Na ndau jeta nga aktivitetet e përbashkëta, Jakup. Ty të ndau edhe nga familja, të afërmit, veprimtarët, bashkëluftëtarët, përveç atyre me të cilët je në burg, ndërsa mua kësaj radhe, në vend të burgut, ku do të ndihesha shumë herë më mirë, më gozhdoi sëmundja e pashërueshme, por ende nuk po jepem.
Ky është Viti i Ri i katërt, që po e kalon ngujuar në burgun e Hagës. 11 të tjerë i ke kaluar nëpër burgjet e ish-RSFJ-së. Kurdoherë i pathyeshëm, kurdoherë i pamposhtur, para padrejtësive që na kanë përcjellë dhe po na përcjellin, sepse ende shumica shqiptare vazhdon të jetë e ndarë dhe e përçarë, vazhdon luftën për pushtet dhe dominim kundër njëri-tjetrit dhe nuk e ka hallin e çlirimtarëve, për më tepër po i diskriminon invalidët e veteranët dhe forcat e vërteta e të dëshmuara atdhetare.
Disa nga shokët Tuaj të kohës së veprimtarisë atdhetare e të burgjeve, nuk janë më ata që ishin. Nuk e di a të kanë kujtuar ndonjëherë publikisht, sepse ata janë në një burg tjetër, ku u ndalohet qoftë edhe përmendja e emrit Tuaj, të Hashimit, Kadriut, Rexhepit e të tjerëve. Dallimi i madh është se Juve u ka paraburgosur një Gjykatë ndërkombëtare, në radhë të parë për qëllime politike, ndërsa këta janë vetë-burgosur duke iu nënshtruar për tokë “prijësit”, të cilit tash po i thonë edhe “baba” edhe ai është më i ri në moshë se këta.
Shoqata e të Burgosurve Politikë, i njeh si të burgosur vetëm ata që janë rreshtuar pas Albin Zaim Kurtit, andaj edhe në emër të kësaj shoqate nuk u ka vizituar askush deri tani, me sa di unë. Ndonjëri prej tyre edhe do të kishte ardhur, po të ishte sa për ty, kuptohet sa për sy e faqe, por pengesë janë të tjerët, sidomos Hashim Thaçi e Kadri Veseli që nuk guxojnë t’ iu përmendin as emrat, ndoshta ndonjëri edhe guxon, por ja që nuk iu ka dhënë rasti për këto tri katër vjet.
Mua më vjen mirë që u vizitojnë familjarët, të afërmit, “u vizitojnë” me mendje e zemër edhe shumë nga ata që nuk mund ta vijnë atje këtë fizikisht. Po u vizitojnë edhe nga ata, që katër vjet më parë, tërë entuziazëm, veshur me e urrejtje e shpirtligësi i brohoritnin Gjykatës Speciale “Urraaaa! O burrani, po vjen Epopeja e Gjykatës Speciale!!!, si Ad. Ke. Bl. Fe e jo pak të tjerë. Një tjerë nga ky rod thoshte hapur: Hajde? Shkoni në Hagë, çka po pritni?. Tani është Epopeja jonë…
Kam dëgjuar se Sharl De Golli i Francës, gjatë luftës dhe okupimit në Algjeri, kishte porositur zyrtarët e sigurimit, që kur të kryenin burgun ata, që kishin mbajtur shumë vite, njerëzit e zbulimit të shkonin nëpër shtëpitë e algjerianëve dhe të hulumtonin sesi i prisnin të vetët, rrethi i tyre i të njohurve. Pas një kohe, shumë prej tyre kishin paraqitur raportet dhe kishin konstatuar se ata priteshin me shumë respekt, që të gjithë, pa dallim, të rinj apo të moshuar. Kur të liruarit nga burgu hynin në dhomë, të gjithë ngiheshin në këmbë. Askush nuk fliste para tyre. Të gjithë përshëndeteshin për dore e disa edhe përqafoheshin mes veti… De Golli kishte mbledhë oficerët, politikanët dhe u kishte thënë, se respekti që po tregonte populli i Algjerisë, për ata që po kthehen nga burgjet, në jep të kuptojmë se ka ardhur koha të tërhiqemi përgjithmonë nga ai vend. Ata janë lidhë njëri me tjetrin, si mishi me thoin… po e duan dhe po e respektojnë njëri tjetrin, dhe tani paska ardhur koha e tyre…
Jo rastësisht në traditën tonë është ruajtur dhe është transmetuar brez pas brezi, Legjenda e Urës, apo e Kështjellës së Rozafës. Në themel të çdo Godine Kombëtare kemi fijuar më të dashurit, më të dhembshurit, më të pafajshmit, sepse ashtu kanë kërkuar dhe kërkojnë zotat, mujsharët, faraonët, neronët, madje edhe do mini-neronë, sepse ashtu kërkojnë inkuizitorët, xhelozët, shqipfolësit kolaboracionistë, ashtu sot kërkon Gjykata Speciale kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje një zonjë plakë e saj, mundohet të na bind se nuk po u gjykuaka lufta çlirimtare, pavarësisht se është prangosur kreu i saj, i akuzuar për ndërmarrje kriminale….
Jakup, shëndet e jetë të gjatë, gjithnjë me shpresë e besim se, “e drejta mënon por nuk harron!
Ahmet Qeriqi
31. 12. 2023
Shtime