Të mërkurën, më 23 qershor 2021, në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) u mbajt tryeza “Edukimi, gurë-themel i avancimit shoqëror”, me rastin e Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian.
Rektori, prof. ass. dr. Artan Nimani, panelistëve dhe të ftuarve tjerë iu shprehi mirëseardhje në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe në fjalën hyrëse fillimisht i uroi për Ditën Memoriale të Komunitetit Egjiptian. Ai i përgëzoi përfaqësuesit e komunitetit egjiptian për bashkëpunimin në organizmin e përbashkët të kësaj tryeze, më qëllim të diskutimit të temës “Edukimi, gurë-themel i avancimit shoqëror”. Po ashtu, foli për mbështetjen e vazhdueshme për studentët e komunitetit egjiptian që studiojnë në UFAGJ, tha se të arriturat janë rezultat i punës ekipore.
Pjesë e panelit të tryezës ishin, z. Fridon Lala, deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës, i cili trajtoi temën “Edukimi i komuniteteve në Republikën e Kosovës”, për “Politikat qeveritare për arsimin e komuniteteve në Republikën e Kosovës” foli znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, duke vazhduar me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, ku diskutoi për “Mbështetjen institucionale në fushën e arsimit”. Nga organizata jo-qeveritare foli z. Berat Thaqi, drejtor i Bethany Christian Services Kosovo, i cili trajtoi çështjen e “Rëndësisë së përfshirjes në edukimin e hershëm” dhe në përfundim për “Sfidat dhe përparësitë e dixhitalizimit të arsimit” foli Antigona Uka, drejtoreshë e Qendrës Kosovare të Mësimit në Distancë.
Në fund, u hap diskutimi për pjesëmarrësit tjerë, të cilët shtruan pyetje në drejtim të panelistëve, kryesisht për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti egjiptian në shoqërinë tonë. Paneli dhanë përgjigjet në lidhje me pyetjet dhe përfunduan se duhet angazhim i përbashkët që të arrihen rezultate konkrete me interes të veçantë për komunitetin.