Në spitalin e përgjithshëm të Vushtrrisë, është përuruar hapësira e re prej 400 metra katrorë, me 5 dhoma shtesë për pacientë (15 shtretër), recepcioni, hapësira të nevojshme për mjekë e infermierë. Sipërfaqja e ndërtuar ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për Repartin (ekzistues) e Kirurgjisë. Gjithashtu janë krijuar mundësitë edhe pritet që të funksionalizohet edhe Reparti i Urologjisë. Me këtë rast, ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se qytetarët e Vushtrrisë tani nuk do të kenë më nevojë që për disa shërbime të shkojnë nëpër qytetet e tjera.
“68 mijë banorët e Vushtrrisë, deri më sot është dashur që të udhëtojnë për në Prishtinë apo spitalet tjera për shërbimet urologjike. Shpejt, ata nuk do të kenë nevojë ta bëjnë më këtë. Sot përuruam investimin e ri në Spitalin e Përgjithshëm të këtij qyteti, me 5 dhoma shtesë, 15 shtretër më shumë, recepsion të ri, në një sipërfaqe prej 400 metra katrorë, me ndihmën e “Gjysmëhënës së Kuqe””, ka thënë ministri Ismaili. Ai ka shtuar se investimet e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk do të ndalen për Vushtrrinë dhe qytetet tjera në Kosovë për të bërë spitalet edhe më moderne dhe të qasshme për pacientët.