Sipas burimeve ndërkombëtare, i dërguari i Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka përgatitur një plan nëntë pikësh, ku do të diskutohet ndërmjet palës kosovare e asaj serbe. Si pikë e fundit, parashihet edhe debati për mundësinë e njohjes reciproke. Vazhdimi i dialogut mes Kosovës e Serbisë, sipas burimeve ndërkombëtare do të ketë disa çështje të përcaktuara nga emisari për dialog, Mirosllav Lajçak. Sipas planit të tij, janë paraparë 9 pika, të cilat palët do t’i diskutojnë me qëllim të finalizimit të marrëveshjes. Pika e parë e diskutimit do të jetë çështja e personave të pagjetur, rikthimi i serbëve dhe malazezëve të shpërngulur nga viti 1976, ku thuhet të jenë 250 mijë serbë dhe malazezë. Rregullimi i infrastrukturës dhe transportit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjithnjë sipas këtyre burimeve, do të diskutohet edhe për sigurimet shoqërore dhe zhvendosjen e pasurive shtetërore në ASK, sipas vendimit të Qeverisë së ish-kryeministrit Haradinaj. Po ashtu parashihet zgjidhja e kontesteve pronësore, ku 1300 janë në veri dhe të tjerat të serbëve në Kosovë. Në pikën e shtatë të planit të Lajçakut, parashihet çështja e Kishës Ortodokse serbe, ku thuhet se është e pakthyeshme pronësia e tokave dhe pa të drejtë shtetëzimi të pronave. Sipas burimeve ndërkombëtare, në tavolinën e bisedimeve ndërmjet palës kosovare e serbe do të jetë edhe zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive dhe autonomi, me politika sektoriale dhe fuqi ministrore, ndërsa në fund parashihet debati për mundësinë e njohjes resiproke mes të dyja vendeve