Numri i madh i lëndëve të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës, vazhdon të jetë një problem, të cilin sistemi i drejtësisë nuk po mund ta tejkalojë për vite të tëra. Autoritetet kompetente thonë se problem për këtë çështje, paraqet mungesa e llogaridhënies dhe papërgjegjësia e gjyqtarëve. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se gjyqtarët në gjykata të caktuara nuk e kanë përmbushur normën e lëndëve, të cilat është dashur të përfundojnë, andaj, sipas tij, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë i madh. “Janë dikur rreth 400 mijë lëndë. Prej tyre 200 mijë janë për kundërvajtje. Diku i bie që rreth 200 mijë lëndë janë penale, civile dhe të çështjeve tjera”, tha Idrizi.
