Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se vendi ka pësuar zhvillime të mëdha gjatë 25 viteve të fundit, por ka degraduar ndjeshëm nën udhëheqjen e fundit. Kosova nuk po qeveriset, por vetëm po administrohet nga një njeri i vetëm, duke iu referuar Kurtit. Ai kritikoi kryeministrin për prishjen e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe për udhëtimet e tij të gjata jashtë vendit, të cilat sipas tij, kanë qenë pa protokoll dhe pa ndonjë sukses të dukshëm. “Albin Kurti do të futet në librin e Guinness-it si kryeministri i vetëm kosovar që qëndroi në SHBA për 19 ditë pa asnjë vizitë protokolare,” tha Haziri. Ai shtoi se vizitat e Kurtit jashtë vendit, përfshirë ato në Athinë dhe Belfast, kanë qenë të shtrenjta dhe pa rezultate konkrete, duke lënë vendin në një gjendje të bllokuar administrativisht gjatë mungesës së tij.
