leoni

Në njëvjetorin e vdekjes së tij është zbuluar pllaka përkujtimore e Mehmet Hajdar Morinës

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, në prani të familjarëve, miqve e shokëve, bashkatdhetarëve, bashkëfshatarëve, veprimtarëve të çështjes kombëtare, ish-ushtarëve e invalidëve të luftës të UÇK-së, përkujtuan veprimtarin e çështjes kombëtare Mehmet Hajdar Morinën, në njëvjetorin e vdekjes së tij. Ky takim përkujtimor u organizua nga këshilli i fshatit Ratkoc në bashkëpunim me OVL-në e UÇK-së ku me ç’rast u zbulua edhe busti i Mehmet Hajdar Morinës. Kryetari Latifi me këtë rast ka thënë: Historia nuk mban mend një popull të robëruar që është çliruar pa angazhimin e potencialeve të veta humane, materiale, teknike e financiare, prandaj edhe populli shqiptar nuk bën ndonjë përjashtim. Një nga këta ishte edhe Mehmet Hajdar Morina, i cili pikërisht në janarin e 2019-tës, më 10 janar u nda nga ne. Angazhimi personal i bacës Mehmet nuk është i rastësishëm. Ai dhe vëllezërit e tij kishin dëgjuar shumë rrëfime për dhunën dhe egërsinë e pushtuesve serb dhe asnjëherë nuk e kishin pranuar si të mirëqenë këtë gjë. Kishin punuar me përkushtim që gjendja e popullit shqiptar të ndryshojë dhe ne të fitojmë lirinë. Format e kësaj qëndrese ishin të ndryshme dhe nuk pushuan asnjëherë. Natyrisht se në këtë rrugëtim ata nuk ishin vetëm. Veprimtarët e çështjes kombëtare u bënë bashkë në Perëndim dhe ndihmuan në mbajtjen gjallë të frymës së kundërshtimit. Takimi me vëllezërit Gërvalla, Kadri Zekën dhe veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare në diasporë, ndikuan që baca Mehmet me vëllain Isanë të vihen në radhët e atyre që do të pozicionohen fuqishëm në rrugën e nderit e të krenarisë. Kur nisi lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës, u bashkuan mendjet dhe zemrat e shqiptarëve anekënd botës dhe u bënë bashkë në një front të përbashkët të luftës. Bashkëvendësit tanë në Zvicër themeluan shoqatën humanitare “Ratkoci”, duke mbledhur mjete financiare e materiale në shërbim të luftës për liri. Njëri ndër organizatorët e kësaj organizate ishte edhe Mehmet Morina. Mirënjohja për baballarët dhe vëllezërit tanë në botën perëndimore do të jetë e lartë. Madje edhe i ati i bacës Mehmet, plaku haxhi Hajdari e nxori pushkën e vjetër dhe ia krisi më 12 maj 1998. Edhe djemtë e bacës Mehmet Kadriu e Dauti ishin ndër të parët që u vunë në rreshtat e parë të çlirimtarëve, si veprimtarë ilegalë e si luftëtarë të UÇK-së. Kjo nënkupton se në atë familje mbizotëronte një frymë lirie, që ishte kultivuar brez pas brezi. Ndër angazhimet tona mbetet edhe nderimi që ju bëjmë atyre që me mund, djersë e gjak i kontribuuan ardhjes së lirisë, respektivisht bacës tonë Mehmet Hajdar Morina dhe të gjithë atyre që ishin në krahun e duhur të historisë. Lavdia dhe nderimi ju takon atyre që qëndruan, luftuan dhe u flijuan për këtë tokë, prandaj nderimi për bacën Mehmet dhe shokët e tij do të vazhdojë të jetë ndër obligimet tona sot dhe në të ardhmen. Lavdi jetës dhe veprës së atdhetarit tonë Mehmet Hajdar Morinës, lavdi të gjithë atyre që ranë për liri!

Kontrolloni gjithashtu

Dea Shabani shkruan historinë për notin ferizajas

Anëtarja e Klubit të Notit “FERIZAJ”, Dea Shabani ka shkruar historinë për notin ferizajas në …