Policisa

Nëse Policia nuk i ofron garanci kreut të UÇK-së, në Hagë, ajo nuk është Polici e Kosovës, por e koalicionit qeveritar

Mosinteresimi i Qeverisë dhe i Presidencës për të ofruar garanci për kreun e luftës, mund të komentohet në shumë mënyra, kur dihet mirë urrejtja e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit,  sidomos kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Kjo urrejtje në kushte dhe rrethana në cilat ndodhet Kosova,  është një morbiditet i llojit të vet, sepse kemi të bëjmë me krerët e luftës, me çlirimtarët e Kosovës, me deklaruesit e shpallësit e Pavarësisë së Kosovës, me personalitetet më të dëshmuara të kombit, të cilët  ranë pre e konikuturave politike antishqiptare të Dodik Martinoviqit, dhe qarqeve por ruse e pro serbe, në instancat më të larta organizative të Evropës, BE-së, Parlamenti Evropian e strukturave  të tjera.

Në pjesën e parë të tetorit, Gjykatësi i Procedurës paraprake, në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou.  kishte urdhëruar Policinë e Kosovës të njoftojë se a mund të garantojë lirimin e përkohshëm të të akuzuarve në Hagë: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.  Pavarësisht  faktit se shkresa është përkthyer më 13 tetor,  Policia ende nuk i ka kthyer përgjigje gjyqtarit Nicolas Guillou. Ky lajm  është konfirmuar edhe nga Gjykata Speciale.

Policisë së Kosovës iu kishin  dhënë dy javë kohë nga njoftimi i përkthimit në shqip të Urdhrit për t’iu përgjigjur gjyqtarit të procedurës paraprake.  Pas publikimit të këtij lajmi,  Policia e Kosovës nuk është përgjigjur në interesimin e RTK-së rreth kësaj çështje.

Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, në Komisionin Parlamentar për Siguri ka thënë se ne kemi pasur kërkesë nga avokatët, dhe jemi përgjigjur se kemi kapacitete për secilin vendim. Për Gjykatën Special iu lus të na kurseni neve, dhe ta pyetni Gjykatën”, kishte thënë Mehmeti në mbledhjen e 12 tetorit. Mirëpo për  avokatët në Kosovë, Policia është e obliguar të japë sqarime për gjykatësin e Speciales.

Në Ligjin për Gjykatën Speciale parashihet se të gjitha institucionet në Kosovë, përfshirë edhe Policinë, janë të obligueshme t’i përgjigjen Gjykatës,  ka thënë avokati, Skënder Musa. Madje, dhe nëse nuk ka përgjigje nga Policia, atëherë mund të merren edhe masa të tjera.

Policia thekson se “është në gjendje të zbatojë në të gjitha aspektet në praktikë urdhrat ose kërkesat nga Gjykata Speciale, nëse një gjë e tillë kërkohet nga Drejtoria e Policisë së Kosovës”. “Pjesë e detyrave dhe e funksionimit tonë të rregullt, është mbikëqyrja e implementimit të kushteve të vendosura për lirimin e përkohshëm të personave të akuzuar, në pritje të procesit gjyqësor”, përfundon përgjigja e tyre.

Juristi dhe njohësi i çështjeve politike, Përparim Gruda, i pyetur se sa mund të ofrojë siguri Policia e Kosovës ka deklaruar se Policia  mund të ofrojë garancion për lirimin më kusht të të akuzuarve. Se kjo është kështu e vërteton edhe vendimi i Panelit të Gjykatës së Apelit ditë më parë, kur vendosi lidhur me apelet e mbrojtjes së Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kundër vendimeve të gjykatësit të procedurës paraprake për rishikimin e mbajtjes së tyre në paraburgim. Në atë vendim, ky panel konstatoi se gjykatësi i procedurës paraprake kishte bërë shkelje kur nuk e kishte marrë në vlerësim garancionin e Policisë së Kosovës me rastin e marrjes së vendimit për vazhdim të paraburgimit për të akuzuarit”, ka saktësuar avokati,  Përparim Gruda.

Opinioni liri bërës dhe liridashës në Kosovë e më gjerë kërkon të dijë pse Drejtoria e Policisë së Kosovës ende nuk është përgjigjur zyrtarisht dhe publikisht për një kërkesë të tillë, në bazë të detyrave, kompetencave  dhe përgjegjësive që ka?

Zvarritja ngjallë dyshime ndër më të ndryshmet dhe ndikon në kredibilitetin e Policisë së Kosovës, e cila për besimin e qytetarëve tanë radhitet e dyta në sondazhe pas FSK-së, sepse populli me të drejtë mendon se kjo është polici i vendit, e të gjithë qytetarëve dhe jo e partive dhe e koalicioneve qeveritare, edhe pse të gjitha qeveritë jo vetëm njëherë i kanë përzier duart kush më shumë e kush më pak në Policinë e vendit.

Zvarritja, në kohën e fushatës së balotazhit mund të ngjallë edhe dyshime e komentime ndër më të ndryshmet, kur dihet qëndrimi i disa zyrtarëve e partive kundër kreut të luftës dhe përgjithësisht disponimit  të tyre kundër UÇK-së.

Zvarritja, në kohën kur avokatët e të arrestuarve paralajmërojnë se fillimi i gjykimit mundë të shtyhet në afat të pacaktuar për shkak të lëndës voluminoze dhe marrjes në pyetje të më shumë se 300 dëshmitarëve, nuk mund të arsyetohet në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë.

Më 29 tetor, gjatë seancës gjyqësore kundër krerëve të luftës, avokatët e të akuzuarve kanë shfaqur hapur dyshimet e tyre lidhur me vetë themelimin e Gjykatës, në mungesë të fakteve e dëshmive të mjaftueshme.

Zyrën e Prokurorisë së kësaj gjykate e ka kundërshtuar edhe mbrojtja e Kadri Veselit, avokati, Ben Emerson, pasi sikur nënvizon ai, prokuroria nuk ka arritur të gjejë asnjë provë që i mbështet akuzat, andaj po kërkon zgjatje të afatit kohor. “Jam i sigurt që prokuroria do të vazhdojë të mundohet të ju bind juve që këta burra t’i mbajë në burg, nëse nuk do të bëhet diçka ky institucion do të rezultojë një turp, do të rezultojë si një institucion që është i lirë që të arrestojë njerëzit edhe kur nuk e ka idenë se çka do të bëjë me ta, një institucion i cili e gënjen gjykatën, por me gjithë respektin, ju dëgjoni por nga ana tjetër nuk bëni asgjë, nuk thoni asnjë koment dhe nuk kërkoni asnjë lloj shpjegimi lidhur me atë se çfarë premton ose jo ZPS. Gjykata po jep pamjen e një menaxhimi shumë të keq, në veçanti sa u takon individëve të cilët mbahen të ndaluar”, ka thënë Emerson.

Ai ka thënë se prokuroria po përpiqet të nxjerrë diçka nga asgjë sa i përket kësaj çështje paragjyqësore duke shtuar se Gjykata Speciale u themelua për shqyrtimin e disa akuzave janë absurde dhe jo të vërteta.

“Institucioni u cili u themelua për të shqyrtuar këto akuza absurd të cilat ishin të rreme, e dinim që u sajuan nga dëshmitarë të cilët i ka paraqitur zbulimi i fshehtë serb, e dimë me siguri sepse është zbuluar si fakt në gjyqin e Haradinajt… Kjo është baza në bazë të së cilës u themelua ky tribunal dhe askush nuk u habit, që merr vesh sado pak nga konflikti, se prokuroria nuk ka gjetur absolutisht asnjë provë të mbështesë akuzat e saj, me fjalë të tjera, themelet për ngritjen e këtij tribunal kanë qenë të mbështetur në një gënjeshtër, këtë e dimë të gjithë”, ka thënë, Ben Emerson.

Përderisa avokatët, por edhe zyra e Prokurorit të Gjykatës Speciale, nuk kanë një afat të caktuar, madje as përafërsisht se kur mund të fillojë gjykimi, mbajtja në paraburgim, tani duke hyrë në vitin e dytë të qëndrimit në burg të krerëve të UÇK-së, është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre, sepse ata janë të pafajshëm,  krejt derisa të dëshmohet e të vërtetohet ‘fajësia” e tyre. Kështu ishte vepruar nga Prokuroria,  në Hagë,  edhe me akuzat edhe kundër dy krerëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, të cilët  pas dy e tri vjet qëndrimi në paraburgim u shpallën të pafajshëm, në të gjitha pikat e aktakuzave të Prokurorisë së Gjykatës së Hagës.

Mosinteresimi i Qeverisë dhe i Presidencës për të ofruar garanci për kreun e luftës, mund të komentohet në shumë mënyra, kur dihet mirë urrejtja e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit,  sidomos kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Kjo urrejtje në kushte dhe rrethana në cilat ndodhet Kosova është një morbiditet i llojit të vet, sepse kemi të bëjmë me krerët e luftës, me çlirimtarët e Kosovës, me deklaruesit e shpallësit e Pavarësisë së Kosovës, me personalitetet më të dëshmuara të kombit, të cilët  ranë pre e konikuturave politike antishqiptare të Dodik Martinoviqit, dhe qarqeve por ruse e pro serbe, në instancat më të larta organizative të Evropës, BE-së, Parlamenti Evropian e strukturave  të tjera.

 

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

2.11.2021

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës shënon virtualisht Ditën e Demokracisë

Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …