Sot në Shqipëri përkujtohet Dita e Dëshmorëve të Kombit. Ceremonia zyrtare e homazheve do të zhvillohet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste, zyrtarë të shtetit dhe politikës do të vendosin kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”. Pritet që sot paradite, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të vizitohen nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërkohë që edhe strukturat e larta të opozitës me në krye Lulzim Bashën pritet të kryejnë homazhe për nder të dëshmorëve.
Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur nga fashistët u vra, Qemal Stafa, i ri komunist e aktivist i luftës Anti Fashiste Nacional Çlirimtare.
Të përkujtojmë se pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Me një vendim të qeverisë Meksi, ende i pa publikuar, iu hoqën përfitimet familjeve të dëshmorëve.
Në vitin 2 mijë, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8 mijë e 607, datë 27 prill, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.