Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe ministrja e Mbrojtjes së Italisë, znj. Elisabetta Trena, në mjediset e Qeverisë të Republikës së Kosovës, sot nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtës të Republikës së Italisë. Në aktin solemn, të pranishëm ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rraham Rama, ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Italisë, Elisabetta Trena dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.
Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Italisë parasheh bashkëpunimin e dyanshëm në fushën e trajnimeve, arsimimit dhe edukimit, shkëmbimit të përvojave në rrugën e integrimeve euroatlantike etj. Ministren e Mbrojtjes të Italisë, znj. Elisabetta Trena së bashku me delegacionin që ajo udhëhiqte, i priti kryeministri Haradinaj. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ministri i FSK-së z. Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe zëvendësministri Burim Ramadani. Me këtë rast, kryeministri Haradinaj e njoftoi ministren Trenta për zhvillimet e fundit politike në vend, përmirësimin e situatës së sigurisë, ndërtimin e raporteve të mira me fqinjët dhe për të arriturat e Kosovës në ndërtimin e një sistemi të mirë në sundimin e rendit dhe ligjit. Gjithashtu kryeministri Haradinaj shprehu përkushtimin për bashkëpunim të mëtejmë me Italinë, duke kërkuar mbështetjen e ministres Trenta në proceset e rëndësishme për vendin, me theks të veçantë për tranzicionin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Elisabetta Trenta, vlerësoi të arriturat në të gjitha fushat me rëndësi për vendin, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të Italisë në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
Kryeministri Haradinaj, po ashtu mori pjesë edhe në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Italisë.