Në zgjedhjet parlamentaret të 3 prillit në Serbi partitë politike të shqiptarëve në Kosovën Lindore nuk do të hyjnë me listë të përbashkët, edhe pse deri më 15 mars ata kanë kohë që të unifikohen, nëse arrihet ndonjë ndërmjetësim nga Prishtina apo nga Tirana.
PVD, PD dhe LPD do të garojnë të prirë nga Ragmi Mustafa e Shaip Kamberi, ndërsa koalicioni tjetër, Alternativa për Ndryshim dhe Lëvizja për Reformë do të drejtohet nga Sami Salihu e Shqiprim Arifi. Për të arritur një marrëveshje të tillë kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, Belgzim Kamberi, thotë se duhet ndihmë nga jashtë. “Për Qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë thirrja ime është që duhet t’i ulin të dyja blloqet dhe të flasin me ta. Jo vetëm për të bërë një listë të përbashkët në kuptimin e përbërjes, por në bashkërendim me ta për ta bërë një strategji se si duhet të sillën deputet në parlament në raport me pushtetin e Vuciqit pas 3 prillit”, deklaroi Kamberi.