Qeveria e Stambollit dhe Sulltani nuk na lejon pavarësinë e Shqipërisë, nuk na jep liri dhe asnjë të drejtë për të hapur shkolla në gjuhën tonë amtare, shqip, nuk kemi siguri për jetën dhe pasurinë e familjeve tona, paguajmë taksa : vergji e xhelep, na kërkon djemtë tanë për t’i dërguar ushtarë në Anadoll e gjetkë. Të mërzitur e të revoltuar nga këto padrejtësi, kemi dalë në male me pushkë në dorë si kryengritës për të fituar të drejtat tona, lirinë e pavarësinë e mëmëdheut tonë të dashur. Këto janë shkaqet që na detyruan të dalim në male. Vdekje a liri. Duke shpresuar se së shpejti do ta çlirojmë Mëmëdheun tonë nga robëria, iu bëjmë thirrje në emër të 3000 kryengritësve, luftëtarë të betuar për Shqipërinë, që ta ndriçojë Dielli i Lirisë. Kallnor 1907, Çerçiz Topulli, Nga malet e Shqipërisë së jugut.
Pse dhe kush e krijoi Çetën e Çerçiz Topullit ?
Çeta e Çerçiz Topullit u krijua me rastin e krimit të kobshëm, kur bandat greke dhe andartët, me urdhër të Patriarkanës dhe qeverisë greke, vranë Papa Kristo Negovanin, të cilin e masakruan barbarisht, për të vetmen arsye, se Papa Kristo, që emërin e kishte Harallamb, prift ortodoks shqiptar, e donte Shqipërinë dhe shtypte libra kishtare në gjuhën shqipe, në gjuhën e nënës. Me Papa Kriston, andartët grekë vranë dhe vëllain e tij, që të mos kishte kush t’a merrte hakun, vranë dhe shqiptarë të tjerë të Negovanit. Bajo Topulli, në atë kohë, profesor mathematike dhe nëndrejtor në gjimnazin idadije të Selanikut, u indinjua shumë nga dhuna greke dhe iu vu punës për të formuar çetat shqiptare. E për t’u hakmarrur ndaj krimeve të Patriarkanës dhe qeverisë greke, projektoi vrasjen e Fotit, mitropolitit grek të Korçës e Konicës, ku Foti mallëkonte në kishë gjithë ata shqiptarë që guxonin të lexonin, shkruanin, studionin, apo luteshin në gjuhën shqipe. Grekët vranë në Selanik, një vit më parë, shqiptarin patriot, shpirtndriturin Spiro Kosturi, vetëm sepse ai e donte Shqipërinë, atdheun e tij. Bajua, në atë kohë, u tha shqiptarëve : “ Përse i kemi armët e Jataganët ? …Tani është dita “ Bajua, 33 vjeçar, trim e patriot, doli i pari vullnetar në çeta, në male për liri. Mihal Gramenua shkruan se Bajua, bashkë me maturantë të shkollës, nga Manastiri kaloi në zonën e Korçës, i veshur me petka lufte dhe sëbashku me patriotë të tjerë të Korçës, Kolonjës, Përmetit, Pogradecit, Prespës, Devollit, Leskovikut, Gjirokastrës,Labërisë, Delvinës, Çamërisë etj, ngritën çetat për liri, të cilat i treguan turkut dhe grekut se kombi shqiptar nuk ka vdekur, ai është i gjallë dhe po ju përgjigjet me pallë. Bajua me shokët e tij levendë, në fund të marsit 1906 formoi në Korçë e Kolonjë çetat e para kombëtare me luftëtarë që vepronin kryesisht në rrethet e Kolonjës, Korçës, Devollit, Leskovikut e Përmetit. Bajua, thotë Gramenua, përhapi idenë kombëtare dhe ngriti flamurin e lirisë në malet e Shqipërisë. Bajua me shokët e tij krijoi dëgët e komiteteve në Korçë, Kolonjë, Gjirokastër, ai krijoi edhe çetat në Gjirokastër, Labëri, Delvinë, Çamëri etj. Një ndër këto çeta ishte dhe Çeta e Çerçiz Topullit, për të çilën do flasm më poshtë.
Vrasja e Binbashit
Ç’ farë do të thotë Binbash ? Në turqisht bin përkthehet : 1000 dhe bash : përkthehet : koka, kreu ose krye, pra ai që është në krye të 1000 burrave në ushtri me gradë major, post i rëndësishëm në administratën ushtarake osmane.
Çeta e Çerçiz Topullit në shkurt-mars 1908 vazhdoi të qëndronte në Manastirin e Drianos dhe prej andej do të largohej pas disa ditësh, mbasi urdhërat e qeveritarit në Selanik e Manastir, Hilmi Pashës, ishin të rrepta. Ai kërkonte që me çdo kusht të kapej gjallë ose vdekur Çerçiz Topulli. Ky urdhër qarkullonte në të gjitha anët mbasi kryeveziri ose sadrazemi, ose më shqip kryeministri i perandorisë osmane, Ferit Pashë Vlora dhe vetë Porta e Lartë : sulltan Abdylhamiti i dytë, ishin shqetësuar nga aktiviteti i Çerçizit si kryekomit-kryengritës.
Binbashi turk në Gjirokastër, Halil Musa beu, boshnjak, me gradë major, komandant i xhadarmërisë, tregohej nga më aktivët për zbatimin e këtij urdhëri. Me urdhërin e nën drejtimin e tij u bënë arrestime kudo në prefekturën e Gjirokastrës. Koshadhet ( ushtarët e ndjekjes) silleshin me egërsi mbi popullatën e pafajshme për të mos strehuar komitët. Në vëzhgim të përhershëm mbahej familja Topulli, shtëpia e Çerçizit, njerzit e saj. Spiunët ishin shtuar shumë. “ Komiteti për Lirinë e Shqipërisë” i Gjirokastrës, i shqetësuar thellë nga këto masa shtrënguese të xhandarmërisë, dërgon një nga anëtarët e tij, Idriz Gurin, në Manastirin e Drianos, për të takuar Çerçizin. Ai u spjegoi situatën duke u treguar se tridhjet vetë i kishin sjellë të lidhur nga Përmeti e Badlonja si mbështetës e përkrahës të komitëve. Midis tyre ishin dhe i ati dhe i vëllai i Hajredin Tremishtit si dhe një shoku i Çerçizit, Ali Ymer Hoxha, i cili e shoqëroi Çerçizin kur i shkoi Dhespotit të Konicës e Përmetit brenda në kishë. Binbashi kishte dhënë urdhër që, gjithë ata që e ndihmonin dhe e strehonin Çerçizin të lidheshin e burgoseshin. Përpara kësaj gjendjeje Çerçizi dhe çeta e tij vendosën t’i tregonin qeveritarit të Selanikut, Hilmi Pashës dhe binbashit të Gjirokastrës, Halil Musa beut, se në Shqipëri nuk mund të bënin dhe vepronin siç donin ata. Prandaj vendosën vrasjen e binbashit, si shpagim ndaj krimeve të tij, që do të ishte dhe një mësim për Hilmi Pashën, që të kuptonin se cilët ishin shqiptarët. Çerçizi me çetën u zhvendosën nga Manastiri i Drianos dhe në mbrëmje shkuan në pyllin e Driavenës mbi Gjirokastër, për të bërë planin e asgjësimit të binbashit. Ndërkohë Çerçizi, pavarësisht nga mendimi i “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë” i Gjirokastrës, pyeti edhe vëllanë e madh, Kapo Topullin, i cili ishte një njeri me autoritet dhe me një gjykim të thellë. “Nëqoftë se nuk e vrisni ju të çetës … “ do e vras vetë “, u tha ai.
Dy herë vajtën në Gjirokastër Hajredin Tremishti me Asllanin për të vrarë binbashin, por nuk ia “gjetën anën”. Çerçizi përpunoi një plan tjetër, më të sofistikuar, në të cilin, përveç dy atentatorëve kryesorë, do të angazhoheshin në pozicione të caktuara edhe pjesëtarët e tjerë të çetës. Këmbëngulën me të madhe Hito Lekdushi dhe Bajram Ligu, (ky i fundit nga Prongjia), që t’u ngarkohej atyre detyra e atentatit dhe Çerçizi me shokë ranë dakord. Të dy atentatorët prenë leshërat (flokët) e gjata, mjekrat dhe mustaqet, u lanë e u shplanë, u rruan e u veshën tebdil si tregëtarë, për të mos u njohur, provuan revolverët te Balta e Kuqe mbi Dunavat dhe u morën një ditë të tërë duke bredhur lagjeve të Gjirokastrës për “punë tregëtie”. Me këto lëvizje njohën nga afër terrenin ku do kryhej atentati, studiuan lëvizjet e njerëzve dhe shtigjet nga do të largoheshin pas atentatit, pastaj u kthyen në çetë dhe prisnin ditën e goditjes.
Më 9 mars 1908, ditë e hënë, ora 8 fiks u futën në qytet të veshur si qytetarë, ngjiten në lagjen Meçite dhe u futën në lagjen Hazmurat, përballë shtëpisë së binbashit, ku prisnin daljen e tij nga shtëpia. Ndërkohë Hajredini dhe Selfua u futën në qytet nga krahu i atentatorëve, Zemani me Asllanin zunë pozicion në afërsi të kishës së Varoshit për të mbrojtur daljen e atentatorëve mbas atentatit, ndërsa Çerçizi, Mihali, Avduli, Myftari dhe Pirrua zunë Bregun e Teqesë.
Pritej fërshëllima e të shtënave të dy atentatorëve gjakftohtë. Në orën 11 e 15 minuta nagantet e Hitos dhe Bajramit u zbrazën, njëri në gjoksin dhe tjetri në kokën e binbashit, i cili ra i vdekur në vend. Atentati u krye në mënyrë të rrufeshme edhe kundër xhandarit që shoqëronte binbashin, i cili nxorri gjashtoren, që nuk arriti ta përdorte se në moment e plagosën në dorë, për të mos mundur të përdorte armën, ishte shqiptar, për këtë arsye nuk e vranë. Çeta me qëllim çorientimi, qëlloi dritaret e prefekturës për të mbuluar me zjarr shokët e tyre, të cilët zbritën me shpejtësi për t’u bashkuar me shokët. Xhandarët, policët por edhe ushtarët, në panik e nxitim të madh, arritën ta ndjekin çetën në Fushën e Qersave, por u ndodhën para një zjarri të fortë e të parreshtur dhe u detyruan të ndalonin. Kjo luftë me ushtarët zgjati dy orë. Luftëtarët e çetës, mbasi u mblodhën, përqafonin njëri-tjetrin për këtë akt heroik e patriotik. Në mbrëmje çeta e Çerçizit u largua pa asnjë humbje në thellësi të Malit të Gjerë, natën zbritën në Mashkullorë dhe që andej u hodhën në Kardhiq, ku i gjetën banorët e fshatit të gëzuar për vrasjen e binbashit, i cili i kishte torturuar ata dhe e kish plaçkitur zonën e Kardhiqit. Çeta në Kardhiq qëndroi tri ditë. Çerçizi e pa të arsyeshme që të ndaheshin në dy pjesë. Çerçizi qëndroi në Mashkullorë në shtëpinë e Zeman Mashkullorës, anëtar i çetës, me gjashtë shokë, ndërsa Abdul Mersini, vetë i katërt, do të hidhej në tjetër drejtim.
Në Mashkullorë te Rrapi
Prefektura alarmohet dhe Selaudini, prefekti i Gjirokastrës, kërkoi nga Janina forca të reja ushtarake, Mazap, për të asgjësuar çetën e Çerçizit, pasi qyteti rrezikohej të binte në duart e çetës kryengritëse të Çerçiz Topullit. Populli i këndoi kështu : “ Nga Janina vjen Mazapi, Në Mashkullorë te Rrapi”. Te Rrapi në Mashkullorë, Foli Çerçizi me gojë, Turku këtej të mos shkojë, Se i kuq, i bëj me bojë, Mylazim largo taborë, Leri djemtë e mi të shkojnë.
Për të plotësuar nevojat me bukë, duhan, etj, çeta qëndroi në shtëpinë e Myrto Haskës dhe përbëhej nga Çerçizi, Mihali, Hajredini, Asllani, Zemani, (djali i shtëpisë), Hito dhe Myftari. Ishte data 17 mars 1908. I ati i Zemanit, Myrtua, nuk i la të ikin dhe i siguroi se nuk kishin rrezik dhe ata qëndruan për të fjetur. Pa zbardhur dita e 18 marsit, ditë e mërkurë, një mëngjes i ftohtë, gratë e shtëpisë që ishin ngritur herët për punët e tyre, lajmërojnë çetën se kishin parë njerëz që po i afroheshin shtëpisë. Çerçizi ngrihet, hedh sytë nga dritarja, ku dallon një turmë njerzish që po afroheshin në formacion luftimi, por të çrregullt, në drejtim të lagjes tjetër. Në atë çast zgjoi dhe Mihalin dhe kur i pa mirë me dylbi bërtiti : “O burrani shokë, se na rrethoi ushtria!”. Çeta me shpejtësi u vesh, mori pajimet dhe municionet, duke kaluar në kopshte e gardhe të shtëpisë, mori drejtimin për në luginën e rrepeve dhe përroit plot ujë të Kumanatit. Daljen e çetës ushtria turke e zbuloi dhe filloi kundër saj një zjarr të dendur e të përqëndruar nga kodra tjetër. Daljen e çetës e pikasi i pari tradhtari Vehip Xhaferri, që kishte lajmëruar ushtrinë se çeta ndodhej në Mashkullorë. Qëllimi i batalionit turk ishte rrethimi i çetës dhe kapja rrob e saj, e sidomos e kapedan Çerçiz Topullit. Tabori ( batalioni) përbëhej nga rreth 200 vetë, e ndarë në tri kompani dhe komandohej prej oficerit turk Naxhadidin. U dëgjua alarmi dhe thirrja e borisë për luftë. U dëgjuan komandat dhe britmat e para të oficerëve turq… Lufta filloi në orën 5 e 30 minuta. Çeta u fut nëpër rrëketë e përoit poshtë, kur turqit dolën në afërsi të Rrapit shekullor dhe hapën zjarr të dendur nga të dy anët. Çerçizi me shpejtësi së bashku me Asllanin, u futën e zunë muret e haurit të Abaz Çanos dhe hapën zjarr menjëherë kundër armikut. Nga kjo goditje e parë ngelën dy ushtarë turq të vrarë e disa të plagosur, të cilëve u dëgjoheshin ulërimat. Pastaj në haur mbëritën edhe Mihali, Zemani dhe Myftari. Në të dalë të lëndinës së vogël po rendte Hajredin Tremishti të bashkohej me shokët, por nuk mundi të arrinte te hauri. Një plumb në kokë e kishte lënë të vdekur trimin e vogël 18 vjeçar. Gjithë luftëtarët e çetës u pikëlluan kur Mihali u dha lajmin e vrasjes së Hajredinit dhe me urrejtje dhe pa pushim qëllonin mbi armikun, tashmë edhe në shpagim të gjakut të Hajredin Tremishtit. Në librin e tij “Kryengritja shqiptare“ në faqen 77, Mihal Gramenua shkruan : “ Luani, trimi e kapedani ynë Çerçiz Topulli mbledh veten dhe u thotë shokëve : Të rrojë Shqipëria, se edhe ne si Hajredini do të vritemi, por o burrani, shokë, të zëmë vendet dhe të luftojmë burrërisht dhe mos u trëmbni.” Kjo u dha zemër shokëve. Çerçizi, Zemani dhe Myftari zunë vend në qendër të haurit, ndërsa Mihali dhe Asllani, nga pas, u ruanin krahët. Kështu çeta u rrethua plotësisht dhe lufta filloi rregullisht në orën 7.00, luftë e rreptë midis 150-200 vetëve të taborit turk kundrejt 5 vetave, pesë djemve trima të Shqipërisë. Sa për Hito Lekdushin fillimisht nuk dihej gjë, por më vonë u muar vesh që atij një grup ushtarësh i kishin prerë rrugën dhe ai u detyrua të largohej, të çante rrethimin e të dilte lart, në Malin e Gjerë. Armiku, i shoqëruar nga tingujt e trumpetës, disa herë kaloi në sulme, deri në orën 14.00, por ato thyheshin nga zjarri i armëve të pesë luftëtarëve, zjarr i përpiktë, që gjithmonë i shkaktonte të vrarë armikut dhe uli shumë moralin e turqve. “Çerçizi u tregua dragua në këtë luftë, tregon Mihal Gramenua, vetëm në këtë luftë munda të njoh burrërinë dhe trimërinë e tij, ai nuk i trëmbej vdekjes. Dhe Gramenua vazhdon : Zbathur, kollos, me leshrat përpjetë, vërtitej në të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkë në dorë dhe gjashtoren në dhëmbë duke burrëruar neve e duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij këtë ditë ishte më e çelur se kurdoherë.“ Në sulmin e fundit armiku la rreth dhjetë ushtarë të vrarë e shumë të plagusur. Shumë herë e qortoja dhe e këshilloja Çerçizin që të mos nxirrte kryet përjashta kur u fliste ushtarëve turqisht që të hiqeshin e të mos vriteshin, kurse oficerët i ftonte të dilnin në shesh e të luftonin një për një, por ata i përgjigjeshin me dinakëri : „ Jemi bijtë e Skënderbeut dhe nuk jepemi, por do luftojmë gjer në orën e fundit… Shqiptari di të vdesë sipas zakonit me nder…“.
Pas një pushimi, trumpeta i thirri ushtarët me grupe sulmi në luftë, ajo filloi më e rreptë. Ky sulm i fuqishëm i turqve u prit me një zjarr preçiz e të fuqishëm nga ana e çetës. Zjarri i tyre i përpiktë, gjakftohtësia e Çerçizit, manovra nga një poziçion në tjetrin e, sidomos zjarri me gjashtoren e dhjetshen e Çerçizit, e ndalën përsëri sulmin e tyre, duke lënë edhe tre të vrarë e shumë të plagosur. Çeta bëri që armiku të mos përparojë as 10 metra. Armiku, si e pa që edhe ky plan dështoi dhe nuk u solli dobi, i lodhur dhe i drobitur, i lagur nga shiu që vazhdonte të binte, filloi të mashtrojë çetën duke i tërhequr ushtarët e tij nga fronti grupe-grupe, por duke mos e ndalur aspak hapjen e zjarrit.
“ Ah!. Dhe sot e sjell ndërmend tmerrin e madh që ndjeva kur pashë Çerçizin që t’i derdhet gjak prej ballit, shkruan Gramenua. I them : Ç’na bëre, na preve krahët, pse nuk i dëgjon këshillat e mija, po të gënjyen turqit deri sa të plagosën. Ai, duke fshirë gjakun më thotë : Mos u dëshpëro, o Mihal, se nuk jam plagosur, po një ciflë guri më goditi”. Në këto luftime shumë të ashpra u plagos rrëndë Myftar Axhemi nga Gjirokastra, i cili, megjithëse i plagosur dhe plaga i rridhte gjak, mauzerin nuk e lëshoi nga dora. Kur plaga zuri të ftohej, u lutej shokëve që të mos e linin në dorën e armiqve, port a vrisnin vetë !
Komanda e taborit bëri ndërrimin e trupave me forca të freskëta, të cilat hapën zjarr të dendur në drejtim të haurit dhe me disa grupe ushtarësh filluan t’i marrin krahët çetës. Por edhe ata dështuan nga zjarri i fortë e préçis i Zemanit dhe i Mihalit.
Në orën 17.00 turqit, kur e panë se plani i tyre nuk do të realizohej, qëllonin rrallë dhe tërhiqeshin për në fshat. Atje erdhi dhe prefekti i Gjirokastrës (Mytesarifi) me oficerë të ushtrisë e policisë, me mjekë për t’u dhënë ndihmë të plagosurve të shumtë. Luftëtarët e çetës i panë dhe mund t’i kishin vrarë shumë lehtë, por nuk e bënë. Duheshin kursyer forcat dhe municionet për përleshjen e drejtpërdrejtë. Ndërkohë turqit filluan të shtinin përsëri dhe luftëtarët e çetës, mbasi i thirrën që të tërhiqeshin, u detyruan të përgjigjeshin me zjarr, duke lënë edhe tre të vrarë të tjerë. Atje Çerçizi nuk ia fali tradhëtinë edhe spiunit, Vehip Xhaferri, i cili e pagoi tradhëtinë me një plumb në ballë.
Për të nxjerrë çetën nga rrethimi, nga hauri, Çerçizi dërgoi më përpara Zemanin dhe Asllanin, për të gjetur shtigjet se nga do kalonin, nga do të dilnin. Kështu, duke marrë Myftar Axhemin në krahë, kaluan brënda përroit për të humbur gjurmët. Daljen nga rrethimi ua bëri më të favorshme edhe errësira e natës që po binte. Rrugë pa rrugë, mbërritën në kodrat e Dino Çiços, ku u strehuan në kasollen e Shahinit (romit), i cili i priti me bujari e guxim luftëtarët. Ai u tha se të gjithë ju dinë se jeni të vrarë. Atje u çlodhën, pinë cigare dhe hëngrën bukë. Mihali i lidhi plagën Myftarit, e cila nuk ishte e rrezikshme, mbasi plumbi nuk e kish shpuar thellë, por sidoqoftë duhej doktori.
Lufta e Mashkullorës vazhdoi 12 orë dhe i shkaktoi armikut, përveç humbjes nga ana morale e politike, edhe shumë të vrarë, rreth 18 veta dhe shumë të plagosur, disa prej të cilëve, më vonë vdiqën nëpër spitale, kurse nga çeta e Çerçiz Topullit, mbeti i vrarë vetëm Hajredin Tremishti.
Jehona e kësaj lufte u ndje brenda dhe jashtë Shqipërisë, por edhe në Stamboll, që nga qeveritari më i lartë e deri tek Sulltani. Lufta e Mashkullorës shërbeu si një shkëndijë për intensifikimin e mëtejshëm të veprimeve luftarake jo vetëm në Jug por edhe në Veri të Shqipërisë.
Nga kasollja e Shahinit, çeta guxoi dhe kuturisi me rrezik e u fut në Gjirokastër, se veç të tjerash, kishin nevojë edhe për mjekimin e të plagosurit, Myftar Axhemi. Hynë në Gjirokastër, po kush i priste, kush mund t’ua hapte derën. Forcat ushtarake dhe xhandarmëria turke ishin bërë si të tërbuar nga vrasja e binbashit dhe e ushtarëve në Luftën e Mashkullorës. Në shtëpinë e Topullarëve kursesi nuk mund të shkonin, ajo ruhej e përgjohej prej hafijeve. Po kaq e rrezikshme ishte nëse do të trokisnin në portat e farefisit, që ruheshin e përgjoheshin nga turqit e veglat e tyre. “Trokitëm e trokitëm, në shumë dyer, trokitëm edhe te kushërinjtë,shkruan Mihal Grameno, por asnjeri nuk na qaste brënda, se dënoheshin me vdekje e me djegie. Por u gjend një burrë që na futi brenda, Resul Berberi, një burrë i varfër por i mirë, i cili na priti me ato që kishte”. Atje pastaj shkuan motra e Çerçizit, Bakua, me Arzikon, nëna e Myftarit, të cilat u çuan luftëtarëve të ngrëna, opinga, rroba e fishekë. Gëzim i paparë kur i panë të gjallë. Pasi siguruan Myftarin te Sakua dhe ia rekomanduan doktor Dinos për shërim, me t’u ngrysur, luftëtarët u nisën për në Luvinë, në çiflikun e Refik Budos. Atë natë fjetën në Derviçan, në shtëpinë e Thomait, burrë i mirë, një bujk dhe mik i familjes Topulli, i cili i mbajti fshehur dhe ditën e nesërme, e në të ngrysur çeta u nis për në Luvinë, në një pyll afër manastirit. Lidhjet çeta me “Komitetin” e Gjirokastrës i mbante me anë të Hetemit dhe minoritarit trim e patriot, zemërndriturit Polizoi Gjini nga Vanistra, i çili u sillte letra e para nga familja Topulli. Shtëpinë e Polizoi Gjinit Çerçizi e kishte bazë të sigurtë në Vanistër. Djali i tij, Miho Gjini, shok i Jonus Topullit, ishte i vetmi që e dinte vendin e ndodhjes së çetës së Çerçizit. Luftëtarëve të çetës një ndihmë të madhe me ushqime u jepnin patrioti Halim Karagjozi, kushëriri i Topullarajve dhe Refik Budua, nëpërmjet barinjve të tyre, por edhe disa dropullitë, miq të familjes Topulli, të çilët i informonin përgjithçka, sidomos për lëvizjet e ushtrisë turke.
Për të patur një ide për portrein e Çerçiz Topullit, kemi një dëshmi mjaft interesante, që na e jep baronesha gjermane Marie Amelie Frein von Goden në librin e saj me përshtypje udhëtimi “ Nga Shqipëria e re “, botuar në Vjenë më 1914. Baronesha Goden nga fillim-vera e vitit 1908, po udhëtonte me një avullore nga Korfuzi për në Sarandë, me qëllim që të njihej me Shqipërinë dhe shqipëtarët, për të çilët kishte dëgjuar aq shumë. Shoqëruesi i saj, Avni beu, befas i tha në vesh : Qënkeni me fat, në bord po vjen një nga prijësit më të famshëm të çetave shqiptare, Çerçiz Topulli. Ai ka bërë shumë për lëvizjen kombëtare, sidomos për t’u mbrojtur nga sulmet e grekëve. Po të dëshironi, mund t’iu njoh me të. Me kënaqësi iu përgjigj baronesha Goden, e çila e portretizon kështu : “Çerçiz Topulli ishte një burrë vigan dhe i ngjeshur, i shkathët dhe i lehtë, me flokë të gjatë ngjyrë gruri, fytyrë të çelët me tipare burrërore, si në të shumtët e shqiptarëve të jugut, por me vulën e dinjitetit vetjak, të një vullneti të fortë dhe të drejtpërdrejtë, gjë që e bënte këtë burrë të mos e harroje lehtë. Kishte veshur një gunë të murme të shqiptarëve, me një kësulë të qëndisur me gjymysh(argjend), ndërsa në njerën dorë mbante një maliher. Plot mirësjellje ai më uroi mirëseardhjen në atdheun e tij dhe pastaj zuri të bisedojë për çështje politike me shoqëruesin tim, duke treguar të dy të njëjtin nderim dhe mirësjellje prinçërore kundrejt njëri-tjetrit. Pak më vonë, kur zbritëm nga avullorja, dikush thirri : Mirupafshim shkëlqesi ! Mirupafshim baroneshë ! …, Çerçizi, siç kuptohet, ai nuk mund të zbriste në Sarandë, ai ishte një firar, një kryengritës i dënuar me vdekje nga pushtuesi turk ”.
Emëri i Çerçiz Topullit, pas Luftës së Mashkullorës, 18 mars 1908, u përhap në shumë vise të Shipërisë, në Kosovë, në kolonitë shqiptare në mërgim, si dhe në rrethet patriotike të Ballkanit. Fama e tij mori botën e qytetëruar dhe emëri i tij u mësua në disa vende. Kush e ngriti emërin e tij aq lart ? Atdhetaria!. Bota nderon dhe respekton gjithë ata që luftojnë për një ide të lartë, siç është Liria. Kush lufton për liri mbetet i pavdekshëm. Trimëria është një virtyt që nderohet kudo, edhe populli ynë e nderon, por kur ajo vihet në shërbim dhe në funksion të lirisë, të atdheut dhe kombit, ngrihet në përmendore, në monument, siç i është ngritur Çerçiz Topullit në Gjirokastër.
Çerçizi, ishte jo vetëm vëllai i Bajo Topullit, por dhe një nga bashkëpuntorët më të afërt, më të aftë e më aktivë të tij në punën për ndërgjegjësimin dhe organizimin e lëvizjes për krijimin e “Komitetit të Fshehtë për Lirinë e Shqipërisë ” e të degëve të tij, sidomos për krijimin e daljen në malet e Shqipërisë së Jugut të çetave të para kryengritëse.
Çerçiz Topulli lindi më 20 shtator 1880 në Gjirokastër dhe u vra barbarisht nga pushtuesit malazezë natën e 10 korrikut 1915 në Fushën e Shtoit, në të dalë të Shkodrës, bashkë me Muço Qullin (Mustafa Leskovikun). Poeti popullor i këndoi : Të vranë, o Çeço, të vranë, Sërbia me Karadanë, Të tre me palo Junanë, Kullauz Esat Pashanë.