Në Rahovec filloi festivali i muzikës klasike të talentëve të rinj

Në Rahovec filloi festivali treditor mbarëkombëtar i muzikës klasike të talentëve të rinj, i cili po mbahet për herë të parë, por me tendencë të bëhet tradicional. Festivali e ka karakterin revial, ku marrin pjesë shkollat e muzikës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, ndërkaq festivali me moton ” Do, Re, Mi, Unë dhe ti” organizohet nga shkolla e muzikës ” Faik Sylka ” dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Rahovec.

Drejtori i shkollës së muzikës ” Faik Sylka “, kantautori Naser Dula, duke hapur festivalin thotë se  ky  festival është shumë i rrallë në Kosovë, dhe me këtë duam të tregojmë se Rahoveci e do muzikën edhe klasike. Në këtë festival kemi ftuar të gjitha shkollat e muzikës në Kosovë, por edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia. Festivali jonë është përkrahur miqësisht, ngrohtësisht, nga drejtori për KRS, Gardalin Shtavica, përndryshe kolegu ynë i kitarës, i cili kur ia kam prezantuar idenë e mbajtjes së festivalit, më ka thënë se për të, fëmijët janë pasuria më e madhe e botës. Festivali do të hapet së bashku me një artist shumë të njohur, të cilin e njeh gjithë shqiptaria, e ai është z. Zhani Ciko.

Ky i fundit, duke falënderuar drejtorin Dula, thotë se është shumë e guximshme të organizohet festivali i tillë, kur të kemi parasysh se shkolla e muzikës në Rahovec ekziston vetëm dy vjet, por për një kohë të shkurtër kanë krijuar talent të muzikës klasike, dhe uroj që ky festival të jetë tradicional me përmasa edhe më të mëdha, thotë Ciko.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për KRS në Rahovec, Gardalin Shtavica, pasi përshëndeti mysafirët dhe të gjithë të pranishmit, shprehet se është hera e parë që në komunën e Rahovecit mbahet një festival i një formatit të tillë, ku nxënësit e shkollave të muzikës do të performojnë, duke treguar talentin e tyre në interpretimin e veprave të muzikës klasike. Besoj që ky festival do të jetë edhe stimulim për zhvillimin e talentit të tyre. Uroj që ky festival të jetë i suksesshëm dhe tani e tutje do të jetë tradicional.

Në ditën e parë janë paraqitur shkolla e muzikës ” Faik Sylka” nga Rahoveci, shkolla e muzikës nga Tirana, shkolla e muzikës ” Lorenc Antoni” nga Prizreni , dhe ajo nga qyteti i Gjilanit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …