Në Pagarushë u zbulua lapidari për dëshmorët dhe të rënët e fshatit

Në fshatin Pagarushë të komunës së Malishevës, u bë zbulimi i lapidarit, përkatësisht pllaka përkujtimore për të rënët e fshatit Pagarushë, dëshmorët dhe martirët e fshatit. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, Nait Hasani, njëri nga themeluesit e UÇK-së, pastaj Kadri Kryeziu dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, të politikës dhe qytetarë të shumtë. Pllakën për të rënët e fshatit e shpalosën familjarët e dëshmorëve të fshatit, së bashku me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. Në fjalën e rastit, kryetari Kastrati tha se “kjo pllakë, me këta emra, në vete mbanë të gjitha vlerat më të larta të një kombi: luftën, krenarinë, dinjitetin dhe sakrificën. Ne sa më shumë që i respektojmë këto vlera, do të jemi gjithmonë më mirë. Lavdi dëshmorëve dhe të rënëve të kombit”. Ndërsa, Nait Hasani, në fjalën e tij, bëri thirrje për unitet dhe mbrojtje të vlerave të luftës. Ai theksoi se këto vlera sot mbrohen duke mbrojtur krerët e luftës, të cilët padrejtësisht po gjykohen në Hagë, dhe duke i mbrojtur ata, ne mbrojmë edhe lirinë që kemi fituar. Hasani gjithashtu i përgëzoi pagarushasit për këtë vepër dhe për kontributin e këtij fshati, sidomos gjatë luftës së fundit, ku kanë mbajtur me bukë mbi 100 mijë banorë të zhvendosur dhe kanë furnizuar me armë të gjithë ata që kanë luftuar. Në këtë ngjarje u mbajtën edhe fjalime të tjera. Në emër të degës së OVL të UÇK-së foli Januz Mazreku, i cili theksoi se pa krismat e pushkës dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve, nuk do ta kishim lirinë. Në emër të luftëtarëve të fshatit foli Sahit Pagarusha, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve foli Fidaim Krasniqi. Për historinë e fshatit dhe kontributin në luftë foli Nysret Kryeziu. Kadri Kryeziu, në fjalën e tij, vuri në dukje se në të gjitha luftërat e 100 viteve të fundit në trojet shqiptare, ka qenë e pamundur të mos ketë marrë pjesë dikush nga Pagarusha.

May be an image of 6 people, the Tomb of the Unknown Soldier and text

Kontrolloni gjithashtu

Dea Shabani shkruan historinë për notin ferizajas

Anëtarja e Klubit të Notit “FERIZAJ”, Dea Shabani ka shkruar historinë për notin ferizajas në …