Në njëzet vjetorin e Masakrës së Burimit, është mbajtur një tubim përkujtimor

Në njëzet vjetorin e Masakrës së Burimit, është mbajtur një tubim përkujtimor

Sot në Burim të Malishevës, në njëzet vjetorin e masakrës së Burimit, është mbajtur një tubim përkujtimor, në shenjë kujtimi për të vrarët në këtë masakër, më e madhja në Komunën e Malishevës. Në masakrën e Burimit, janë vrarë 34 persona nga fshatrat Astrazup dhe Dragobil, si dhe tetë persona tjerë janë vrarë përreth Burimit, po më 31 mars të vitit 1999. “Duhet të hetohet secila masakër që ka ndodhur në vend. Çdo masakër duhet të hetohet deri në fund dhe kryesit e këtyre vrasjeve të dënohen. Ne nuk mund të jetojmë të qetë, deri në zbardhjen dhe dënimin e këtyre vrasësve”, ka thënë në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

“Llapusha gjithmonë ka ditur të rreshtohet drejt dhe t’ju prijë lëvizjeve për liri, në të gjitha etapat, e edhe në luftën e fundit, nuk ka mundur të ndodhë ndryshe. Ne luftën e lavdishme të UÇK-së, kemi vazhduar rrugën e baballarëve tanë”, tha Limaj duke folur për luftën. Përderisa ka folur për masakrën e Burimit, zëvendëskryeministri Limaj, tha se “çdo vdekje e ka edhe historinë e saj, e ne sot po kujtojmë pleqtë dhe fëmijët tanë të cilët dhanë jetën për liri”. “Kjo ngjarje, është dëshmi e asaj se sa jemi sakrifikuar për lirinë”, tha në fund Limaj, i cili përgëzoi edhe Komunën e Malishevës, për fillimin e ndërtimit të kompleksit memorial në vendin e masakrës së Burimit.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka vlerësuar si ngjarjen më të dhimbshme në Malishevë, që ka ndodhur gjatë luftës së fundit. “Kjo masakër dhe masakrat tjera, kanë qenë një hakmarrje e çetnikëve, në pamundësi të ndalej së luftës së drejtë të popullit shqiptar për liri”. “Ju familjarë të të rënëve në këtë masakër, bëhuni të fortë dhe të jeni krenar, pasi me gjakun e tyre është ushqyer kjo tokë në të cilën po rritet fryti i sakrificës së tyre, LIRIA jonë”, tha mes tjerash kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në fjalën e tij. Edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Rrahim Morina, në fjalën e tij, e ka vlerësuar si masakrën më të madhe dhe ngjarjen më të rëndë të ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai më pas, në mënyrë kronologjike e ka përshkruar ngjarjen, prej hyrjes së forcave ushtarake dhe paramilitare, e deri në vrasjen dhe masakrimin e dhjetëra banorëve të Dragoblit, Astrazupit dhe fshatrave tjerë. Edhe kryesuesi Morina, ka kërkuar zbardhjen e kësaj masakre dhe dënimin e autorëve të masakrës.

Në emër të familjarëve, të pranishmit i ka përshëndetur Adem Morina. Pas kësaj, është vënë edhe gurëthemli i ndërtimit të kompleksit memorial për masakrën e Burimit, në vendin e rënies, tek Vrella e Mëhillit

Në fund, janë bërë homazhe në varrezat e 42 të vrarëve të 31 marsit të vitit 1999.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …