1968

Nehat Selimi: Disa nga rrethanat shoqëroro-historike që ndikuan në zhvillimin e demonstratave të vitit 1968

Mbarimi i luftës së dytë botërore përkundër ngadhënjimit mbi fashizmin, bëri që padrejtësia historike mbi shqiptarët jo vetëm që nuk u evitua por u thellua edhe më shumë.

Me 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944 në malësi të Gjakovës u mbajt konferenca e Bunjajt e cila përmes një rezolute e sanksonoi të drejtën që Kosova dhe hapësirat shqiptare nën ish-jugosllavi t’ i bashkoheshin Shqipërisë. Mirëpo, krye-xhelati Tito me të marrë informacionin, me lajka dinakëri dhe pabesi kësaj çështje ju përgjigj se do ta vendosim pas mbarimit të luftës me fashizmin.

Atëherë kur Jugosllavia po shkonte jo drejt çlirimit por drejt përfundimit të luftës, regjimi neofashist i Titos në shkurt të vitit 1945 e vendosi administrimin ushtarak në Kosovë, i cili ndikoi në vrasjen masive të shqiptarëve. Gjithashtu ky shtet rrethim kontribuoi edhe në ndryshimin e përbërjes së këshillit nacional-çlirimtar të Kosovës ose thënë ndryshe udhëheqjen e konferencës së Bunjajt, ku shqiptarët u zëvendësuan me krerët shovinistë serb.

Ky ristrukturim i këshillave nacional-çlirimtare për Kosovë e Dukagjin, bëri që Kosova dhe shqiptarët edhe më tej të ngelen padrejtësisht në përbërjen e Jugosllavisë së AVNOJI-t.

Dhuna gjenocidi dhe terrori kundër shqiptarëve ishin gjithmonë të pandalshme dhe sidomos ajo e morri egërsinë e saj të veprimit pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me jugosllavin.

 Në vitin 1951, Aleksandër Rankoviqi vetëm në rrethin e Pejës kishte evidencuar në listat e UDB-së mbi 12.000 shqiptarë vetëm pse ishin blerës dhe lexues të Rilindjes, ani pse ajo ishte organ i Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë.

Terrori më i ashpër kundër shqiptarëve qe dimri i vitit 1955-56 që shënon aksionin për grumbullimin e armëve nga popullata shqiptare. Në ato rrethana shqiptarët rriheshin publikisht dhe në mas për t’i dorëzuar armët që realisht nuk i posedonin. Ky aksion për shqiptarët ishte një paralajmërim brutal që t’i mblidhnin plaçkat dhe të iknin për në Turqi.

Tortura më shumë se fashiste e terroristëve jugosllav u zbeh pas një konflikti në federatën jugosllave ku si pasojë pati përmbysjen e A.  Rankoviqit. Hendikepi që ju krijua Serbisë, për mrekulli u shfrytëzua nga grupet patriotike shqiptare por fatkeqësisht jo edhe nga bandat e politikës.

Te shqiptaret gjithmonë ka dominuar një maksimë shkencore se “sa më i ashpër të jetë reaksioni aq më i fuqishëm është revolucioni”.

Unë si i burgosur politik do të referoja një segment të qëndresës sonë asokohe nën fushatën antishqiptare të  Rankoviqit. Ne u tubuam dhe u betuam akoma në moshë të re që të luftojmë për atdhe dhe Shqipëri. Fillimisht formuam grupe: njëshe dyshe dhe treshe, ku një grup të rinjsh në vitin 1960-61 e themeluam pasi u tubuam në shkollën Bajram Shabani në Kumanovë duke e quajtur, “Ylli i lirisë”.

Me qëllim të ruajtjes së konspiracionit treshen e kryesonte Ismail Selimi, Nehat Selimi dhe Liman Jashari dhe kjo treshe fushë-veprimtarinë e kishte në Kumanovë me rrethinë kurse dyshja ishte në Shkup dhe përbëhej prej Enver Selimi dhe Mustafë Mehmetit nga fshati Rahovicë e Preshevës, me anëtarët Ilmi Avdiu, Njazi Avdiu dhe Seli Rexhepi që këtë të fundit UDB-ja  e mbyti me tortura në burgun e Idrizovës në vitin 1962.

Anëtarët e tjerë si Shaban Mustafa e Sabit Jusufi nga Rahovica të koordinuar nga Nehat Selimi nga Presheva dhe në mbështetje të veprimtarit, Ilaz Ramadani nga fshati Runicë e Kumanovës, dhe Nexhmedin Jashari patën bërë përpjekje, por pa sukses për të organizuar demonstrata në Preshevë dhe në Kumanovë, në vitin 1968. I vetmi sukses qe ngritja e flamurit shqiptar në fshatin, Llopatë të Kumanovës nga Selver Bekteshi. Në marrëveshje me Nehat Selimin dhe Liman Jasharin, Selveri me shokë të tjerë e ka ngritur flamurin në fshatin, Llojan.

Veprimtarët e organizatës “Ylli i lirisë” njëri pas tjetrit u dekonspiruan dhe u arrestuan. Pas torturave të tmerrshme Ismail Selimi u dënua me tre vite burg të rëndë,  Nehat Selimi me tre vite burgi të rëndë Ilmi Avdiu me 2 vite, Liman Jashari me 1 vit dhe Njazi Avdiu me 2 vite burg të rëndë. Kurse të dënuarit në Shkup ishin:  Enver Selimi me 5 vite burg të rëndë, kurse Mustafë Mehmeti 4 vite mbrojtje në liri.

Edhe pse këto arrestime për nga kohëzgjatja ishin më të vogla se ato që do të pasonin pas vitit 1981, megjithatë ato ndodhën në atë periudhë që simboli i rezistencës shqiptare Adem Demaçi e ka quajtur zezona, periudhë kjo më e errët e diskriminimit. Pra ishin këto veprimtari do të thosha ndoshta jo aq masive por që i hapën shtigjet për përmbysje të mëdha historike sepse u pasuan nga demonstratat e vitit 1968 që nxorën në veprim ngritjen e flamurit shqiptar, themelimin e universitetit të Prishtinës dhe shkëmbimin kulturor Kosovë-Shqipëri dhe të gjitha këto së bashku e prodhuan standardin e gjuhës së njësuar shqipe në Kongresin Drejtshkrimit në vitin 1972, në Tiranë, duke vazhduar mandej me shënimin e 100 vjetorin e lidhjes shqiptare të Prizrenit me demonstratat e vitit 1981 e deri te lufta titanike për jetë a vdekje e UÇK-së.

Sot në këtë 50 vjetor të kësaj ngjarje të shënuar do të jemi të lumtur që sado pak të kemi pasur guxim për të kontribuar dhe vullnet për t’i shërbyer nderit dhe krenarisë së Shqipërisë Etnike.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …