Në rigjykimin e rastit penal të organizatës, “Syri i Popullit”, Avni Llumnica, është dënuar 4 vjet e 6 muaj burg

Në rigjykimin e rastit penal të organizatës, “Syri i Popullit”, Avni Llumnica, është dënuar 4 vjet e 6 muaj burg

Në rigjykimin e rastit penal të organizatës së quajtur  “Syri i Popullit” Avni Llumnica është dënuar me 4 vite e gjashtë muaj burgim, kurse Sadri Ramabaja është liruar nga akuza.

Në këtë rast, Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J. Ndërsa, Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, raporton “Betimi për Drejtësi”. Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli. Në seancën e fundit, të mbajtur më 8 nëntor, prokuroria dhe pala e dëmtuar kërkuan dënimin e të akuzuarve me pretendime se të gjitha faktet vërtetojnë se veprat penale janë kryer siç përshkruhen në aktakuzë.

Për këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë, udhëhequr nga kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica dhe gjykatësit Vesel Ismajli dhe Valbona Musliu – Selimaj, kishin marrë aktgjykim me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë. Sadri Ramabaja, M. J., Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, në janar të vitit 2020 ishin shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale.

Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Sipas aktgjykimit, atij do t’i llogaritej edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMË, me targa te huaja.

Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova ishte dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana ishte dënuar me 2 vjet.

Të ndjerit M.J. për shkak të gjendjes së tij, gjykata i kishte shqiptuar atij trajtim të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.

Behxhet Luzha për moslajmërim të veprës penale ishte dënuar me 2 vjet burg.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha ishin dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha ishte refuzuar aktakuza, pasi që prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Por me konstatimet e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila çështjen e kishte kthyer në rigjykim, madje kishte kërkuar që rasti të kthehet nga shqyrtimi fillestar për shkak të shkeljeve të paevitueshme.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se “çështja penale kthehet në rivendosje për t’u proceduar nga shqyrtimi fillestarë dhe pas rregullimit të aktit akuzues”.  Ky aktvendim kishte bërë që Prokuroria Speciale të paraqes pas disa muajve një aktakuzë të re dhe me shumë ndryshime.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …