Gjykata Speciale në Beograd, gjatë ditës së sotme ka marrë në pyetje drejtorin e Policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi. Ai ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë serbe për krim të organizuar dhe nuk ka pranuar të jetë përgjegjës për dëbimin e një familjeje serbe. Në Prokurorinë e Beogradit Thaçi akuzohet ta ketë dëbuar familjen Milivojeviq, më 1 korrik 1999 afër Lipjanit. Ai ka thënë se në atë ditë ka qenë në Fushë – Kosovë. “Në atë kohë, 15 ditë nuk kam qenë aty. Me bashkëshorten time kam qenë në Fushë – Kosovë. Në diçka të tillë kurrë nuk kam marrë pjesë, ka thënë Thaçi duke shtuar se nuk njeh asnjë anëtar të familjes Milivojeviq. Avokati i tij Sead Spahoviq ka thënë për “Blic” se Thaçi është marrë në pyetje 15 ditë pas arrestimit dhe kjo është e palejueshme.