Debati i sotëm mbi prejardhjen e nënës së Skënderbeut, edhe pse një çështje anësore në historinë e Shqipërisë, ka ngjallur interesin dhe reagimin e një pjese të mirë të lexuesit shqiptar, dhe jo pa arsye: ai prek, edhe pse tërthorazi, prejardhjen e heroit kombëtar të shqiptarëve, me të cilin lidhet në një masë të konsiderueshme miti i jonë kombëtar dhe lufta e popullit shqiptar për të mbijetuar në kushtet e jashtëzakonshme të mbi 20 shekujve sundimesh të huaja, romake, bizantine, bullgare, serbe dhe osmane.
Ky debat më shtyu të shpreh mendimin tim modest lidhur me dy çështje që dalin në shkrimet e fundit të z. Nano.
Së pari, lidhur me pikëpamjen e tij se nëna e Skenderbeut ka qënë ose sërbe, ose bullgare, ose maqedone, ndonëse Vojsava, si çdo njeri tjetër, nuk mund të kishte lindur me më shumë se një kombësi. Me një kombësi të katërt, greke, ka dalë në komente këtu në Dita edhe Skenderbeu vetë. Kjo etje për të përvetësuar lavdinë e huaj nuk është as e re dhe as e pashëmbëllt. Pa dashur, ajo na kujton nga Greqia e lashtë pretendimet e disa qyteteve se ishin vendlindja e Homerit. Autori nuk sjell ndonjë fakt të panjohur nga historiografia shqiptare, që do të bënte të nevojshëm rishikimin e pikëpamjes se nëna e Skënderbeut ishte shqiptare. Burimet në të cilat ai mbështetet nuk kanë kurrsesi vlerë dokumentare. Ato nuk janë as dokumente të shkruara nga bashkëkohës, as burime nga dëshmitarë andaj, si të tilla, nuk janë fakte. Le të mos harojmë se edhe dokumentet e kohës mund të jenë të pasakta ose të gabuara, ndaj nuk mund të merren në mënyrë jokritike si fakte.
Është thelbësore të mbahet mënd se çdo pohim për një prejardhje joshqiptare të nënës së Skënderbeut do ta ngarkonte pohuesin me barrën e provës (onus probandi), d.m.th., do të kërkonte prej tij të sjillte prova autentike, të cilat mund të thuhet me siguri që mungojnë, andaj nuk ka si t’i gjejë.
Këtu unë nuk kam ndër mënd të argumentoj të kundërtën e kësaj pikpamje për dy arsye.
Së pari, se më mungon kompetenca e nevojshme,
Së dyti, sepse këtë e kanë bërë më parë historianë të mirë profesionistë të periudhës përkatëse,
Së treti, dhe mbi te gjitha, sepse shtypi dhe media masive dëgjuese-shikuese mund të jetë çdo gjë tjetër, por jo vëndi i duhur për të rishikuar një ide që ka mbizotëruar që nga Rilindja Shqiptare dhe në tërë historiografine tonë kombëtare, që nga Barleti deri në ditët tona.
Në historinë dhe historiografinë e shqiptarëve nuk ka e nuk mund të ketë tabu a tema të ndaluara, as autoritete të paprekshme. Por shtypi joprofessional, mas-media në përgjithësi, nuk është vendi përshtatshëm për hedhjen e ideve që synojnë të rishikojnë çështje, sado jothelbësore që të jenë, të historisë së Shqipërisë. Qysh nga shekulli XVII, me fillimet e shtypit shkencor, idetë a hipotezat e reja paraqiten vetëm në revista të specializuara ku mund t’i nënshtroheshin shqyrtimit dhe vlerësimit kritik të tyre. Andaj sot, në shekullin XXI, një çështje si prejardhja e nënës së Skënderbeut, edhe në qoftë se duhet rishikuar, kjo mund dhe duhet të bëhet vetëm në forumet përkatëse shkencore dhe jo në të përditshmet tona, sado të respektuara të jenë këto.
Duke u përpjekur të shmang ndonjë keqkuptim të mundshëm, po theksoj se vënia në dyshim e prejardhjes shqiptare të nënës së Skënderbeut, nuk prek thelbin e historisë së luftës famëmadhe të shqiptarëve nën udhëheqjen e tij. Edhe nga tekstet më të thjeshta të historisë, lexuesi di se, për arsye politike, ekonomike, ushtarake, kulturore, etj. dinastët në të gjitha vëndet e Europës (Francë, Angli/Britani e Madhe, Gjermani/Austri, Rusi, Turqi, Sërbi, madje dhe Shqipëri, etj.), për shekuj me radhë janë martuar me princesha të huaja. Megjithatë, askush nuk ka vënë në dyshim etnicitetin francez, anglez/britanik, gjerman/austriak, rus, turk, serb, shqiptar, etj. të mbretërve pasardhës. Në vënde ballkanike si Greqia, Bullgaria dhe Rumania, mbretërit kanë qënë me prejardhje dyprindërore të huaj (dhe martoheshin me princesha tw huaja) e parpëseprapë njihen si mbretër të atyre popujve. Sepse etniciteti i një individi nuk është një koncept racial më tepër se sa kulturor, që lidhet jo thjesht me prejardhjen e tij biologjike, por mbi të gjitha me ndjenjën e tij etnike, gjuhën, besimin, doket, moralin, veprimtarinë dhe botën shpirtërore të tij në përgjithësi.
Çështja e dytë që dua të prek, është pohimi i tij, se nuk dihet cilët janë paraardhësit tanë ose, siç shprehet ai “do të na duhet të provojmë që shqiptarët rrjedhin prej ilirëve”.
Ideja se duhet dyshuar në çdo gjë (de omnibus dubitandum) nuk mund të përçmohet. Ajo është një vlerë intelektuale dhe karakteristike e dijetarit. Por dhe ajo ide ose prirje ka kufizimet e saj dhe, nëqoftëse ajo lihet “hergjele”, ose keqpërdoret, mund të kthehet në antivlerë. Dyshime ka pasur e ka edhe sot për thuajse të gjitha teoritë e medha edhe në fushën e shkencave natyrore, të cilat nuk mëtojnë kurrë të prodhojnë të vërteta absolute (dhe kjo i dallon ato nga fetë monoteiste), me gjithë sukseset e jashtëzakonshme të zbatimit të atyre njohurive në jetën e njerëzimit.
Nëqoftëse siguria absolute do të ishte shosha nëpër të cilën do të kalonte tërë historiografia botërore, atëhere vetëm pak gjëra do të mbeteshin mbi të. Sipas një kriteri të tillë absolutist, shpjegimet e pranuara me konsensus për prejardhjen inodeuropiane të popujve të Europës, prejardhjen indoeuropiane të greqishtes së lashtë, për shkakun pse Konstantini i Madh e lëvizi kryeqytetin nga Roma në Byzantium, ose pse shqiptarët i shpëtuan romanizimit, do të konsideroheshin të pabazuara. Po kështu mund të thuhet edhe për shpjegimet e pranuara pwr prejardhjen e grekëve, latinëve, gjermanëve, baltëve, rusëve e sllavëve të Ballkanit, e kështu, me radhë.
Të na thuhet se të gjitha ato shpjegime konsensuale “do të na duhet t’i provojmë”, në rastin më të mirë do të thotë të kalonim nga mbretëria e arsyes drejt asaj të absurdes. Historiografia nuk është as mund të bëhet shkencë e të vërtetave absolute (as të ashtuquajturat shkenca ekzakte nuk e kanë atë privilegj). Kur vjen puna për ngjarje a procese (siç është formimi i popullit shqiptar), që kanë ndodhur në periudha të varfërisë së burimeve si ato të Lashtësisë së vonë dhe heshtjes thuajse absolute të tyre në Mesjetën e hershme, jo vetëm për historinë e shqiptarëve, por edhe për atë të latinëve, grekëve, sllavëve të Ballkanit e thuajse të të gjithë popujve të tjerë të Europës, mund të flitet jo për fakte, por për të vërteta historike që e kapërcejnë pragun e dyshimit të arsyeshëm. Ndryshe nga faktet, të vërtetat historike nuk janë dëshmuar në mënyrë shqisore, as të riprodhohen ose falsifikohen, siç mund të bëhet në shkencat e natyrës.
Historianët arrijnë në përfundime të besueshme duke u bazuar në shqyrtimin kritik dhe interpretimin logjik të të dhënave që kanë në dorë, por fakti që interpretimi në çdo rast është subjektiv bën që dhe përfundimet e arritura të jenë subjektive, veçanërisht për çështje të tilla si prejardhja ilire e shqiptarëve që, të paktën këto dy shekujt e fundit, ka qënë një pëlhurë e kuqe për demat e politikës antishqiptare kudo që janë. Është për këtë arsye, që pikëpamje që kundërshtojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, sidomos në median e vendeve fqinjë, kanë mbirë e do vazhdojnë të mbijnë deri në një të ardhme të parashikueshme. Por, siç dihet, ato pikëpamje kanë mbetur në një nivel kryesisht propagandistik e në rastin më të mirë (Weigand, Selishçev, Georgiev, Schramm) nuk kanë mundur të ngrihen në rangun e një hipoteze rigorozisht shkencore.
Për fat të mirë, përkundrejt këtyrë pikëpamjeve nënshkencore, ne sot kemi një teori të plotë shkencore të prejardhjes ilire të shqiptarëve. Prejardhja ilire e shqiptarëve është një e vërtetë historike, që ka dalë nga shqyrtimi kritik i gjuhës, kulturës dhe historisë së këtij populli nga prijsa botërore të historiografisë dhe gjuhësisë. Themelet e saj u hodhën tre shekuj më parë në të ashtuquajturat “letrat shqiptare” të enciklopedistit, matematikanit dhe filozofit më të madh të kohës, Gottfried Wilhelm Leibniz, për t’u ngritur, mbështetur, zgjeruar e pasuruar më vonë në studimet e historianëve dhe gjuhëtarëve më të mëdhenj të kohës, Thunmann, Niebuhr, Bopp, Mommsen, Schleicher, Kretschmer, Jokl dhe Eqrem Çabej. (Dita)