Nënkryetari i komunës Fatmir Rashiti, në takimin e mbajtur me drejtorët e drejtorive komunale ka kërkuar angazhim të shtuar. Ai u ka bërë të ditur drejtorëve se përkundër faktit që është koha kur shumë zyrtarë komunalë janë në pushim vjetor, shërbimet për qytetarët nuk guxojnë të neglizhohen, sidomos për bashkëatdhetarët të cilët në këtë kohë pushimi kanë nevojë për dokumente. Gjithashtu ka kërkuar nga drejtorët që të përcjellin vijueshmërinë e zyrtarëve në punë dhe respektimin e orarit të punës.
Drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban, Kadastër dhe Gjeodezi, Mehdi Salihu ka bërë të ditur se është duke vazhduar realizimi i projekteve sipas planifikimit. Ai ka veçuar fillimin e asfaltimit të rrugëve në fshatin Rashincë dhe të një pjese të rrugës që lidh Carralevën me Rancën.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Hajrullah Ademaj ka njoftuar se kjo drejtori është e angazhuar në mbajtjen e intervistave për mësimdhënësit, të cilët kanë aplikuar sipas konkursit të shpallur për vitin shkollor 2016/2017.
Në vazhdim, për aktivitetet që po zhvillohen, kanë raportuar edhe drejtorët tjerë të drejtorive komunale, Fatmire Ferati (Drejtoria për Kulturë), për Drejtorinë e Administratës, Ekrem Reçica, për Drejtorinë e Shëndetësisë, Musa Baftiu, për Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Sherif Sherifi, për Zyrën e Personelit, Aziz Sylejmani, për Zyrën e Finanacave, Jetush Rrafshi dhe për Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim, Ibrahim Demiri.