Në Shtime mbahet punëtoria kushtuar Draft-Planit të Veprimit për Zhvillimin e Mësimit Tërëditor

Nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Shtime dhe organizatës “BalkanSunflowers Kosova” (BSFK), në restorantin “Natyra”, u mbajt punëtoria kushtuar Draft-Planit të Veprimit për Zhvillimin e Mësimit Tërëditor. Hpjen e kësaj punëtorie e bëri drejtori i Arsimit në komunën e Shtimes, Hajrullah Ademaj, i cili fillimisht tregoi për sukseset e arritura nga zhvillimi i mësimit tërëditor prej vitit 2014. Në vazhdim ai bëri të ditur angazhimet e DKA-së në hartimin e draft-dokumentit të Veprimit për Zhvillimin e Mësimit Tërëditor duke inkorporuar në te dobitë që sjellë ky plan si dhe sfidat e implementimit të tij nëpër shkolla.

Ndërsa në vazhdim, për Draft-Planin në fjalë foli edhe Lulzim Sahiti, udhëheqës i Sektorit të Arsimit, i cili tha se qëllimi i këtij Plani të Veprimit për Zhvillimin e Mësimit Tërëditor është të paraqitet mënyra më e mirë lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e mësimit tërëditor në komunën e Shtimes duke i inkorporuar nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe stafin udhëheqës të shkollës. “Pasi mësimi tërëditor, në përgjithësi është një praktikë e re në shkollat publike të arsimit parauniversitar në Kosovë, ku fillet i ka në Shtime, është konsideruar e nevojshme nga DKA të bëhet ky draft-plan lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi edukativo-arsimor duke marrë për bazë mënyrën e zhvillimit të mësimit gjithëditor në rajon dhe në disa vende të Bashkimit Evropian”, tha Sahiti. Ndërkaq, nga Samir Shahini, koordinator i BSFK-së u prezantua Plani PACE, i cili shfrytëzohet nga Qendra Mësimore në Shtime dhe shkolla tjera në Kosovë.

Mandej, punëtoria filloi punën nën udhëheqjen e fasilitatorit (lehtësuesit) Petrit Tahiri, i cili prezantoi shkurtimisht Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017 – 2021, të miratuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës. Ai njoftoi të pranishmit se Draft-Plani i Veprimit për Zhvillimin e Mësimit Tërëditor do të plotësohet me këtë punëtori konform PSAK-së dhe Kornizës Bërthamë Korrikulare, e cila pritet të implementohet gjatë vitit të ardhshëm në të gjitha shkollat. Mandej, tha ai ky plan do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Komunës së Shtimes, në fund të dhjetorit, me qëllim që të jetë i gatshëm për implementim në gjysmëvjetorin e dytë shkollor.

Në sesionin e paradites në këtë punëtori kontributet e veta pjesëmarrësit i dhanë për përparësitë dhe dobësitë e mësimit tërëditor, kurse në sesionin e pasdrekes, pjesëmarrësit u fokusuan për mundësit dhe rreziqet që mund të dalin gjatë implementimit të mësimit gjithëditor.

Për zhvillimin e kësaj punëtorie kontribut të veçantë në mbështetje të këtij projekti ka dhënë “BalkanSunflowers Kosova”, i udhëhequr nga drejtori i saj, Muhamet Arifi, pastaj Samir Shahini, koordinator i BSFK-së dhe Jasmina Hysaj, koordinatore e Qendrës Mësimore në Shtime. Ndërkaq kontribut të çmuar në hartimin e Draft-Planit të Veprimit për Zhvillimin e Mësimit Tërëditor kanë dhënë DKA, Këshilli Drejtues i Shkollës së Mesme të Ulët “Emin Duraku” (VI – IX), Këshilli Drejtues i Shkollës Fillore “Emin Duraku” (I-V) dhe Shërbimi Pedakogjiko-Psikologjik i Komunës së Shtimes.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …