Në Prishtinë u hap panairi i ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme

Në Prishtinë, në Sheshin Nënë Tereza të mërkurën është hapur Panairi me 36 përfituesit e Programit të Granteve për Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), i organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe IOM.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati,  mori pjesë në hapjen e këtij panairi me ç’rast, gjatë një fjale rasti, e vlerësoi të rëndësishëm këtë organizim.

“Bashkimi Evropian së bashku me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kanë investuar 4 milion euro, të cilat janë ndarë në formë të granteve në mbështetje të Ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme në Kosovë. Kemi kënaqësinë që kompanitë përfituese të këtyre granteve kanë arritur të rrisin dukshëm kapacitetet e tyre prodhuese duke rritur kështu  nivelin e eksportit dhe duke gjeneruar vende të reja pune”, tha Kastrati.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, siç tha ai,  është duke punuar në mënyrë të vazhdueshme që të mbështes rritjen dhe fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, sepse konsiderohet se ato kanë potencial shumë të madh në gjenerimin  e vendeve të reja të punës.

“Është me rëndësi të theksohet se rreth 20% të këtyre ndërmarrjeve janë të udhëhequra nga gratë, gjë që  është një e dhënë inkurajuese që tregon se fuqizimi i grave në ndërmarrësi po ndodhë gradualisht me hapa të sigurt. Ky është edhe objektiv i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, theksoi Kastrati. Ai po ashtu tha se Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit e cila ka filluar të implementohet nga muaji prill i këtij viti do të zgjerojë mundësitë e bizneseve tona për eksport dhe rritje të punësimit.

I pranishëm në hapje të panairit ishte edhe shefi i bashkëpunimit nga Zyra e BE-së në Kosovë  Christof Stock, i cili e cilësoi këtë program si tregues të suksesit të këtyre ndërmarrjeve.

Në këtë panair janë duke prezantuar 36 ndërmarrje të sektorëve të ndryshme, nga përpunimi i metaleve, përpunimi i qelqit, përpunimi i drurit, tekstilit, prodhimi i ushqimit, produkteve higjienike, reciklimi dhe përpunimi i plastikës të cilat janë përkrahur përmes programit.

Programi i Granteve për NMVM-të, është financuar nga MTI dhe Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar  nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim – IOM.

Deri më sot, në sajë të këtij programi janë krijuar rreth 200 vende pune të qëndrueshme.

Panairi me përfituesit e Programit të Granteve për NMVM është një ditor dhe do të jetë i hapur deri në ora 18:00.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …