Në “ Parkun Teknologjik “ në Shtime fillon punën fabrika “Kalaja Epox “

Në “ Parkun Teknologjik “, në Shtime, është bërë përurimi i fabrikës “ Kalaja Epox “, që merret me përpunimin e rrëshirave epokside dhe që do të udhëhiqet nga Vëllezërit Rexhaj nga fshati Petrovë. Tani kjo fabrikë do të ofrojë dysheme me rrëshira epokside ( dysheme industriale, sportive, antistatike dhe dekorative ) dhe është e para, e këtij lloji, në Kosovë.

Për historikun e firmës ka folur menaxheri i saj z. Ruzhdi Rexhaj, i cili ka thënë: “Kalaja Epox” prej më shumë se 10 vitesh konsumatorëve të saj ju ofron dysheme me rreshira epoksidi të cilat janë të jashtëzakonshme dhe efikase në shumë aspekte. Gjatë kësaj periudhe kompania është zhvilluar mjaft shumë duke rritur kapacitetet e saj dhe duke u konsoliduar, si në teknologji po ashtu edhe në profesionalizëm. Tani me seli të re në Shtime, në një pozitë gjeografike ku me lehtësi mund të mbulojmë tërë territorin e vendit tonë, “ Kalaj Epox” e forcon edhe më shumë besimin te konsumatorët e saj duke u ofruar atyre kualitet, korrektësi dhe saktësi si gjithmonë.

Në ceremoninë e përurimit kanë marrë pjesë strukturat udhëheqëse të komunës së Shtimes, në krye me kryetarin, z. Naim Ismajli, i cili ka folur për rëndësinë e zhvillimit ekonomik lokal dhe mbështetjen që kanë bizneset nga komuna, në Parkun Teknologjik. Ai ka potencuar se komuna do të vazhdojë të përkrahë bizneset e këtilla që investojnë dhe që krijojnë mundësi punësimi.

Mysafire e kësaj ceremonie ishte edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hikmete Bajrami, e cila ka uruar hapjen e këtij biznesi në komunën e Shtimes dhe ka shprehur gatishmërinë për përkrahje nga niveli qendror të bizneseve të këtilla. Ajo ka folur për lehtësirat që po u ofron Qeveria e Kosovës bizneseve dhe ka bërë të ditur se Qeveria është në përgatitje të pakos së dytë fiskale përmes së cilës krijohen lehtësira të reja për bizneset, në përgjithësi.

Sipas Planit të biznesit, të kësaj fabrike, parashihet punësimi i 15 punëtorëve për tri vitet e ardhshme kurse vlera e investimeve sipas planit të biznesit, për tri vite, parashihet të jetë 172,000.00€

Në fillimin e punës së këtij biznesi kanë marrë pjesë edhe asociacionet ekonomike të komunës dhe më gjerë, përfaqësues të bizneseve dhe mysafirë të tjerë, të cilët u kanë uruar Vëllezërve Rexhaj suksese në fillimin e këtij biznesi, në komunën e Shtime.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …