Ka ndërruar jetë, në moshën 86 vjeçare, Vilfrid Fidler (Wilfried Fiedler), gjuhëtari i shquar gjerman, njëri nga albanologët më të rëndësishëm të kohës sonë.
Fidler lindi në Oberfrohna të Gjermanisë në vitin 1933. Ai njihet herët me shqipen dhe me kulturën shqiptare dhe do t’ia përkushtojë gjithë jetën thesareve të saj. Në vitet 1951-1955 ndoqi studimet për sllavistikë dhe për filologji të tjera të Evropës Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Humboldit në Berlin. Pas vitit 1955 ishte bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave në Berlin. Bashkë me Erih Stokmanin mori pjesë në ekspeditën në Shqipëri. Nga viti 1959 ishte mësimdhënës për gjuhën, letërsinë dhe folklorin shqiptar në Berlin. Më 1959 qëndroi për qëllime hulumtimi në Shqipëri. Më 1961 doktoroi në fushën e ballkanologjisë në Universitetin e Humboldit. Ishte bashkëpunëtor shkencor në Komisionin e gjuhësisë (1963-1967) dhe në Institutin për Gjuhët dhe Kulturën Romane në Akademinë e Shkencave të Gjermanisë në Berlin (1967-1968). Bashkë me Oda Buholcin (Buchholz) drejtoi grupin hulumtues për ballkanistikë në kuadër të Institutit Qendror të Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave në Republikës Demokratike të Gjermanisë në Berlin (1968-1988). Më 1988 mbrojti tezën e habilitacionit në fushën e albanologjisë në Universitetin e Humboldit. Prej vitit 1989 dhe deri më 1998 ishte profesor i albanologjisë në Universitetin “Ludwig-Maximilian” në Munih.
Më 1991 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK). Veçohet gramatika deskriptive për gjuhën shqipe, të cilën e shkroi në bashkëpunim me Oda Buholcin (“Albanische Grammatik”, Leipzig 1987). Bashkë me Buholcin dhe Gerda Ulishin (Uhlisch) hartoi Fjalorin shqip-gjermanisht, ndërsa bashkë edhe me Adrian Klosin, Fjalorin gjermanisht-shqip. Lista e gjatë e studimeve nga fusha e albanologjisë dhe ballkanistikës përfshin monografitë “Sistemi foljor i gjuhës shqipe të Gjon Buzukut (1555)” (2004) dhe “Formimi i shumësit të gjuhës shqipe” (2010), botime të ASHAK-ut. Vepra e tij për sistemin foljor të gjuhës së Buzukut, në të vërtetë, është një monografi e gjerë (mbi 800 faqe) për gjuhën e këtij autori në tërësi, me një përqendrim te sistemi foljor. Monografia e tij për shumësin në gjuhën shqipe është rezultat i hulumtimeve prej disa dekadash dhe paraqet monografinë më të gjerë të shkruar ndonjëherë për këtë çështje. Vepra e fundit e tij, e botuar po ashtu tek ASHAK-u më 2018 është Gramatika e krahasuar e gjuhëve të Ballkanit, Pjesa I, Sistemi foljor, 826 faqe, gjermanisht, një nga kryeveprat e ballkanologjisë. Pritej të mbaronte pjesën II për sistemin foljor. V. Fidler ka përkthyer dhe vepra të letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, ndër to “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe novela të I. Kadaresë, poezi të M. Camajt, poezi të A. Podrimjes. Ishte profesor i jashtëm për gjuhë shqipe në Institutin për Studime për Europën Juglindore në Universitetin e Jenës “Friedrich Schiller”.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtar i jashtëm i së cilës ishte nga viti 1991, duke konsideruar humbjen e tij të pazëvendësueshme, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta anëtarëve të familjes Fiedler, miqve dhe dashamirëve të tij të shumtë në të gjitha trojet shqiptare.Me rastin e ndarjes nga jeta të albanologut Vilfrid Fidler, ASHAK do të mbajë një mbledhje përkujtimore.