Është mbushur një vit që kur PSD-së i janë shtuar një numër i madh anëtarësh, kryesisht ata që kanë dal nga Lëvizja Vetëvendosje. U tha se tanimë Kosova do të ketë një parti të mirëfilltë socialdemokrate. Mirëpo, pritjet duket se nuk janë realizuar. Mos mbështetja në popull duket se ka mërzitur anëtarët e mëhershëm të kësaj partie. Ish-sekretari i Partisë Socialdemokrate, Agim Smaka thotë se pas aderimit të ish-anëtarëve të Vetëvendosjes, kanë pritur që do të kenë më shumë përkrahje të qytetarëve, se sa kanë momentalisht. Duke përmendur ndikimin e tyre në parti, ai shprehet se pavarësisht gjithave, në marrëveshjen e bërë, ata janë marr vesh që të ketë përqindje të caktuar, në mënyrë që të jenë të barabartë në parti. Por ndryshe shprehet, kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, i cili është kundërshtues ndaj këtyre pretendimeve. Ai thotë se nuk ka asnjë lloj ndarje mes gardës së vjetër dhe asaj që janë inkuadruar tanimë.
