Me rastin e shënimit të 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit dhe intelektualit të shquar, Dr. Xhelal Mitrovica, nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, ka pritur familjarët e tij.
Gjatë këtij takimi nënkryetari Kamberi fillimisht ka falënderuar profesorin Fazli Hajrizi i cili ka qenë edhe iniciatorë i organizimit të manifestimit për 100 vjetorin e lindjes së Dr. Xhelal Mitrovica, dhe gatishmërinë e treguar nga ekzekutivi për të mbështetur iniciativa të tilla në promovimin e patriotëve dhe atdhetarëve shqiptarë.
Këtë takim me pjesëmarrje e nderuan edhe vajzat e Dr.Xhelal Mitrovicës dhe djali Dervishi, i cili ndonëse me vite larg atdheut, tregoi se si babai i tyre i ka rritur me tradita shqiptare dhe se në shtëpinë e tyre zakonet e tradita shqiptare asnjëherë nuk kanë munguar.
Ndonëse të emocionuara , me një shqipe te pastër e cila tingëllonte shumë bukur, vajza Lolita ka falënderuar Komunën e Mitrovicës dhe përpjekjet për të larguar pluhurin i cili ka mbuluar veprat dhe idealin e shumë veprimtarëve shqiptarë, andaj tani ka ardhur koha që të shpalosen meritat dhe kontributi i tyre i cili duhet të jetë edhe udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
Ndërsa nënkryetari Kamberi ka shtuar që ne si institucione dhe si komunë kemi për obligim që gjeneratave të reja, t’u shpalosim folklorin tone kombëtarë, njerëzit vullnetmirë dhe personalitetet e shquara të çështjes kombëtare.