Nesip Kaçi: Rusia ka luajtur gjithnjë në kartën e Serbisë dhe anasjelltas II

Nesip Kaçi: Rusia ka luajtur gjithnjë në kartën e Serbisë dhe anasjelltas II

Mbas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, përfaqësuesi i Shqipërisë, Koço Tashko, arriti në Moskë në prill të vitit 1946. Në takimin me Molotovin, me rastin e dorëzimit të kopjeve të Letër-kredencialeve, ministri i jashtëm sovjetik  e pyeti në se Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike me SHBA-në e Britaninë e Madhe, si i keni marrëdhëniet me Jugosllavinë, Molotovi u interesua për shumë probleme të gjendjes së brendshme, për gjuhën shqipe dhe afërsitë e saj me gjuhët e tjera, për besimet fetare në Shqipëri, etj. Nga dokumentet e arkivave ruse shihet se me kalimin e kohës, Kremlini e rriti interresimin për Shqipërinë, veçanërisht në prag të vizitës së Enver Hoxhës në Beograd, korrik 1946. Në takimet e Enver Hoxhës dhe Titos, veçanërisht bisedat për të ardhmen e Kosovës e Metohisë (siç emërohej atëherë Kosova), shumica e autorëve që janë marrë me këtë problem, kanë përmendur pohimin e Titos se Kosova i përket Shqipërisë dhe herët a vonë, do t’i kthehet asaj, madje në shumicën e rasteve ata e përmendin si fakt, duke iu referuar arkivit të ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Biseda midis Enver Hoxhës dhe Titos për problemin e Kosovës është interpretuar në mënyra të ndryshme. Sipas  proçes-verbalit të mbajtur nga pala shqiptare, gjatë vizitës së Enver Hoxhës në Beograd, Tito “ka pranuar se Kosova dhe viset e tjera të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe se ato do t’ua kthejmë, por jo tash, se aktualisht reaksioni serbomadh nuk do ta pranonte një gjë të tillë”. Materialet e arkivave ruse tregojnë se Moska ndiqte me vëmendje zhvillimin e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare e zhvillimet në krahinat e banuara  në shumicë me shqiptarë si dhe pozicionet e të dy palëve ndaj tyre.

Ish- ambasadori jugosllav në Tiranë Josip Gjergja, që sapo ishte  kthyer nga Beogradi, ku kishte shkuar bashkë me delegacionin qeveritar shqiptar, me në krye Enver Hoxhën dhe kishte qënë dëshmitar i takimit Tito-Hoxha, në takim me ambasadorin sovjetik në Tiranë D. Çuvahin, më 5 korrik 1946, lidhur me përgjigjen e Titos për Kosovën dhe Metohinë  ka thënë si më poshtë: Mosmarrëveshjet e lindura midis shtabeve partizane të dy vendeve gjatë Luftës së dytë Botërore çuan në një shkëmbim të ashpër letrash midis Enver Hoxhës, nga njera anë dhe Titos e Vukomanoviç-Tempos, nga ana tjetër. Ata ranë dakord që ky problem të mos ngrihet më deri në përfundim të luftës dhe pastaj, të zgjidhet nëpërmjet plebeshitit. Sipas fjalëve të Gjergjës, pikpamja e Titos për të ardhmen e Kosovës e Metohisë ishte se  as situata e brëndshme në Jugosllavi, as situata e jashtme nuk favorizojnë shtrimin e problemit të bashkimit të këtyre krahinave me Shqipërinë dhe se Jugosllavia do humbiste shumë veçanërisht në Serbi. Në shumë botime ruse të viteve të fundit, është pranuar si fakt se gjatë takimit Tito-Hoxha në Beograd në vitin 1946, Tito ka pranuar për Kosovën se kjo krahinë e banuar në shumicë nga shqiptarë, në kohën e vet do të bashkohet me Shqipërinë. Tërheq vëmendjen një pohim i ish-kryeministrit të Bashkimit Sovjetik I. Rizhkov, i cili në librin e tij “Golgotaja jugosllave”, botuar në vitin 2000 në Moskë, shkruan se “J.B.Tito ka qënë gati t’i jepte Shqipërisë Kosovën, në mënyrë që të realizonte idenë e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë”. Nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë më 9 qershor 1946, e shqetësoi Stalinin. Ai nuk mund të duronte që marrëdhëniet midis BRSS dhe Shqipërisë të ishin në duart e Jugosllavëve, pra udhëheqësi sovjetik nuk ishte për nxitjen e ambicieve jugosllave ndaj Shqipërisë. Për herë të parë Enver Hoxha shkoi për vizitë në Bashkimin Sovjetik në korrik të vitit 1947.

 

Para takimit me Stalinin, ai zhvilloi një takim me Molotovin, ku i është ankuar për marrëdhëniet me jugosllavët në fushën ekonomike për faj të palës jugosllave. Atij i dukej se jugosllavët nuk janë shumë të interesuar për realizimin e marrëveshjeve ekonomike. Por ndërkohë edhe në marrëdhëniet midis Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik kishin lindur probleme të vështira, që po thelloheshin. Në prill 1947, Eduard Kardeli, figura e dytë pas Titos në Jugosllavi, në takimin me Stalinin në Moskë, një pjesë jo të vogël të kohës së bisedimeve ia kushtuan Shqipërisë, popullit shqiptar, Kosovës, etj. Eduard Kardeli, figurë tepër e rëndësishme e asaj kohe për Jugosllavinë, pohon në emër të qeverisë jugosllave se Kosova është e banuar në shumicë me shqiptarë dhe se në një të ardhme jo të largët këto territore (Kosovë e Metohi) do t’ia kthejmë Shqipërisë.  Në qoftë se pohimi i Titos për kthimin e Kosovës Shqipërisë është bërë në mënyrë diplomatike, pohimi i Kardelit para Stalinit ishte kategorik. Jo më pak i rëndësishëm ishte dhe qëndrimi i Stalinit për këtë problem, i cili këtë veprim e quajti “shumë të drejtë”. Por duhet thënë se sipas vlerësimit të studiuesve rusë në mbarim të vitit 1947 dhe në fillim të vitit 1948, udhëheqja jugosllave, praktikisht kishte marrë nën kontrollin e vet gjithçka në Shqipëri. Beogradi e kishte Shqipërinë si një prej republikave jugosllave. Mosmarrëveshjet sovjeto-jugosllave u ashpërsuan së tepërmi për shkak të Shqipërisë, mbas propozimeve të Titos, bërë Enver Hoxhës për vendosjen e një divizioni jugosllav në jug të Shqipërisë, me pretekstin e një sulmi grek kundër Shqipërisë me mbështetjen e anglo-amerikanëve. Enver Hoxha i drejtohet Moskës për këtë propozim të Titos. Menjëherë Moska, me porosi të Stalinit, nëpërmjet Molotovit, ndërhyri ndaj palës jugosllave që të mos e bënte një hap të tillë se anglosaksonët do ta vlerësojnë këtë si një akt pushtimi të Shqipërisë dhe nën pretekstin e “mbrojtjes” së pavarësisë të Shqipërisë, ta shfrytëzojnë për ndërhyrje ushtarake. Më poshtë Tito ka thënë se “Ai nuk është i një mendje me Moskën për rreziqet lidhur me hapat e mundshëm të anglo-saksonëve, megjithatë ne e ndryshuam vendimin tonë dhe jemi tërhequr nga dërgimi i trupave jugosllave në Shqipëri”. Mosmarrëveshjet dhe divergjencat e jugosllavëve me sovjetikët u rritën, Tito nuk kishte më besim te Moska. Shkaku i grindjes së TItos me Moskën, sipas Kardelit, ishte dislokimi i dy divizioneve jugosllave në Shqipëri pa u konsultuar me Moskën.

Më 1 mars 1948 Tito zhvilloi në Beograd mbledhjen e zgjeruar të Byrosë Politike të KQ të PK Jugosllave, në fjalën e tij ai u shpreh se “Marrëdhëniet midis Jugosllavisë e BRSS janë futur në qorrsokak dhe se e gjitha kjo ka filluar për problemin e dislokimit të divisionit jugosllav në Shqipëri. Tërheqin vëmendjen, theksoi Tito, marrëdhëniet tona me Shqipërinë, që janë keqësuar kohët e fundit.” Pas kësaj mbledhje pasuan ftohja e marrëdhënieve të Moskës dhe gjithë vendeve të bllokut socialist me Jugosllavinë, derisa u kthyen në marrëdhënie armiqësore.

Më 23 prill 1948 ambasadori sovjetik në Tiranë mori këtë telegram nga Molotovi: “Takoni Enver Hoxhën dhe i  thoni si më poshtë: Qeveria sovjetike shpreh gatishmërinë të ndihmojë Shqipërinë me këshilltarë në të gjitha fushat, të dërgojë armatimet që iu duhen asaj për pajisjen e ushtrisë dhe mbrojtjen”. Duhet thënë se edhe pas prishjes së marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë, qëndrimi sovjetik ndaj shqiptarëve dhe tokave shqiptare në Jugosllavi, nuk përbënte ndonjë armë në luftën kundër “revizionistëve jugosllavë “dhe Moska nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të mbajtur të ngritur e për të shfrytëzuar problemin e Kosovës e të shqiptarëve të Jugosllavisë, qoftë edhe për interest e veta. Sipas saj, ai ishte një problem pakicash, që do të zgjidhej brënda Jugosllavisë pas përmbysjes së Titos e rregjimit të tij. Duke përfituar nga qëndrimi i ashpër i Moskës ndaj Jugosllavisë, Enver Hoxha dhe udhëheqja shqiptare mendonin se kishte ardhur momenti i përshtatshëm për të përfituar. Sipas dokumenteve  të botuar në Rusi, në verën e vitit 1949 në Shqipëri punohej për krijimin e “Komitetit të Çlirimit” të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë. Udhëheqja shqiptare, nëpërmjet Enver Hoxhës në gusht të virit 1949 iu drejtua Stalinit dhe KQ të PK të Bashkimit Sovjetik me një letër. Në të shkruhej se problem i Kosovës nuk u zgjidh, ne mendojmë se problem i Kosovës duhet ngritur përsëri, problem i çlirimit të popullsisë shqiptare  të Kosovës, është një problem që shtrohet para nesh dhe nuk duhet shtyrë më. Rrugë tjetër nuk ka. Ne mendojmë se popullsia shqiptare e Kosovës, Metohisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi duhet të luftojë për çlirimin e vetë. Çelësi zhvillimit të suksesshëm të luftës në Kosovë qëndron në bashkimin e tyre me Shqipërinë. Në fund të letrës ai kërkonte mendimin e Stalinit, duke premtuar se pa këshillat e tij, nuk do të bënte asnjë hap. Letra është dërguar në gjuhën italiane dhe mbasi është përkthyer, u është shpërndarë të gjithë anëtarëve të Byrosë Politike të PK të Bashkimit Sovjetik. Stalini nuk e përkrahu këtë inisiativë të Enver Hoxhës. Moska i rekomandoi Tiranës që të mos ngutet. Stalini e kuptonte mirë se shkëputja e Kosovës e Metohisë krijonte precedent për vendet e tjera fqinje, që kishin pretendime ndaj territoreve të shtetit jugosllav. Del se Stalini,  letrëne Enver Hoxhë, e ka shpërfillur.

Në kapitullin, Rusia dhe shpërbërja e Jugosllavisë, autori nënvizon se Bashkimi Sovjetik, i angazhuar në problemet e veta, sepse ishte dhe ai vetë në prag të shthurjes e shpërbërjes, nuk ia kishte ‘’ngenë‘’ Jugosllavisë, ai iu shmang zhvillimeve të brendshme të saj. Megjithë këtë ai doli me një deklaratë ku shprehej për unitetin dhe tërësinë territorial të Jugosllavisë, por në konfliktin sllav Duma e Rusisë, në seancën e parë i rekomandoi qeverisë ndryshimin e kursit të politikës së saj në Ballkan në favor të Serbisë dhe institucionet ruse nuk i kanë ndërprerë asnjë herë lidhjet ushtarake dhe të zbulimit me Serbinë. Në shpërbërjen e Jugosllavisë, Rusia, pak a s humë, mbajti një qëndrim neutral nga fakti se ata që ndaheshin apo luftonin kundër njeri-tjetrit ishin sllavë, por në këtë kontekst Rusia ka luajtur gjithnjë “kartën serbe”.

Moska dhe Kosova, Ditari për Kosovën dhe për zhvillimet në Maqedoni, janë tre nga kapitujt më interesantë të kësaj vepre madhore të zotit Shaqir Vukaj. Moska, Kosovën e ka parë gjithënjë me sytë e Beogradit. Ajo ka heshtur dhe i ka fshehur opinionit të vet çka ka ndodhur në të vërtetë në ato vite në Kosovë.

     Akademiku Rexhep Qosja, personalitet i shquar në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë, në fjalën e tij në përurimin që iu bë librit Rusia dhe Kosova në Prishtinë tha : Libri i ambasadorit Shaqir Vukaj, sjell ide të reja, shikime të reja dhe gjykime të reja për këtë temë kaq të madhe të historiografisë dhe publicistikës sonë, gjykime të reja dhe të vërteta të reja. Duke lexuar librin e Shaqir Vukajt Rusia dhe Kosova, kam menduar se sa shpesh është shkruar në shtypin tonë për Rusinë dhe politikën e saj ndaj Kosovës dhe cështjes shqiptare në përgjithësi, por sa pak në thelb, kemi ditur për këtë politikë. Nuk e kam ditur se ajo (Rusia) e ka nxitur Serbinë dhe madje e ka ndihmuar Serbinë, e komanduar nga oficerë rusë, të bëjë pastrimin etnik të atyre territoreve që sot në politikën serbe quhen Serbia Jugore. Pa e njohur të kaluarën nuk mund të kuptojmë dhe as ta spjegojmë drejt të sotmen. Politika e sotme ruse ndaj Kosovës dhe cështjes shqiptare është vazhdim i politikës së Rusisë cariste, por në kushte të reja politike, diplomatike dhe ushtarake ndërkombëtare. Politika ruse ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar. Pasi lexova librin Rusia dhe Kosova më është shumëfishuar nderimi për autorin e tij Shaqir Vukaj. Libri Rusia dhe Kosova është vepër me rëndësi të madhe sepse ka temën e madhe, ka idealin e madh, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo vepër është frymëzuar te autori vetëm nga dashuria për Kosovën, që ushqen atdhetari Shaqir Vukaj. I uroj Atdheut tonë, Shqipërisë dhe Kosovës, më shumë diplomatë si Shaqir Vukaj, diplomatë të tillë janë të rrallë.

Pasi lexon librin e Shaqir Vukaj “Rusia dhe Kosova“ kupton dhe bindësh shume lehtë përse sot Serbia i del në krahë Serbisë.

Prof.Dr. Rexhep Mejdani, President i Shqipërisë në vitet 1997-2002, pasi e lexoi këtë libër të diplomatit e politikanit të mirënjohur Shaqir Vukaj, në përshtypjet e tij me titull “Në vend të parathënies“  ka shkruar e shfaqur disa komente e mendime për këtë vepër. Botimi i këtij studimi që ekspozon dhe dokumenton historinë e zhvillimit të ideve anakronike të “pansllavizmit ballkanik” dhe variantet aktuale të tij, është një ndihmesë e konsiderueshme në fushën e politikës së jashtme për institucionet shqiptare, sidomos ato në Kosovë. Libri i ambasadorit Shaqir Vukaj përbën një shërbim me mjaft vlerë.

 Prof.Dr. Pëllumb Xhufi, ish-zv.Ministër i Punëve të Jasntme shkruan se, botimi voluminoz i diplomatit e politikanit të njohur shqiptar, Shaqir Vukaj, Ambasadorit të Shqipërisë në Rusi në vitet 1998- 2002, është një analizë e hollësishme e qëndrimeve të Rusisë ndaj çështjes shqiptare, e në mënyrë të veçantë asaj kosovare të viteve  1998-1999, si dhe i pozicionimit të ashpër e të ngurtë të Rusisë në çështjen e Kosovës. Nëpërmjet shënimeve dhe reflektimeve të një diplomati tejet të vëmendshëm, Ambasadori Vukaj ka sjellë të gatshme gjithë lëndën e duhur, që na lejon të ndjekim në dinamikën e vet qëndrimin e Rusisë gjatë viteve të krizës në Kosovë dhe të nxjerrim konkluzionet përkatëse. Në librin e Shaqir Vukajt lexuesi zbulon nyjet e vërteta të aleancës ruso-serbe.

 Prof.Dr. Hamit Boriçi, publicist, shkruan se Shaqir Vukaj, diplomat e politikan i mirënjohur, del përpara lexuesit edhe si publicist e historian. Libri “Rusia dhe Kosova” e dëshmon më së miri këtë. Përmes leximeve e studimeve hulumtuese të librave dhe dokumenteve, autori me nuhatje dhe intuit, ka arritur të depërtojë në labirintet e politikës globale pansllave të shtetit rus. Forca argumentuese është një ndër tiparet më të dukshëm të librit të Shaqir Vukajt, që pasuron fondin e literaturës sonë  publicistike e politike, por edhe diplomatike.

Nesip Kaçi është iplomat dhe publicist   

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …