Dita e diel e 4 dhjetorit 2016, bëri që të moshuar shqiptarë, studiues dhe aktivistë, të marrin pjesë në promovimin e librit “Kujtesa kolektive: dëshmi dhe ngjarje (1944-1966)” të autorëve Memli Krasniqi, Hysen Matoshi, Nuridin Ahmeti, Sonila Boçi, Ledia Dushku dhe Shpend Avdiu, të botuar në Prishtinë nga Instituti Albanologjik.
Në hapjen e këtij promovimi, Blerim Halili, në emër të Institutit Kosovar për Studime Sociale “Gnosis” dhe Nismës për Afirmim të Mendimit (NAM), shprehu rëndësinë dhe interesimin që Gnosis e NAM ndajnë ndaj shkencës e librit të historisë dhe rëndësinë që ka ky libër e ky promovim për lexuesin shqiptar. Ndër të tjera, ai tha se këtë promovim e bën më karakteristik pjesëmarrja e katër studiuesve nga Instituti Albanologjik, pjesëmarrja e disa protagonistëve të moshuar të intervistuar gjatë shkrimit të librit; fakti se libri së pari po promovohet në Stamboll, qytet ky i cili zë vend të rëndësishëm në kujtesën historike shqiptare, e veçanërisht atë të shekullit të kaluar. Në kumtesën e tij, Prof. Dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik, u fokusua në botimet, punën, organizimet (konferenca, simpoziume), punimet shkencore në vende të ndryshme, hulumtimet në terren dhe sfidat me te cilat ballafaqohet ky Institut si buxhetimi i projekteve, dixhitalizimi i arkivës, zhvillimi i projekteve kulturore me vende tjera, etj.
Ai vlerësoi lart përurimin e librit të ri dhe falënderoi Gnosis-in dhe NAM-in për organizimin dhe ftesën, e po ashtu Universitetin Shehir dhe institucionet tjera që kanë përkrahur realizimin e projekteve të dobishme shkencore. Dr. Sadik Mehmeti, në cilësinë e recensentit të librit tha se periudha që trajton libri është një ndër periudhat më të ndjeshme për kombin tonë ndërsa theksoi se qëllimi ka qenë argumentimi shkencor i kësaj të kaluare. Libri ka 7 kapituj ku trajtohet aneksimi i Kosovës nga Serbia, tortura ndaj shqiptarëve dhe largimi i tyre në Turqi dhe përmban intervista me shqiptarë që kanë përjetuar ngjarje tragjike të asaj periudhe.
Dr. Memli Krasniqi, bashkëautor, foli mbi motivet e shkrimit të këtij libri dhe ndau detaje nga të dhënat dhe përfundimet që kanë nxjerrë gjatë realizimit të këtij botimi. Ai përshkroi disa fakte nga koha e Rankoviqit, nga aksioni i mbledhjes së armëve, shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, etj. Ndërsa Dr. Nuridin Ahmeti tregoi mbi subjektet pjesëmarrëse në këtë projekt hulumtimi duke thënë se të intervistuarit i përkasin niveleve të ndryshme socio-ekonomike, përkatësive të ndryshme fetare, vendbanimeve dhe moshave të ndryshme, në mënyrë që të hedhim dritë mbi të vërtetat që përshkuan atë periudhë për shqiptarët. Momenti më emocionues ishte ai kur Nijazi Straja, më i moshuari i këtij takimi, ish i burgosur politik dhe bashkëveprimtar i Adem Demaçit, dhe njëherësh i intervistuar në librin e ri, nuk mundi t’i ndalë lotët kur kujtoi historinë dhe ndau kujtime mbi atë që kanë përjetuar shqiptarët dhe ai me shokë në veçanti gjatë asaj periudhe dhe shpërnguljen e tij në Turqi në fillimin e viteve ’50.
Në fund, autorët dhe botuesit i dhuruan libra mysafirëve të pranishëm dhe disa personaliteteve që përshëndetën këtë promovim. Kështu me biseda dhe diskutime të ndryshme përfundoi ky takim që ngjalli interesim të madh për temën në fjalë dhe për librin e ri./Gnosis dhe NAM.