Nënkryetari Lushtaku po qëndron në një vizitë zyrtare në Kroaci

Nënkryetari i komunës së Skenderajt, Gjenerali Sami Lushtaku, po qëndron në një vizitë zyrtare në Kroaci, ku gjatë ditës ka zhvilluar takime në qytetin e Vukovarit si dhe ka vizituar disa nga vendet që janë simbol i luftës dhe përkujtimit të saj në këtë qytet. “Në Vukovar të Kroacisë, në kryeqendrën kroate të luftës së viteve 1991-1995, qyteti i rezistencës së fortë kroate, i cili u shkatërrua pothuajse plotësisht gjatë luftës në ish-Jugosllavi, një fat ky i ngjashëm me qytetin e Skenderajt. Bashkë me deputeten Ganimete Musliu, me bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë si dhe me kryetarin e Unionit të Shqiptarëve në Kroaci, Esad Çollaku, u pritën ngrohtësisht nga kryetari i Komunës së Vukovarit, Ivan Penava, me të cilin biseduan për historinë tonë të përbashkët të luftës, e veçmas për mirënjohjen e thellë kroate për vullnetarët shqiptarë që luftuan këtu. Biseduan për rimëkëmbjen tonë pas luftës si dhe për bashkëpunimin i cili sapo të përfundojnë procedurat ligjore, do të konkretizohet me binjakëzim në mes të Skenderajt dhe Vukovarit, i cili do të rrisë bashkëpunimin dhe zhvillimin e dy vendeve. Së bashku vazhduan në Kompleksin e Dëshmorëve dhe të Rënëve të Vukovarit, ku bënë homazhe në nderim të sakrificës së mijëra kroatëve të rënë, në mesin e të cilëve edhe 6 vullnetarë shqiptarë. Vizituan edhe Kullën e Rezistencës së Vukovarit, ku gjatë luftës dy ushtarë kroatë çdo mbrëmje ngrisnin flamurin në krye të kullës, për të simbolizuar luftën dhe rezistencën e Vukovarit, e cila pas lufte u shndërrua në simbol të qëndresës së pathyer kroate. Nënkryetari Lushtaku e ka falënderuar kryetarit Penava për pritjen dhe bashkëpunimin si dhe Unionit të Shqiptarëve në Kroaci për angazhimin e tyre për vendlindjen.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …