Tani kur po bëhen përpjekje për formimin e koalicionit të ri qeveritar, Albin Kurti e Vjosa Osmani, kanë biseduar sa për sy e faqe me ish-kandidatët për kryetar e kryeqeveritar, që dolën nga zgjedhjet e 14 shkurtit, jo për të kërkuar ndonjë mbështetje apo bashkëqeverisje, por thjesht për t’ iu kujtuar, se epoka e tyre, epoka e komandantëve të luftës ka marrë fund, edhe pse kjo mbetet për t’ u parë, por kurrë për t’ u bindur paraprakisht.
Ftesës së dy krerëve të ardhshëm të institucioneve të Kosovës, iu ka përgjigjur edhe Ramush Haradinaj, si gjithnjë pa komplekse, pa inate e vija të kuqe, edhe pse i vetëdijshëm për pozitën e palakmueshme në zgjedhjet e fundit.
Kryetari i AAK-së në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, kishte paraqitur kandidaturën e tij për kryetar të Kosovës, i bindur se do të fitonte të paktën njëherë më shumë deputetë, sesa ka fituar aktualisht dhe duke besuar se është kandidati më serioz për postin e kryetarit të Shtetit, në këtë periudhë plot me sfida për të ardhmen e vendit.
Ramush Haradinaj është ndër më meritorët e luftës së UÇK-së, çlirimit dhe ndërtimit të vendit, por kjo as është çmuar as pritet të çmohet edhe për një kohë në vendin tonë, sepse luftën për liri e kanë përkrahur dhe kanë marrë pjesë në të, vetëm rreth 15, apo 20 për qind të qytetarëve tanë. Kjo pjesë militante e kombit e ka bërë historinë më të re të Kosovës, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari dhe ushtarët e eprorët e UÇK-së. Mund të spekulojmë pa fakte se luftën e UÇK-së e kanë simpatizuar edhe 20 për qind e atyre që kanë ikur nga vendi gjatë kohës së luftës, për të shpëtuar kokat e veta dhe të familjeve të tyre. Por me asnjë fakt, me asnjë shifër, qoftë edhe paradoksale nuk mund të vërtetohet e të dëshmohet se luftën e UÇK-së e ka mbështetur tërë populli, apo shumica dërrmuese, sepse kjo nuk ka ndodhur, andaj edhe ndodh kështu sikur ndodhi në zgjedhjet e fundit dhe jo vetëm në këto të fundit.
Ramush Haradinaj me krejt luftëtarët e lirisë, invalidë, veteranë, familjarë dëshmorësh, simpatizantë, ka marrë pak më shumë se 60. 000 vota, pesë herë më pak sesa ka marrë, Vjosa Raif Osmani, e vetme, apo aq vota sa ka marrë një deputet i Albin Kurtit, një njeri që as ka qenë në luftë, as i ka interesuar fare ajo, as i ka munguar një qime floku nga regjimi i Milosheviqit, përkundrazi…
Duhet kujtuar këtu faktin se në zgjedhjet e delegatëve të Krahinës së Kosovës e Metohisë pas mbarimit të luftës së Dytë Botërore, edhe më shumë vota sesa ka marrë sot Vjosa, kishte marrë “komshia” i babait të saj, Ali Shukria dhe shumë të tjerë si ai dhe ata. Andaj nuk duhet të habitemi lidhur me “pagabueshmërinë” e popullit. Ndërsa ata që kishin luftuar kundër ripushtimit serb të Kosovës, ishin pushkatuar me gjyq e pa gjyq, ishin dënuar prej një deri në 20 vjet, burg dhe familjet e tyre i kishin katandisur në mënyrën më çnjerëzore.
Nuk është pa vend të kujtohet me këtë rast edhe një fakt i palavdishëm i historisë sonë “lavdiplote” pasi për Marshall Titon kanë votuar hiq më pak se 8o për qind e shqiptarëve të Kosovës, gjatë tërë kohës së sundimit të tij, kur Adem Demaçi me përkrahësit e tij ndodheshin në burgjet e Jugosllavisë, duke kërkuar drejtësi, barazi e liri.
Duhet ta sjellim në kujtesë edhe rastin e pas vdekjes së Titos, në qershor të vitit 1980, kohën kur disa qindra mijëra shqiptarë jo vetëm nga Kosova, kanë bërë pelegrinazh te varri i tij, në Dedinje, për afër një vit duke kryer një “haxhillëk komunist” dhe pikërisht në atë Dedinje, ku Milosheviqi kishte hapur varrezën më masive për shqiptarët që i kishte vrarë e kidnapuar makineria e tij e krimit gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.
Tani aktualisht, 21 vjet pas luftës nuk kemi të bëjmë me krahasime, që kanë për bazë meritat dhe gjakun e derdhur për liri, por me “njerëzit e lirë të botës së re”, të cilët e duan Kosovën për ta qeverisur vetë, duke e “çliruar” atë me fuqinë e votës, duke e “çliruar” nga komandantët e luftës, të cilët e kishin çliruar vendin nga regjimi kriminal e barbar serb, me tytën e armëve dhe gjakun e derdhur rrëke për liri.
“Populli politik ka dalë në Referendum” dhe ia ka dhënë votën “krijuesve të botës së re”, të cilët nuk pyesin për meritat e qytetarëve të vendit tonë para dhe gjatë luftës, por për meritat pas çlirimit të vendit, për sakrificat nëpër protesta e demonstrata kundër protektorëve të huaj, por edhe kundër institucioneve të vendit.
Pjesës së popullit që ia ka falë besimin, Albin Zaim Kurtit e Vjosa Raif osmanit, nuk iu bën përshtypje fakti kur Ramush Haradinaj me plagë në trup, në maj të vitit 1997 kishte ngarkuar mbi supe trupin e vëllait, Luanit, i rënë nën breshërinë e armëve serbe, në luftë kundër forcave vrastare të Milosheviqit, në përpjekje për ta kaluar kufirin dhe për të sjellë në Kosovë, armë municion dhe luftëtarë.
Pjesës së popullit që ia ka falë besimin, Albin Zaim Kurtit e Vjosa Raif osmanit, nuk iu bën përshtypje lufta e Ramush Haradinajt në Zonën e Dukagjinit, pavarësisht se ai mbartur mbi supe pjesën më të rëndë të luftës së UÇK-së, as iu ka bërë përshtypje rënia e vëllait tjetër dëshmor gjatë luftës, Shkëlzen Haradinaj, as vrasja mizore e vëllait tjetër, Enverit, pas luftës, as rënia e martirizimi i sa familjarëve dhe të afërmeve të tij, çlirimtarë të Kosovës, as lufta e pandërprerë e vëllait tjetër, Daut Haradinaj dhe e Haradinajve e më gjerë. Meritat e Ramush Haradinajt në luftë për çlirimin e Kosovës, janë të pamatshme. Vetëm një ditë, nga 500 ditët e luftës së komandant Ramushit e bashkëluftëtarët e tij, ka më shumë vlerë sesa aktiviteti politik i një kandidati që ka fituar qindra e mijëra vota në zgjedhjet e fundit.
Po ja që tani pas çlirimit të Kosovës nga robëria gati njëshekullore e Serbisë, ka rënë shumë poshtë çmimi i lirisë së vendit.
Disa madje edhe qeshin e i përbuzin meritat e gjakun e derdhur për liri.
Disa të tjerë mohojnë deri edhe ekzistencën e luftës çlirimtare.
Disa fyejnë dhe e shajnë atë përditë nëpër medie mercenare, gazeta e portale, që janë mbetje ideologjike e gazetarisë titiste e rankoviçiste.
Ky popull votues kurrë nuk ia fali besimin, Adem Demaçit, nëse ka qenë ndonjëherë fjala për mëritë, qëndresë, dinjitet, burrëri, trimëri, sakrificë, besnikëri ndaj kombit e atdheut, dituri, kulturë, emancipim kombëtar e human e mbi të gjitha njerëzi e humanizëm.
Populli që ka votuar Albin Zaim Kurtin dhe Vjosa Raif Osmanin nuk mund të fajësohet pse u ka dhënë votat të zgjedhurve të vet, nëse nuk ka qenë i manipuluar dhe na mbetet të besojmë se shumica e këtij populli votues, nuk ka qenë e manipuluar. Andaj nuk ka pse na mbetet hatri, pse kjo pjesë e 20 përqindëshit nga populli afër dy milionë, kësaj radhe nuk iu ka falur më shumë besim: Ramush Haradinajt, Enver Hoxhajt, Fatmir Limajt.
Ky “populli tjetër”, pakicë politike, që identifikohet me luftën, ose nga ata që nuk kanë marrë pjesë në luftë, por e kanë përkrahur atë, e di më së miri pse nuk ua dha besimin komandantëve.
Deri diku këtë e dinë edhe vetë komandantët.
Ata nuk treguan me vepër se e duan sa duhet njëri tjetrin, andaj edhe i ndëshkoi me votë populli votues i UÇK-së. Po të ishin bërë bashkë, ashtu sikur në luftën e UÇK-së, sot do të kishin numëruar të paktën 30 apo 35 deputetë, në mos më shumë.
Populli që i harron apo i anashkalon meritat e sakrificat e çlirimtarëve është i gjykuar të mësojë sërish pjesë nga historia e pamësuar, nga historia e pa mbajtur mend.
“Mos na rafte ta provojmë”, por po na ra, do të na përsëritet e njëjta. Çlirimtarët sërish do t’ i rrokin armët, ikanakët me makinat e tyre, tani nëpër rrugët e asfaltuara nga qeveritë e komandantëve, sakaq do të marshojnë për në Stankovec, në Shkup, në Kukës, në Tiranë e gjithandej nëpër qytet e Evropës e të botës.
Dhe sërish do të na shajnë e do të na fyejnë se ua kemi prishur rehatinë… Pastaj sapo të kthehen nga “ferri” që kanë përjetuar gjatë ikjes do të kërkojnë të na qeverisin.
Këta trima që shohin ëndrra trimërie në pikë të ditës, mendojnë se Kosova është krijuar vetëm që ata ta qeverisin, sepse qenkan të “pa korruptuar” edhe pse qindra prej tyre i kanë bërë të ditura pasuritë milionëshe, të fituara me “djersën e ballit” dhe jo si komandantët që i paskëshin fituar, pa djersë.
Meritat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të shënohen ne faqet më të ndritura të historisë së Kosovës dhe të kombit në përgjithësi, pavarësisht përpjekjeve të jo pak mohuesve shqipfolës e shqipshkrues, për ta përbaltur e për ta deformuar këtë luftë, vetëm sepse ata nuk kanë marrë pjesë në të, por e paskan kërkuar çlirimin në mënyrë paqësore, pa u prishur me fqinjët e me përkrahësit e tyre.
Ahmet Qeriqi
16. 3. 2021