Në stadiumin e Drenasit do të investohen 1.87 milion euro

Në kuadër të vizitës që ka zhvilluar Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në rajonin e Drenicës, ka qëndruar edhe në Komunën e Drenasit, ku u takua me kryetarin Ramiz Lladrovci. Të dy diskutuan për projektet e përbashkëta që po implementohen dhe janë në plan për të ardhmen, në fushat e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë. Me theks u bisedua për stadiumin kombëtar dhe fazën në të cilën ka arritur ky projekt i rëndësisë kombëtare. Në këtë takim u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes MKRS-së dhe Komunës së Drenasit, për ndërtimin e stadiumit të Drenasit, ku MKRS-ja do të investojë 1 milion e 500 mijë euro ndërsa komuna do të investojë 370 mijë euro. Implementimi i projektit, në bazë të memorandumit, parashihet të realizohet në tri faza, respektivisht gjatë viteve 2018, 2019 dhe 2020. Në vitin 2018, MKRS ndan mjete për projektin në fjalë në vlerë prej 300 mijë euro, ndërsa Komuna 120 mijë; në vitin 2019, MKRS ndan 400 mijë euro e Komuna 150 mijë, dhe në fazën e fundit në vitin 2020 MKRS ndan 800 mijë ndërkaq Komuna 100 mijë euro. Ministri Gashi tha se me nënshkrimin e memorandumit mundësohet fillimi i ndërtimit të stadiumit të Drenasit që ai të jetë një arenë sportive e standardeve ndërkombëtare që do të vihet në shërbim të futbollistëve dhe futbolldashësve të Drenasit. Ministri ka vlerësuar se me Komunën e Drenasit por edhe komunat tjera të Kosovës MKRS-ja ka një komunikim dhe koordinim të rregullt dhe në bazë të planifikimit buxhetor ministria mundohet të jetë e pranishme me investimet e saj në projekte të shumta.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …