u lind në vitin 1936, në qytetin e Mitrovicës. Rrugëtimin e tij profesional e filloi në shkollën e mesme të muzikës, në Prizren për t’i vazhduar studimet në Akademinë e Muzikës, në Beograd. Në vitin 1970 Beqiri diplomoi në drejtimin e kompozimit, me poemën e tij të njohur, “Skënderbeu”, vepër debutuese simfonike jo vetëm për krijimtarinë e këtij kompozitori por në tërë krijimtarinë e re simfonike shqiptare në përgjithësi.