Mijëra qytetarë iu kanë bashkuar veteranëve të UÇK-së, të cilët kanë organizuar dhe kanë mbajtur një protestë kundër arrestimit, në Francë, të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, Komandant i Zonës Operative të Dukagjinit gjatë luftës së UÇK-së. Marshi protestues me moton “Ramush Haradinaj është Kosova” është organizuar nga veteranët dhe është përkrahur nga AAK-ja Nisma për Kosovën dhe Vetëvendosja. Në protestë, e cila ka përfunduar para ambasadës së Francës, në Lagjen Arbëria në Prishtinë kanë marrë pjesë shumë qytetarë. Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini gjatë marshit protestues i ka dorëzuar Ambasadës franceze kërkesën për lirimin e Haradinajt.
