Historianët, osmanologët e huaj dhe turq, që kanë studjuar ecurinë e shtetit osman pohojnë se kryevezirët e mëdhenj më të aftë dhe më të vlefshëm kanë qënë me origjinë shqiptare.
Qëprilinjtë janë dinastia ministrore nga më të aftat në historinë e Europës, e vetmja familje që kishte nxjerrë pesë kryeministra (dhe dy të tjerë që ishin kushërinj të afërm). Ata dolën në një moment të përshtatshëm. Toleranca e Qëprylinjve ndaj të krishterëve dhe zgjidhja e çështjeve të jashtme kishin lidhje jo vetëm me intelektin e gjykimit të tyre por gjithashtu edhe me praninë e njeriut që kombinonte rolet e Portës së Lartë me të besuarit të ambasadorëve evropianë, ose, si quhej ndryshe, ambasadorëve në fuqi.
Një familje osmane, që shërbente si guvernatore provincash, zotëronte prona dhe ndërtonte në të gjithë perandorinë shtëpi dhe pallate për të rritur kënaqësitë dhe pozitat e familjeve të tyre, ndërsa vezirët e mëdhenj qëprylinj ndërtonin për popullin – xhami, shkolla, tregje, çezme, banja, hane, ura, biblioteka, kanale ujore etj.
Që nga fundi i shekullit XVI, Perandoria Osmane kishte përjetuar një krizë besimi. Qëprylinjtë shumë shpejt ia kthyen faqen qeverisë me një mjeshtëri të panjohur më parë. Ata i dhanë fund krizës osmane të besimit, që kishte kapluar oborin në gjysmën e parë të shekullit. Në vitin 1622, zotëria Thomas Roe, ambasadori anglez, që e quante Perandorinë “një batak njerzish dhe çerdhe imoralësh”, ishte i bindur se e kishte afër fundin. Populli kritikonte korrupsionin galopant zyrtar. Katastrofa u duk e pashmangshme. Për herë të tretë në dhjetë vjet, flota venedikase kishte bllokuar Dardanelet, nga ku Perandoria po përpiqej të pushtonte Kretën, Njerzit po e linin Kostandinopojën në kërkim të një jete më të mirë në Anadoll. Çmimet e ushqimeve po shkonin në stratosferë. Jeniçerët e pa bindur filluan t’i çirreshin Sulltanit : “ Ne po sorollatemi të uritur nga skamja, pagat tona nuk mjaftojnë të shlyejmë borxhet që u kemi pronarëve të bujtinave“.
Kur perandoria kishte ndalur zgjerimin e kufijve të saj dhe ndodhej para kolapsit, kur tatëpjeta osmane kishte arritur kulmin, anarkia, ryshfetet korrupsioni kishin kapur shtetin, kur intrigat, komplotet, grackat, thashethemet, hakmarrjet bënin kërdinë dhe kur vrasjet mizore të qeveritarëve të vlefshëm etj.,po e çonin atë pranë greminës, më 15 shtator 1655 ajo kaloi në duart e sadrazemit shqiptar Mehmet Pashë Qëpryliut, që siç shkruan Philip Mansel, autori i librit “Kostandinopoja“, kishte lindur në fshatin Luznik, në atë vend që sot quhet Shqipëri. Mehmet Qëpryliu, nënvizon zoti Mansel, ishte me origjinë shqiptare. Ndoshta i rekrutuar nga sistemi i devshirme-së, ai punoi nëpër kuzhinat e pallatit, nga ku edhe ishte përzënë për arsye të sedrës dhe kryeneçësisë. Pasi kishte punuar në një varg zyrash – mbikëqyrës esnafësh, inspektor arsenali, guvernator province, ai iu kthye shërbimit të pallatit. Nëpërmjet kontakteve me kryearkitektët dhe tutorin e pallatit, që ishin të gjithë shqiptarë, ai siguroi një audiencë sekrete me Sulltana Hanëmin.
Kryengritjet e shumta kishin paralizuar vendin, deri dhe Pallatin, që çuan largimin nga froni të Sulltan Deli Ibrahimit dhe vrasjen e vëllait të tij të madh Osmanit të tretë. I takonte tani Sulltan Ahmetit të IV, shtatëvjeçar të vihej në krye të perandorisë. Kjo i dha dorë Qësem Sulltana Hanëmit, gjyshes së tij, më e famshmja dhe më e përfolura grua e historisë osmane, të marrë në dorë frenat e Portës së Lartë, që e futi Pallatin në një anarki të tejskajshme. Gjatë kohës trevjeçare që ajo ishte numri 1 i Portës së Lartë, gjithçka shkoi sëprapthi, korrupsioni kapi çdo hallkë të sistemit dhe perandoria shkoi në prag të greminës. Pas vrasjes së saj vendin ia zuri Hatixhe Sulltana Hanëm, nëna e Sulltan Ahmetit të IV. Ajo në kërkim të një sadrazemi të aftë dhe të fortë për të drejtuar perandorinë, brenda një harku kohor, ndërroi dhjetë Vezirë të Mëdhenj, deri sa këtë funksion ia besoi dhe ia ngarkoi më 15 shtator 1655 Mehmet Pashe Qëpryliut, të cilit i la dorë të lirë për veprim. Këtu fillon periudha e qeverisjes së familjes së Qëprylinjve, e cila i dha Portës së Lartë dhe Perandorisë Osmane sadrazemët më të suksesshëm, që i kthyen shkëlqimin e dikurshëm të Sulltanëve të mëdhenj.
Qëprylinjtë, që kanë qeverisur perandorinë mbi 70 vjet në shekullin e XVII janë këta:
Qëpryli Mehmet Pasha 1578- 1661, Fazëll Ahmed Pasha1635-1676, Fazëll Mustafa Pasha 1637-1691, Karamahmud Pasha 1634-1683 – dhëndri i Mehmet Pashës, Kiblelizade Mustafa Pasha, kunati i Qëprylinjve, Admiral Mustafa Pasha-dhëndër i Qëprylinjve, Damat Numan Pasha-djali i madh i Qëpryli Mustafa Fazëll Pasha, Amxhazade Hysein Pasha, kushëriri i tyre, Sijavush Pasha, i afërmi i tyre, etj., të cilët e shpëtuan perandorinë nga një rrëzim total, shtetit i dhanë gjak, e ringjallën.
Pushteti i Qëprylinjve ka qënë më i fortë dhe më efikas nga autoriteti i sulltanëve të asaj kohe. Pashallarët e besës fisnike shqiptare shpëtuan edhe “kryet e Sulltanëve”, Perandoria Osmane erdhi në vete dhe u ngre në këmbë përsëri.
Pak histori për Vezirin e Madh Qëpryli Mehmet Pasha
I lindur më 1578 në Köprü (shqiptohet Qëpry) të Anadollit (Köprü, në shqip përkthehet : Urë). Familja e tij ishte nga fshati Roshnik (Rostnik) i Beratit dhe kishte mërguar në Anadoll. Punën e tij në Pallat ai e filloi kuzhinier me ndërmjetësinë e Khosrev Pashës, boshnjak. Pas ca kohe emërohet spahi në Köprü, ku dhe martohet me bijën e Jusuf Pashës, që quhej Aishe. Më pas, kur Khosrev Pasha mori detyra të rëndësishme në ushtri dhe kur pak më von u emërua Vezir i Madh, e caktoi Qëpryliun
Mehmet në krye të Thesarit. Me vrasjen e Khosrev Pashës ai shërbeu sanxhak-bej në Qëpry (Köprü). Më pas atë e thërresin përsëri me punë në Stamboll në detyra të rëndësishme, për aftësitë që shpalosi në funksionet e kryera e gradojnë Pasha (gjeneral) dhe pas kësaj kreu disa detyra delikate si guvernator i Tripolit dhe më pas Myteselim i vilajetit të Damaskut. Në moshën 77 vjeç i ngarkohet detyra e lartë e Vezirit të Madh të Perandorisë, të cilën e kishte pranuar me këto kushte: 1.Propozimet që do t’i paraqiten Padishahut të pranohen menjëherë. 2. Në shërbimet e tij do të jetë i lirë. 3. Ndihmësit dhe administratorët do t’i zgjedhë ai vetë. 4. Të mos u vihet vesh thashethemeve. Pasi këto kushte i pranoi nëna e Sulltan Muratit të IV-t, Hatixhe Sulltana Hanëm, duke iu zotuar se do t’i lihej dorë e lirë në qeverisjen e Perandorisë, pra i gjithëpushtetshëm, ai mori në dorë frenat e Perandorisë. Me dore te hekurt ai goditi korrupsionin : ryshfetet, vjedhjet, anarkine, intrigat ne strukturat e perandorise. Në fillim ai shtypi mizorisht kryengritjen dhe lëvizjen që e kryesonin krerët fanatikë të një sekti mysliman, të cilët ishin pasues të Mahpejqer Qësem Sulltanës. Në vazhdim në janar 1657 shtypi pamëshirë rebelimin e spahinjve dhe shkaktarin kryesor të këtij rebelimi, Sheik Selimin, e mbyti në Bosfor. Ai urdhëroi të varej publikisht në litar Patriarku i kishës greke, i cili i kishte shkruar Vojvodës së Vllahisë të shpallte rënien e Islamit. Me grusht të hekurt ai goditi dhe luftoi me efikacitet korrupsionin: ryshfetxhinjtë, vjedhjet dhe hajdutët e veshur me pushtet, plaçkitjet, komplotet, vrasjet e qeveritarëve të ndershëm dhe të vlefshëm, anarkinë kudo që çfaqej në strukturat e perandorisë, shkelsit e ligjit, alkolikët, tregtinë e paligjshme të duhanit që vinte nga Amerika nëpërmjet Rusisë etj. Me masa të rrepta rivendosi rregullin dhe qetësinë në Pallat dhe në gjithë dominimin perandorak otoman. Numri i të ekzekutuarve gjatë qeverisjes së tij kapi shifra të larta, 35. 000 vetë. Të tjera burime citojnë se kjo shifër i takon vetëm vitit të parë të qeverisjes. Spastrimet nga të paudhët, i bëri për të shpëtuar shtetin nga dekadenca ku ishte futur sepse ky shtet kaq i madh, sipas tij, nuk mund të rronte me zullume. Spastrime të tilla kishin bërë edhe sulltanët paraardhës të fuqishëm, si sulltan Murati i parë, sulltan Mehmeti i pare, Fatiu i tmershëm, etj, si masa të nevojshme për rifuqizimin e shtetit dhe rimëkëmbjen e perandorisë.
Pasi mposhti e nënshtroi kundërshtarët e brendshëm dhe rivendosi qetësinë në Pallat dhe në vend, Veziri i Madh iu kthye armiqve të jashtëm. Fitoria e venedikasve në Kios pak kohë më pare kishte qënë një goditje shumë e rëndë për fuqinë detare otomane. Qëpryli Mehmet Pasha, duke e konsideruar flotën ushtarako-detare si një forcë të madhe në rikthimin e shkëlqimit të mëparshëm, i përqëndroi të gjitha energjitë në rimëkëmbjen e saj dhe kur u bind se ia arriti këtij qëllimi, u ndesh me flotën e Venedikut në Dardanele, e cila komandohej nga admirali Mokenigo dhe e shpartalloi krejtësisht. Në fillim flota osmane pësoi humbje të ndjeshme, por falë një gjyleje të qëlluar nga bregu, që goditi depon e municioneve të anijes së admiralit, që vrau edhe vetë admiralin, flota venedikase mbeti pa komandant, pa municione dhe u thye keqas. Veziri i Madh shpërbleu topçiun që i dhuroi fitoren dhe oficerët që luftuan trimërisht por njëkohësisht ekzekutoi një numër të madh oficerësh të lartë mbi të cilët ranë përgjegjësitë për humbjet e mëparshme. Si rivendosi dhe pasi i ktheu prestigjin e humbur perandorisë në det, ai e përqëndroi vëmendjen në tokë.
Marshimi drejt Polonisë i princit të Transilvanisë Georg Rakocki II, me mbështetjen e Voevodëve të Vllahisë e Moldavisë, që prekte direkt interesat e Perandorisë Otomane, e vuri në lëvizje Qëprylinë për të ndalur marshimin Rakockit II dhe për t’a zënë atë. Si përgjigje Veziri i Madh, me të shpejtë rrethoi dhe mori Janovën, por Rakocki II, nga frika kishte ikur dhe hyrë në Austri.
Një kryengritje e drejtuar nga krerë të lartë të perandorisë e detyroi Qëpryliun të kthehej sërish në Anadoll, ku kundërshtarët e tij të brendshëm ishin gjallëruar dhe kishin ngritur krye nga frika se mos binin pre e hakmarrjes së tij, për arsye të mosbindjes që treguan ndaj Portës së Lartë. Ai ekzekutoi krerët më kryesorë kryengritës, dhe vrau një mijë vetë nga shtatëmijë mbështetës të kësaj revolte. Pas kësaj Veziri i Madh me po atë forcë, që kishte treguar dhe më parë, shtypi edhe revoltën e Mehmet Pashës në Egjipt dhe atë të Mustafa Pashës në Antalia. Në një letër që i dërgonte një miku të tij, Qëpryliu i shkruante: Nëqoftëse kozakët do të sulmojnë qoftë edhe një nga fshatrat e pashallëkut të tij, do t’i bënte copash, që kështu t’u jepte një mësim të mirë dhe të tjerëve.
Gjatë pesë viteve, një muaj e 15 ditëve, që Mehmet Pasha Qëpryliu qeverisi perandorinë, ai arriti të çrrënjosë anarkinë dhe korrupsionin,t’i kthente shtetit pushtetin, hierarkinë dhe disiplinën, aq të nevojshme në administratën e stërmadhe otomane. Ai hyri në histori edhe si një ndërtues i madh me kështjellat strategjike në derdhjen e lumit Don dhe në brigjet e Dnieprit në Ukrahinën e sotme. Ai ndërtoi një numër të madh xhamish, shkolla, dyqane në Janovë, Rudnik, Tarakli etj. Veziri i Madh vdiq më 31 tetor 1661. Ai, nga shtrati i vdekjes i propozoi dhe i mori pëlqimin Sulltanit të ri për ta zëvendësuar i biri i tij i parë Qëpryli Ahmet Pasha, propozim që u pranua. Ai ka
lënë si këshillë për pasardhësin: mbaje thesarin plot, mbaje veten dhe ushtrinë gjithnjë të zënë.
Qëpryli Mehmet Pasha ishte me temperament luftarak, por kishte një natyrë dhe sedër të ndjeshme. Një herë ambasadori i Francës në Stamboll, De la Haye, i nisur nga mendimi se Qëpryliu shumë shpejt do të zëvendësohej nga një Vezir i Madh tjetër
si paraardhësit e tij të shumtë, nuk i kishte dërguar ende dhuratat e zakonshme sipas protokollit. Veziri i Madh, që e mësoi motivin e mosdërgimit të dhuratave, u ndje tej mase i fyer dhe i ofenduar nga një mungesë e tillë respekti dhe nën pretekstin e spiunazhit permes korrespondencës diplomatike, dha urdhër që fillimisht të rrihej me
shkop djali i ambasadorit dhe më pas i arrestoi dhe i futi në burg at e bir. Delegacioni që dërgoi Luigji i IV për të hetuar në vend nderin e Francës, gjithashtu u trajtua në mënyrë fyese, si rezultat i këtij incidenti Franca prishi aleancën me Perandorinë Osmane dhe nisi të ndihmonte hapur Venedikun në mbrojtje të Kretës.
Qëpryli Ahmet Pasha (1635-1676)
Djali i parë i Qëpryli Mehmet Pashait, shërbeu kryevezir 15 vjet, më 1659 u emërua vezir (ministër) dhe u gradua mareshall, ndërsa më 1661, pas vdekjes së babait të tij, në moshën 27 vjeçare, filloi shërbimet kolosale si kryeministër, udhëheqës i mënçur, riorganizoi ushtrinë, ndreqi punët e shtetit. Ai ishte kryeministri më i suksesshëm i familjes Qëpryli. Ishte më i riu dhe më i zoti nga kryevezirët e mëdhenj osmanë. Kapelani anglez, dr. Johl Covel, shkruante : “Ai është një burrë me fytyrë të rrumbullaktë, me mjekër të zezë e të shkurtër, me nje shikim tw mprehte, me ballë të lëmuar dhe vetulla hark. Shkurt, ka një pamje të mprehtë dhe serioze dhe në se jam i zoti të gjykoj, një burrë mendjehollë. Ai nuk korruptohej, ai ishte një udhëheqës luftrash me një emër të madh dhe kur fillon një punë e kryen deri në fund”.
Sipas ish-zyrtarit të pallatit Boboëskit, në kontrast me babain e tij të pamëshirshëm, ai qeveriste në një mënyrë njerëzore dhe i falte njerëzit më lehtë. Ai nuk të priste fytin por kuletën. Ai pushtoi Podolien dhe ishullin e Kretës. Perandoria u bë më e madhe se sa kishte qënë ndonjëherë. Qëpryli Ahmet Pasha ishte edhe poet dhe përkthyes nga arabishtja. Gjatë sundimit të tij institucionet osmane hodhën hapat e para drejt vendosjes së kontakteve me njohuritë shkencore moderne. Ndershmëria nuk ishte e vetmja tradite e Qëprilinjve. Ai njihej edhe për drejtësinë dhe dhëmbshurinë e tij të provuar në rastin e pazakontë të Mesiah mistikut, Sabbatai Sevi, hebre, i cili ishte burgosur në shkurt 1666 dhe më 16 shtator të po atij viti, ai u prit nga Veziri i Madh, Qëpryli Ahmet Pasha, në Edirne. Hebreu Sabbatai Sevi u shokua nga inteligjenca, dinjiteti dhe arabishtja e tij.
Ashtu sikurse elita e familjes Qëpryli edhe ai e kishte sensin e kastës. Të pesë motrat e tij ishin martuar me zyrtarë me pozitë të lartë sic ishte kreu i flotës ose i thesarit. Dy qëprylinj ishin martuar me dy princesa perandorake.
Maturia, vendosmëria, mënçuria dhe modestia e tij impresionuan ambasadorin e Venedikut. Perspektiva e çlirimit nga tirania ishte një arsye tjetër për ngazëllim.
I shkolluar në Stamboll me mësues privatë në familje, Qëpryli Ahmet Pasha, në fillim kreu shkollë fetare por ajo nuk i plotësoi kërkesat e tij dhe hyri në administratën shtetërore, ku në Damask fitoi famë dhe dashurinë e popullit se i lehtësoi banorët nga taksat që vështirësonin jetën e tyre. Ai trashëgoi nga i ati eksperiencën e tij në qeverisjen e perandorisë. Tre muaj pasi erdhi në krye të perandorisë, ai u përball me një nga problemet më të vështira, siç ishte ai i Transilvanisë, që e zgjidhi përmes fitores së janarit 1662, pa qënë nevoja të vihej vetë në krye të ekspeditës ushtarake. Në një kohë që pritej të fillonte sulmi kundër Venedikut, ai si strateg ushtarak që ishte, hoqi dorë nga kjo fushatë dhe filloi fushatën kundër Austrisë, forcat e së cilës shqetësonin dhe sulmonin fortesat e perandorisë përgjatë kufirit. Në bisedime me përfaqësuesit austriakë Qëpryliu kërkoi shkatërimin e një kështjelle të porsandërtuar në veri të Hungarisë, tërheqjen e trupave austriake nga Transilvania dhe rivendosjen e tributit prej 35 mijë florinash, të cilin austriakët e kishin paguar, që nga koha e Sulejmanit të Parë deri në vitin 1601.Kërkesën e fundit austriakët nuk e pranuan dhe Qëpryliu sulmoi dhe mori kështjellën e Nove Zamku-t si dhe ngarkoi oficerët e tij të lartë të merrnin disa fortesa të tjera. Veziri i Madh e vendosi shtabin në Beograd për t’u hedhur kundër austriakëve në verë. Rënia e Nove Zamku-t tmerroi Europën Perëndimore dhe i detyroi Habsburgët që nën drejtimin e Montekukulit të kërkonin organizimin e një koalicioni kundër Perandorisë Osmane. Këtij koalicioni iu bashkua Kisha Katolike, Spanja, disa princa gjermanë dhe një force mbështetëse nga Franca. Nga njera anë vazhdonte bisedimet për paqe me ambasadorët austriakë, nga ana tjetër Veziri i Madh vendosi ta tërhiqte Montekukulin në betejë pranë fshatit St. Gotard. Ai nisi një pjesë të forcave të tij përmes një ure dhe u duk sikur punët po shkonin mirë për ushtrinë osmane, por më pas ushtarët e Vezirit të Madh u sprapsën dhe u tërhoqën. Të dyja palët pësuan humbje të mëdha, por më e rëndë humbja ishte për ushtrinë osmane, pasi ishte thyerja e parë pas një seri fitoresh. Mirëpo atë që nuk arriti ta fitojë në fushën e betejës Qëpryliu Ahmet Pasha e arriti në tavolinën e bisedimeve. Dhjetë ditë pas betejës ai nënshkroi Traktatin e famshëm të Vasvarit, i cili favorizonte dukshëm Perandorinë Otomane. Pasi kaloi dimrin në Beograd Veziri i Madh u nis drejt Stambollit, për të inspektuar fortifikimet në Dardanele, që e bëri nën shoqërimin e Sulltanit. Megjithëse kishte probleme me shëndetin Qëpryli Ahmet Pasha, me mbritjen në Stamboll iu përvesh punës për marrjen e ishullit Kandias, që për vite me radhë otomanëve iu kish shkaktuar humbje të rënda. Pas një rrethimi të gjatë e të mundimshëm Qëpryliut iu dorëzuan 80 çelësat e dyerve të kështjellës dhe të qytetit të boshatisur.
Në vitin 1672 Veziri i Madh i shoqëruar nga vetë Sulltani, kryesoi një fushatë kundër Polonisë në mbrojtje të Kozakëve, të cilët i ishin drejtuar Portës së Lartë për ndihmë. Në betejat e para Qëpryliu korri disa fitore të rëndësishme por më pas u mund nga Sobieski në Khotin dhe Lemberg, por edhe këtu, Veziri i Madh, atë që nuk e arriti në
fushën e betejës, e fitoi në tavolinën e bisedimeve, ku nënshkroi Traktatin e Zuravnos, që i linte Perandorisë Otomane Kaminiecin, Podolinë dhe pjesën më të madhe të Ukrahinës.
Qëpryliu Ahmet Pasha në gjendje të rënduar shëndetsore vdiq në moshën 41 vjeç, ne vitin 1676, tre ditë pas nënshkrimit të traktatit. Ai, ashtu si i ati i tij, do të përmëndet për ndërtimet e shumta si dhe për lidhjen e ngushtë me artin dhe letërsinë, sekretari i tij personal ishte një ndër shkrimtarët më të mirë të asaj kohe në Perandorinë Osmane. Bibloteka e Qëprylinjve që përfundoi së ndërtuari dy vjet pas vdekjes së Vezirit të Madh është sot një nga bibliotekat më në zë të Stambollit, që ende mund të vizitohet pranë mauzoleut familjar në Divanyolu, midis xhamisë së Sulltan Ahmetit dhe Bajazitit.
Me nismën e tij, për të ndërtuar një kompleks kopshtesh përballë Pallatit të Sulltanit, ai thirri nga Italia Xhakomo Torrelin, i cili ishte një nga artistët më të mirë të asaj kohe.
Qëpryli Karamustafa Pasha
Pas vdekjes së Qëpryli Ahmet Pashait, sulltan Mehmeti i IV emëroi bashvezir (kryeministër) Qëpryli Karamustafa Pasha-në, djale i adoptuar, i biri i kalorësit Uruç, që Qëpryli Mehmet Pasha e kishte rritur në familjen e vet dhe e kish martuar me një nga vajzat e tij. Ai, po thuaj, nuk u shqua për asgjë në karierën e tij, bënte një jetë të çthurur, në haremin e tij mbante 1500 gra, që i ruanin 700 zezakë të tredhur. Gjatë qeverisjes së tij fitoi “të drejtën e qytetarisë’’ praktika e vjetër e shitjes së ofiqeve, që çoi në rritjen e korrupsionit në administratën shtetërore. Në këtë periudhë ushtria ruse i mori dhe i shkëputi Perandorisë Otomane, Ukrahinën, duke shkatëruar ushtrinë osmane.
Qëpryli Karamustafa Pasha më 1683 ndërmori rrethimin e dytë të Vienës, por një forcë ushtarake polake e drejtuar nga Jan Sobieski, papritur e sulmoi ushtrinë osmane në shpinë dhe Viena nuk ra në pushtimin otoman. Që këtej Karamustafai u kthye në Beograd, ku me urdhër të Sulltanit iu pre koka dhe iu dërgua Mehmetit të IV në
Stamboll në një tepsi të argjendtë.
Qëpryli Fazëll Mustafa Pasha ( 1637-1691
Shërbeu kryevezir dy vjet e tre muaj, biri i dytë i Qëpryli Mehmet Pasha dhe vëllai i Qëpryli Ahmet Pasha, i mirë edukuar në medrese,vezir i zgjuar, ra dëshmor në luftë.
Më 1689 u emërua kryeministër nën Sulejmanin e II në një periudhë shumë të vështirë për perandorinë pas humbjeve të thella në Hungari, Poloni, tërheqjes së flotës otomane nga Mesdheu. Ai bëri reforma rrënjësore në sistemin e taksave dhe të financave të shtetit, ai dhuroi sasi të mëdha parash dhe shembulli i tij u ndoq gjerësisht
nga të tjerët, për rimëkëmbien e ushtrisë dhe flotës. Ai ishte shumë i pasur me që kishte trashëguar pasuritë e vëllait dhe të babait te tij. Po kështu ai mori masa për përmirësimin e jetës së rajasë të krishtere, gjë që dha frute në radhët e të krishterëve, rajatë grekë braktisën Venetikun dhe iu bashkuan Portës së Lartë. Në historinë e Perandorisë Osmane të botuar më 1727 shkruhet se Qëpryli Mustafa Pasha ishte 43 vjeç kur e mori këtë post të lartë, ishte një burrë i famshëm për shenjtërinë, integritetin, maturinë dhe kurajën. Ai fitoi famë se nuk kishte kryer asnjë krim. Gjatë veziratit (qeverisjes) së tij (1689-1691) u ndërtuan më shumë kisha sesa 50 viteve të sundimit të perandorit Justinian.
Kur në Fronin Perandorak hypi Sulltan Ahmeti II, ai i besoi Qëpryli Mustafa Pashait një fushatë ushtarake në përmasa të mëdha kundër austriakëve. Ushtria osmane dhe ajo austriake u vunë përballë njera-tjetrës pranë qytetit të vogël Salankamen, në Hungari, ku megjithë humbjet e rënda, austriakët e fituan betejën. Midis të vdekurve të shumtë nga kampi osman, mbeti i vrarë dhe Veziri i Madh, Qëpryli Mustafa Pasha.
Qëpryli Amxhazade Hysein Pasha ( ?-1702)
Ishte nga familja e Qëpryli Mehmet Pashait, shërbeu kryeministër 4 vjet 11 muaj dhe 16 ditë, (1697 deri 1702), burrë shteti i mënçur dhe i drejtë, dha dorëheqjen.
Ishte djali i vëllait të Qëpryli Mehmet Pashait, ishte shumë i mençur dhe energjik. Qëpryli Hysein Pasha, ish-guvernator i një krahinedhe më pas admiral i flotës, u caktua Vezir i Madh në moshën 53 vjeçare. Duke kuptuar nevojën për paqe dhe për reforma, nëpërmjet ambasadorit anglez dhe hollandez, ai bëri paqe me Austrinë në Karlovac, që ishte një pikë kthese në historinë osmane, sepse është konsideruar si përfaqësuese e mbylljes së frontit osman në Evropë dhe e transformimit të perandorisë nga një shtet sulmues në një shtet mbrojtës dhe e një ere të re paqeje. Një nga historianët më të famshëm të Perandorisë Osmane, Naima, e përshkruan si një tjetër Qyprili gjeni, fole e mënçurisë, së vërtetës dhe besimit, arriti të largonte dhe shkulte austriakët nga Sava, futi përsëri flotën osmane në Detin e Zi dhe në Mesdhe, punoi dhe arriti të bëhet Konferenca e Paqes në vitin 1699 në Karlovac të Kroacisë, pikë kthese në historinë osmane, ku Veziri i Madh shkoi dhe u takua me përfaqësuesit e Austrisë, Venedikut dhe Polonisë. Konferenca e Karlovacit rezultoi mjaft e favorshme për otomanët, sepse Perandoria Osmane futi përsëri nën influencën e saj Bosnjën, Serbinë, Vllahinë, Moldavinë dhe pjesë të mëdha të Hungarisë dhe Greqisë, duke i dhënë fund luftës 16 vjeçare, që kishte filluar me dështimin e Karamustafa Qëpryliut në rrethimin e Vienës. Pas një viti edhe rusët u detyruan të nënshkruajnë një traktat paqeje me Portën e Lartë. Në vazhdim Qëpryli Amxhazade Hysein Pasha qetësoi gjendjen brenda perandorisë, shtypi kryengritjet në vendet arabe, Egjipt dhe Krime, si dhe reduktoi forcën e jeniçerëve, vazhdoi thelloi reformat administrative e financiare. Më 1702 për shkak të intrigave në oborin perandorak, Veziri i Madh dhe i mençur dha dorëheqjen dhe pas tre muajsh vdiq në mënyrë misterioze.
Gjatë pesë viteve të qeverisjes së tij reformoi administratën, përforcoi ushtrinë, rimëkëmbi e riorganizoi flotën detare dhe bëri shumë ndërtime.
Qëpryli Damad Fazëll Numan Pasha
Veziri i Madh i fundit Qëpryli, Damad Fazëll Numan Pasha, i biri i Fazëll Mustafa Pashait, i lindur në Kostadinopojë në vitin 1670. Që nga viti 1700 kishte qënë vezir( ministër) dhe në qershor 1710 u emërua Vezir i Madh (Kryeministër).
Ambasadori britanik e përshkruan atë si një personalitet të famshëm për drejtësi dhe integritet, i nderuar dhe i dashur për njerëzit. Ngritja e tij në postin e Vezirit të Madh i kishte gëzuar të gjithë. Ai ishte një njeri shumë i ditur dhe respektues i mirë i ligjit, kërkues dhe mbrojtës i zellshëm i interesave të Perandorisë.
Sulltan Ahmeti III nuk i duronte vërejtjet e Vezirit të Madh, Qëpryli Damad Fazëll Numan Pasha, se trupat duhej të paguheshin nga të ardhurat e Perandorisë dhe jo nga gjaku i popullit. Politika e paqes e Vezirit të Madh me Rusinë u kundërshtua. Ai ishte i papajtueshëm ndaj të korruptuarve dhe i pamëshirshëm ndaj Sulltan Ahmetit III, që po riafirmonte fuqinë e Pallatit mbi Portën. Në këto situata, në përpjekje për të vendosur rregull në administratën e stërmadhe osmane, ai u largua nga nga posti i Vezirit të Madh 14 muaj pas emërimit.
Pas kësaj dinastia e Qëprylinjve jetoi në Kostandinopojë në një shtëpi shumë të madhe, pranë bibliotekës Qëpryli, në një banesë tjetër në Sulejmanie dhe në dy vila në Bosfor. Ato gëzonin të ardhurat e pronave dhe të fondacioneve të Qëprylinjve të shpërndara në gjithë Perandorinë.
Historianet dhe studiuesit turq dhe te huaj i permbahen mendimit se shërbimet dhe qeverisja e Qëprylinjve ndihmuan në mbijetesën e Perandorisë Osmane dhe historia e familjes së tyre është historia e Evropës Juglindore.
( Nesip Kaçi është publicist dhe diplomat)