Tri luftërat tona çlirimtare, përveç kthesave shoqërore, kombëtare e politike, një kthesë me rëndësi e kanë ushtruar edhe në krijimtarinë artistike, në të gjitha segmentet e saj shprehëse.
Gjatë këtyre 21 viteve ka dalë në sipërfaqe një literaturë e tërë për luftën, për dëshmorët e martirët, për vrasjet e masakrat serbe në Kosovë, Kosovë Lindore në trojet shqiptare të Maqedonisë dhe Malit të Zi, madje edhe në Sanxhak.
Lufta e UÇK-së ka lënë dhe po lë gjurmë në të gjitha zhanret e krijimtarisë, në poezi, prozë, roman, publicistikë, në studime të ndryshme, monografi për dëshmorët, në artin figurativ, e mbi të gjitha në këngë. Deri tanë vetëm në Kosovë janë krijuar mijëra këngë për dëshmorët e martirët. Janë qindra këngëtarë, madje ndër më të njohurit që kanë kënduar e këndojnë këngët e tyre më të përkushtuara për dëshmorët. Në mesin e tyre ka edhe luftëtarë-këngëtarë, madje edhe shumë të njohur, të cilët edhe gjatë luftës, në kohën e pakët të pushimit kanë marrë në duar çiftelinë dhe iu kanë kënduar bashkëluftëtarëve edhe vëllezërve të tyre. Në luftën e UÇK-së kanë rënë dëshmorë e martirë edhe shumë emra të njohur si këngëtarë, në mesin e tyre edhe Beqir Gashi, Mujë Krasniqi, Muhamet Malësori, Bejtë Rexhepi Shaqë Avdia, Feriz Krasniqi e të tjerë.
Në mesin e luftëtarëve të lirisë, shquhet edhe këngëtari, Zenel Zekolli, profesor, veteran e invalid i luftës, vëlla i dëshmorit, Bislim Zekolli
Zeneli ka lindur në Bllacë të Therandës, një fshat i vjetër shqiptar, i cili del i shënuar në të gjitha dokumentet e kohës që nga lashtësia ilire e dardane, në mesjetë e deri në ditët tona. Veçmas është njohur në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me mobilizimin e vullnetarëve në përpjekje për të ndalur dyndjen e sërishme të barbarisë serbe pas vitit 1877, kur nga humbja e Perandorisë Osmane në Plevne, filloi lufta e popujve sllavë për copëtimin e trojeve shqiptare, vrasjen masakrimin dhe dëbimin masiv të shqiptarëve prej krahinës së Nishit, Toplicës drejt Kosovës e Turqisë. Në betejat për ndalimin e dhunës serbe kanë marrë pjesë shumë formacione vullnetarësh nga të gjitha viset e Kosovës. Janë të njohur formacionet vullnetare të Anadrinit si ato Dan Zatriqit, Imer Hoxha i Bellanicës, vullnetarëve të Bllacës e fshatrave të tjera.
Më vonë pas pushtimit serb të Kosovës, në vitin 1912, filloi terrori masiv kundër shqiptarëve. Asokohe, Ramë Bllaca, duke qenë deputet në Parlamentin e Serbisë, u ngrit hapur kundër planit për shfarosjen kolektive të shqiptarëve dhe dëbimin e tyre të dhunshëm, për në Turqi. Me qëllim për ta parandaluar shpërnguljen ai kishte ndërtuar një kull të madhe në trojet e tij, për ta parë krejt Ana e Drinit dhe për t’u bindur të mos shpërngulen, derisa deputeti, Ramë Bllaca, kishte ndërtuar shtëpinë e re për veten dhe familjen e tij.
Ishte një veprim domethënës, i cili ndaloi shpërnguljen masive në këto anë më shumë se të gjitha tubimet, që bëheshim me qëllim të ndalimit të atij procesi gjenocidal.
Në këtë fshat historik ka lindur edhe një rapsod i njohur, Rizah Bllaca ndër më të njohurit e kohës, i cili i kishte kënduar në radhë të parë heroizmit shqiptar, qëndresën e luftëtarëve të lirisë, por edhe këngë të tjera lirike e epike.
Ndikimi i këngës së tij ishte i paevitueshëm për këngëtarët e kohës.
Në këtë fshat ka lindur, është rritur, është edukuar dhe i ka marrë hapat e parë në jetë, Zenel Zekolli, vëlla i dëshmorit të kombit, Bislim Zekolli me familjen e tij të ngushtë e të gjerë. Bllaca në luftën e UÇK-së ka shënuar faqe të shumta të heroizmit dhe tërë kjo ka ushtruar ndikim edhe te këngëtari i luftës së UÇK-së.
Zeneli, ka kënduar edhe gjatë luftës, madje ka kënduar edhe duke qenë i plagosur, sepse përkushtimi për luftë deri në fitore, ishte alfa dhe omega e çdo luftëtari të përkushtuar të lirisë. Pushka dhe kënga, kurdoherë ka qenë binomi shqiptar i qëndresës dhe i mbijetesës, sepse kënga është frymëzim, ajo tregon vitalitet, vullnet për të jetuar dhe për t’i gëzuar të mirat e favoret që i ka jeta njerëzore. Po përmes këngëve ruhen edhe shembujt e shumtë të kujtesës së popullit për ngjarje të ndryshme. Kënga ushtron një fuqi të jashtëzakonshme mobilizuese edhe në kohë të luftës, ku ajo shpërthen si forcë bashkimi rreth një ideje, bën thirrje për qëndresë duke sjellë në kujtesë rrëfimet e trimave dhe duke sjellë shembuj të rënieve të tyre heroike.
Kënga e Zenel Zekolli ka disa karakteristike të veçanta të këndimit. Përveç talentit, zërit melodik, përkushtimit për këngën, krijimin e teksteve për to, është edhe interpret i zellshëm dhe ka një kujdes të veçantë të shqiptimit të drejtë të fjalëve, madje një këndim edhe në gjuhën letrare shqipe, e cila ngitet mbi të folmen krahinore, që nuk e lëndon këngën por nuk komunikon njëjtë, gjuhësisht, me dëgjuesin shqiptar në të gjitha trojet etnike.
Zeneli i del zot këngës. E këndon atë shtuar, e modelon sipas zërit, përmbajtjes, melodisë, e akordon me notat karakteristike muzikore dhe i jep jetë duke e kënduar me përkushtim, me të gjitha elementet e shprehjes, ritmit, gradacionit, zërit melodik, të përcjellë edhe me vegla karakteristike muzikore, përgjithësisht me një orkestrimi artistik të niveli profesional.
Ky këngëtar ka qasje serioze ndaj këngëve që i këndon, por edhe i begaton ato me një zë karakteristik të këngës së Anadarinit, nga atje “ku vjen haberi se top me top na vjen sheqeri”.
Kënga e Përdrinit, Anadrinit apo e “Podrimes”, ka veçanti dalluese me këngën e Dukagjinit apo të Drenicës. Ajo ruan në vetvete edhe simbiozën e këndimit malësor të Malësisë së Sharit por edhe të Lumës. Si e tillë, kënga e Zenel Zekolli e kënduar mjaft me sukses në duet edhe me Enver Lezin, por edhe me këngëtarë të tjerë, sjellë risi në një frymë të re të këndimit, ku janë përzier stilet, të cilat kanë krijuar një rrjedhë të vetën, ashtu si degët e lumenjve kur bashkohen në gurgullimat e tyre, sikur Drini i Bardhë bashkë me Drinin e Zi që përshkojnë luginat e alpeve shqiptare. Përderisa kënga e malësisë së Opojes, Prizrenit e përreth maleve të Sharit bën tutje nga jugu, në të kundërtën e rrjedhës së Drinit të Zi, këngët e Anadrinit shtrihen më shumë në drejtim të këngëve të Dukagjinit, të cilat po ashtu ruajnë dhe restaurojnë veçantitë e veta.
Ky këngëtar i lirisë së Kosovës, në repertorin e këngëve të tij disponon këngë të të gjitha motiveve, por ato më të dashurat janë këngët për bashkëluftëtarët, këngët e dëshmorëve, këngët e trimërisë, por edhe këngë popullore, këngët e dashurisë e të motiveve të tjera, por jo tallava, jo këngë sa për publik dhe sa për të kënduar, ashtu sikur bëjnë jo pak këngëtarë të afirmuar edhe atëherë kur vlera konstante e këngëve të tyre është këngë për këngë, për aheng e dëfrim, për treg.
Kujdesi që kanë treguar dhe po tregojnë kjo “Brigadë” e këngëtarëve në Kosovë, Iliridë dhe kudo ndër shqiptarë, është një si “besëlidhje” këngëtarësh idealistë, të cilët po i kundërvihen tallavasë, këngëve të prodhimit ta themi “industrial”, që anashkalon specifikat dhe mbështetet kryesisht në konsum ditor dhe reklamues, duke degjeneruar në një zhurmë bombastike ku dominon tam-tami i lodrës dhe instrumenteve kumbuese dhe ku zëri i këngëtarit nuk dëgjohet fare.
Zenel Zekolli me përkujdesjen intelektuale dhe arsimore që ka treguar dhe po tregon për këngën burimore shqipe, është në rrugë të emancipimit të shkollës origjinale, autentike muzikore dhe në këtë drejtim po këndon lirshëm dhe me vetëbesim drejt maturimit. Jam i sigurt se ai do të japë rezultate të jashtëzakonshme, sepse di si t’ i qaset këngës, këndimit dhe ekzekutimit të saj, duke ruajtur veçantitë dhe duke i inkorporuar ato në të përgjithshmen, në këngën shqipe, këngën e mallit, të lirisë e dashurisë, këngën shqiptare që e ka ruajtur identitetin artistik e shpirtëror të kombit.
Ahmet Qeriqi
Mars 2020