Sesa i rrezikshëm dhe perfid për të ardhmen e Kosovës është plani i Ahtisarit, kjo u zbulua edhe nga i ashtuquajturi ministër i Beogradit për Kosovën, Samarxhiq, i cili duke komentuar mundësinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka deklaruar se me rastin e një veprimi të tillë organet serbe do të vazhdojë të funksionojnë në Kosovë, ashtu sikur po funksionojnë edhe aktualisht. Ky qeveritar serb ka nënvizuar se në një rast të tillë, nën administrimin e Serbisë do të mbesin komunat serbe, të cilat janë ndarë në procesin e decentralizimit dhe vendbanimet në të cilat jetojnë serbet, po ashtu edhe joshqiptarët, të cilët, sipas tij, presin ndihmë nga Serbia. Gjithnjë duke komentuar të ardhmen e enklavave serbe tashmë të unifikuara në vendin tonë, Samarxhiq ka deklaruar për mediet e Beogradit se në Kosovë do të ruhet trashëgimia kulturore dhe kisha ortodokse serbe, të cilat tashmë i ka siguruar dhe i ka garantuar plani i Ahtisarit, ndërsa i ka pranuar edhe Grupi i Unitetit, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Serbia, ka të gjitha planet rezervë dhe do të veprojë sipas kushteve dhe rrethanave të caktuara, ka deklaruar me këtë rast serbi Samarxhiq.
Anëtarët e Ekipit të Unitetit, nuk e kanë komentuar këtë qëndrim “rezervë” të Qeverisë së Beogradit, meqë as nuk kanë çka komentojnë, duke qenë se janë vetë ata, të mbështetur nga Qeveria dhe Kuvendi, të cilët kanë pranuar planin e Ahtisarit, duke mos e kushtëzuar pavarësinë me mos-ndarjen dhe mos-tjetërsimin e territoreve të vendit.
Është e vërtetë se plani i Ahtisarit parasheh që Kosova të trajtohet si një entitet unik, por askund nuk sanksionohet ndarja e territoreve, nuk sanksionohet as mbikëqyrja dhe administrimi i Beogradit në këto territore.
Plani i Ahtisarit mbetet 90 për qind në favor të entitetit serb, kjo madje është thënë edhe decidivisht nga vetë hartuesi i këtij plani.
Pikërisht duke pranuar këtë plan kryeparët tanë kanë gëlltitur karremin nga i cili nuk mund të lirohen vetë, sepse kanë pranuar krijimin e komunave të reja serbe, kanë pranuar eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse, kanë pranuar që serbët të kenë lidhje horizontale mes komunave dhe lidhje vertikale me Beogradin, kanë pranuar që Qeveria e Beogradit të administrojë politikisht dhe ekonomikisht në këto enklava, të cilat do të konsiderohen si entitet i veçantë politik, ekonomik dhe administrativ, ashtu sikur Republika serbe e Bosnjës.
Pranimi i këtyre konditave të planit të Ahtisarit nga Ekipi i Unitetit, asokohe shpallej si një “fitore” më shumë, madje shprehur me gjuhën tifoze të zhargoneve të Lutfi Hazirit, komentohej rezultati i fitores: 8 me 2 për palën “kosovare” sa herë që Ekipi kthehej “fitimtar” nga bisedimet me Ekipin e Beogradit. Mbi këto “fitore” të Ekipit negociator të Prishtinës është ndërtuar rezerva e artë e Beogradit, nëse pranohet pavarësia e Kosovës, qoftë edhe njëanshëm nga shtete të caktuara të Evropës apo të botës.
Tash kur “po i hiqet peta lakrorit”po shihet mirëfilli se në ç’ humnerë e ka katandisur çështjen e Kosovë kreu i papërgjegjshëm politik.
Pranimi pa asnjë rezervë dhe pa kundërshtime i planit të Ahisarit, madje pranimi i versionit më të keq të këtij plani, i cili ndodhi në fund fare, pas presionit ndërkombëtar, u bënë dhe u pranuan hapur kompromiset, që kishte bërë Grupi i Unitetit, me ç rast parashihej edhe shpërbërja totale e TMK-së. Ky version i pranuar pa rezervë nga ekipi negociator i Prishtinë, nga Grupi i Unitetit, Qeveria dhe Kuvendi, ka qenë një lëshim i pafalshëm historik në dëm të interesave tona kombëtare në përgjithësi dhe në dëm të Kosovës në veçanti.
Pala serbe, e cila kundërshtoi dhe nuk e pranoi, as e pranon zyrtarisht planin e Ahtisarit si tërësi, në fund do të pranojë përmbajtjen dhe implementimin e atij plani, si opsion rezervë, nëse bindet se nuk do të mund ta mbajë edhe më tej tërë territorin e Kosovës nën kolonizim dhe hegjemonizëm, gjithnjë me ndihmën e Kremlinit dhe të qarqeve evropiane antishqiptare.
Ky është rezultati i fitoreve të njëpasnjëshme të ekipit të Prishtinës në bisedime me Beogradin me “rezultatin gjithnjë 8 me 2” për palën “kosovare”. Dhe, kanë sy e faqe këta njerëz, që sërish ta kërkojnë votën e popullit. Dhe ka fytyrë e faqe ndonjë zgjedhës shqiptar që sërish t’ ua japë besimin këtyre njerëzve, jo vetëm të paditur, por edhe të papërgjegjshëm, përjetësisht të lakueshëm, të adaptueshëm në çdo situatë dhe të nënshtruar deri në çoroditje.
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …