Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price ka thënë se Amerika bashkë me partnerët e Bashkimit Evropian, pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre, pas vizitave të pesëshes diplomatike në Prishtinë dhe Beograd sa i përket propozimit evropian. Ai ka folur edhe për themelimin e Asociacionit dhe ka kërkuar kthimin e serbëve në institucione. Në një konferencë për media, Price ka thënë se emisari, Gabriel Escobar, bashkë me përfaqësuesit e lartë nga BE-ja, Franca, Gjermania dhe Italia kanë qenë një mision të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd për ta diskutuar propozimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Pesë diplomatët kanë folur për mundësitë që Kosova e Serbia kanë nga propozimi si dhe e kanë vënë theksin te urgjenca për progres të shpejtë. Ai ka thënë se SHBA dhe BE presin nga Kosova e Serbia që t’i marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, ka nënvizuar diplomati amerikan.