Delegacioni i MFSK-FSK-së, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, realizoi takime dypalëshe lidhur me avancimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Zëvendësministri për FSK-në, z. Burim Ramadani dhe zëvendës ndihmësja e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, znj. Laura Cooper, kanë bashkë-kryesuar mbledhjen e Grupit Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë, të mbajtur në Pentagon. Gjatë takimit të Grupit të përbashkët, janë diskutuar dhe vendosur orientimet strategjike në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në marrëdhëniet bilaterale midis Kosovës dhe SHBA-ve. Po ashtu, janë diskutuar çështjet e detajuara mbi angazhimet e përbashkëta në mbështetjen amerikane për Ministrinë e ardhshme të Mbrojtjes, me theks të veçantë për FSK-në në mandatin dhe detyrat e reja ushtarake dhe të mbrojtjes. Në takim kanë marrë pjesë edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ambasadorja Vlora Çitaku dhe delegacioni profesional.
Të dy delegacionet kanë prezantuar synimet dhe planet për punën e përbashkët, në vitin në vijim, sikurse janë dakorduar për një varg aktivitetesh mbështetëse për FSK-në, anëtarësimin në iniciativat rajonale, si dhe angazhimet në misione ndërkombëtare. Në takimin e mbajtur në Washington është prezantuar rruga përpara gjatë transicionit të FSK-së pas miratimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës. Bashkë-kryesuesit Ramadani dhe Cooper kanë vlerësuar lart përgatitjet e bëra nga të dy delegacionet për bashkëpunimin bilateral dhe theksuan thellimin e partneritetit në siguri e mbrojtje Kosovë-SHBA.