Sot në Landovicë të Prizrenit, me nderime të larta ushtarake u varros, kapiten Sejdi Krasniqi, komandant i Kompanisë së Deminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, i cili të dielën, pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë. Nga ora 10:00-1100, në kazermën e FSK-së në Prizren, u bënë homazhe, ndërsa nga ora 1200, në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, në nderim të kapitenit Krasniqi u mbajt akademi përkujtimore, ndërsa në orën 13:30 ka filluar ceremonia e varrimit në varrezat e dëshmorëve në Landovicë. Për t’ i dhënë lamtumirën e fundit kapiten Sejdi Krasniqit nga Ministria e FSK-së ishte Sekretari i Përgjithshëm zoti Shkelzen Sylaj, Komandanti i Komandës së Forcës Tokësore (KFT) gjeneral Brigade Enver Cikaqi, Drejtori i Operacioneve gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, shefi i operacioneve dhe trajnimeve gjeneral Brigade Nazmi Brahimaj, zëvendës komandanti i KFT-së gjeneral brigade Naim Haziraj, Komandanti i Brigadës së Reagimit të shpejtë Xhevahir Geci si dhe oficerë dhe zyrtarë të lartë të FSK-së dhe MFSK-së.
Në akademinë përkujtimore ku ishin ardhur shumë personaliteti shtetërore, politike, ushtarake dhe qytetarë të shumtë, në emër të FSK-së, foli komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi, ai fillimisht shprehu ngushëllimet familjes, pjesëtarëve të FSK-së, shokëve dhe kolegëve dhe më pas, foli për jetën dhe veprën e kapiten Krasniqit, ku ndër të tjera, tha: ,,E nderuar familja e Kapiten Sejdi Krasniqit, më lejoni që në emër të oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të FSK-së dhe të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramës të shprehë konsideratën time më të lartë për veprën e madhe dhe shumë të rëndësishme për vendin në përgjithësi dhe për institucionin e FSK-së, në veçanti të oficerit, të bashkëluftëtarit, të mikut tonë – Komandant Sejdi Krasniqit. Ai rrjedhë prej një familjeje patriotike e që i kishte dhënë vendit në periudha të ndryshme të historisë sonë shumë veprimtarë e luftëtarë, kishte filluar aktivitetin e vetë patriotikë si i ri dhe duke vazhduar në etapa të ndryshme të jetës, në organizime të ndryshme patriotike duke kulmuar edhe me përfshirjen e tij në luftën e lavdishme të UÇK-së, përkatësisht në Brigadën 128 të Zonës Operative të Pashtrikut.
Sejdi Krasniqi pas luftës vazhdoi aktivitetin e tij në ngritjen e institucionit shumë vital, duke shërbyer në Zonën e Dytë të Mbrojtjes të TMK-së. Kanë qenë me qindra aktivitete të suksesshme në të cilat ai ishte pjesë e tyre. Në vitin 2009 ai vazhdojë shërbimin në FSK, duke vazhduar me shëmbëlltyrën e tij prej një oficeri të sprovuar e me një personalitet shumë të formësuar. U përzgjodh si një prej oficerëve të veçantë nga Komanda e Stërvitjes dhe Doktrinës për të qenë komandant i Kompanisë së Deminimit dhe komandant i kazermës në Prizren. Si komandant i kësaj njësie, e cila është e veçantë dhe shumë operacionale e FSK-së, u bë sinonim i suksesit dhe përkushtimit profesional e njerëzorë me ushtarët e tij e me qytetarët e Prizrenit, dhe në këtë mënyrë prezantoi dhe mbrojti fuqishëm vlerat e një ushtaraku model të vendit tonë”. Në vazhdim të fjalës së tij gjeneral Cikaqi foli gjerësisht për veprimtarinë, profesionalizmin, shkathtësitë drejtuese prej eprori, aktivitet e shumta, virtytet morale dhe njerëzore të kapiten Sejdi Krasniqit.
“Në fund të fjalës së tij gjeneral Cikaqi tha se Kapiten Sejdi Krasniqi ka ofruar shumë në shërbim të vendit, FSK-së, andaj sot e kujtojmë si ushtarë e mbrojtës të Lirisë, mik të veçantë, humanist e i palodhur në shërbim të vendit tonë”.
Në këtë akademi u lexua edhe telegrami i ngushëllimit i dërguar familjes Krasniqi nga Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës Rrustem Berisha
“E nderuar familje Krasniqi,
Me keqardhje të thellë e mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të kapiten Sejdi Krasniqit, komandant i Njësisë së Deminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këto momente të dhembjes e të pikëllimit më lejoni t’jua përcjellë ngushëllimet e mia të thella, në emrin tim personal dhe në emër të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ai, do të kujtohet përherë për kontributin e tij të madh në luftën për liri të vendit, por edhe për kontributin e jashtëzakonshëm në misionin e tij për ta bërë Kosovën një vend më të sigurt për të jetuar.
Andaj, duke ruajtur kujtimin dhe respektin e përhershëm për Kapiten Sejdi Krasniqin dhe mbarë familjen e respektuar, më lejoni që edhe një herë të ndaj dhimbjen me të gjithë ju”.
Ndërsa, në emër të veteranëve të luftës të Prizrenit, foli sekretari i Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së, Isa Berisha.
Kurse për jetën dhe veprimtarinë e kapiten Sejdi Krasniqit në në emër të qytetit të Prizrenit Foli kryetari i Komunës së Prizrenit zotëri Mytaher Haskuka.
Në emër të familjes të gjithë të pranishmit i ka falënderuar Arbnor Sejdi Krasniqi.
Pas akademisë ceremonia është zhvendosur në Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Landovicë. Kapiten Sejdi Krasniqi, për në banesën e tij të fundit u përcoll nga Togu Ceremonial i FSK-së, pjesëtarë të Kompanisë së Deminimit, të FSK-së, kolegë të tij të shumtë, familjarë.
Këtu para familjarëve, pjesëtarëve të FSK-së dhe shumë qytetarëve nga anë të ndryshme të vendit, fjalën lamtumirëse e ka mbajtur Kolonel Shaip Haziri Komandnat i Regjimentit të Mbrojtjes Civile, i cili vlerësoi lartë përkushtimin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin me emirë me kapiten Sejdi Krasniqi gjatë shërbimit të tij në FSK.
Po ashtu para të pranishmëve u lexua edhe telegrami i ngushëllimit për familjen Krasniqi i dërguar nga Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama.
“E nderuara Familja Krasniqi
Në pamundësi që të jem prezent në këtë ceremoni lamtumirëse për më të dashurin tuaj, ushtarin tim dhe Komandantin e Njësisë së Deminimit, ju shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi.
Puna dhe kontributi i Kapiten Sejdi Krasniqit në të gjitha periudhat, gjatë luftës, në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe FSK janë mburrje jo vetëm për familjen por edhe farefisin.
Ju si familje duhet të jeni krenar me disiplinën, përkushtimin dhe dëshirën që Kapiten Krasniqi kishte në shërbim të vendit. Në këto momente dëshiroj të përcjellë ngushëllimet e të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, duke u zotuar që punën dhe kontributin e Kapiten Krasniqit dhe të gjeneratave të tjera do ta qojmë në fund.
E nderuara familje Krasniqi, në këto momente dhembjeje, kërkoj nga ju që të gjeni forcë për t’i tejkaluar ditët e vështira.
Puna vetëmohuese e Kapiten Sejdi Krasniqit në drejtimin e Njësisë së deminimit ishte shumë profesionale, dëshira e tij dhe shokëve tjerë të rënë për liri shumë shpejtë do të kurorëzohen me transformimin e FSK-në në Forcë të Armatosura të Kosovës.
Me respektin më të thellë dhe përuljen time para punës së tij, më lejoni që edhe një heqë që t’u shprehë ngushëllimet tona
Prehu në paqe dhe liri për të cilën luftove dhe veprove tërë jetën”.
Në emër të bashkëluftëtarëve të UÇK-së dhe të brigadës 128, për kontributin e Sejdi Krasniqit në kudër të kësaj brigade, një fjalë lamtumirëse e mbajti bashkëluftëtari Orhan Bislimi.
Në Përfundim të ceremonisë së varrimit, në emër të familjes Krasniqi falënderoi vajza e të ndjerit kapiten Sejdi Krasniqit, Xheneta Krasniqi e cila falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në lamtumirën e fundit të babait të saj dhe fjalët e çmuara që u thanë për jetën dhe veprën e tij.