Një pasdite, Ahmet Lepenica dhe ushtarakë të tjerë të lartë u dhanë komandantëve të çetave planin e luftimeve. Një pjesë e çetave të Vranishtit ishte caktuar në betejën e Gjormit, në krah me çetën e Tragjasit. Populli më pas këndoi kështu këto vargje lapidar : “ Në Beun kur u mblodhën, dymbëdhjetë komisione. U nisën çetat me radhë. Fronti ishte në garnizonin e Drashovicës. Fortifikatat italiane, telin me gjëmba dhe mjetet e mbrojtjes së armikut i njihnim. Pjesa tjetër e luftëtarëve të Vranishtit u caktua në krah me çetat e Dukatit, Gjormit , Tërbaçit, etj. Më 3 qershor morëm rrugën e Drashovicës. Rruga u bë natën që të mos zbuloheshim nga armiku. Nga ora 3 e mëngjezit të datës 4 qershor, çeta e Vranishtit së bashku me çetën e Kaninës ishin përqëndruar në Marko, në krye të përroit të Mimines. Këtu çetat bënë pushim, shkruan Beqir Velo, ish komandant i çetës së Kaninës.
Unë, shkruan Beqir Velo, Saliu dhe Daut Sefer Gjikondi nga Vranishti, që ishte mësues, nuk fjetëm por qëndruam dhe dolëm në një rrëzë shkëmbi, ku kuvenduam për furnizimin e luftëtarëve me bukë. Lajmëruam dhjetë stane për të na prurë bukë, mish, qumësht dhe djathë. Stanet u treguan të gatshëm, menjëherë na furnizuan. Pas pushimit çetat u nisën për në Drashovicë rreth orës 20 e 30 të datës 5 qershor 1920. Grupi i Sali Vranishtit sulmoi nga rruga Lapardha – Vodicë, grupi që drejtohej nga Daut Sefer Gjikondi sulmoi nga Kava e Gurit. Këtij grupi i ishte caktuar detyra për të prerë linjën telefonike dhe për të prishur Urën tek Kava, me qëllim që të pengohej ndërlidhja e pushtuesit me Vlorën dhe të pengoheshin ndihmat për të rretuarit. Prerja e linjës telefonike e bllokoi armikun, i cili mbeti i shkëputur nga qëndra në Vlorë. Grupi i Beqir Velos sulmoi nga qëndra e fshatit të vjetër të Drashovicës. Për të futur në darë armikun sulmuan dhe dy grupe të tjera. Tej lumit të Shushicës, nga kodrat e Mavrovës zbritën me vërtik luftëtarët e çetës së Gumenicës. Forcat italiane i kapi paniku i madh nga sulmi i rrufeshëm i luftëtarëve të Labërisë. Në sulmin e parë, siç pohon Beqir Velo, u zunë 18 pushkë dhe një mitroloz i rëndë. Këto armë iu dhanë luftëtarëve se pjesa më e madhe e tyre ishte pa armë. Pas një mbrojtjeje aktive armiku u dorëzua. Në Drashovicë u zunë shumë pushkë, municione, ilaçe, ushqime. Te gazermat u zu një top , që e mori Abdurahman Çiraku.
Drashovica ra në duart e kryengritësve dhe këtu u vendos selia e komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare “, ndërsa çetat morën sektorët e rinj të luftës. Në çlirimin e Vlorës çeta e Vranishtit kishte sektorin dominues mbi kalanë e Kaninës në anën veriore të saj. Sulmi filloi frontal nga Shashica në Panaja. Pasi doli nga përroi i Grabos, Saliu me forcat qw komandonte, iu ngjit kodrës ku ngrihej kalaja. Në krahun e majtë sulmonte ceta e Kaninës, atje armiqtë dërguan forca të reja nga Vlora për ndihmë. Me të arritur këto forca në kala, u sulmuan nga çeta e Vranishtit dhe pësuan disfatë të shpejtë dhe të plotë. Megjithëse armiku përdori të gjitha llojet e armëve që dispononte, çeta e Sali Vranishtit, Bolenës dhe Kallaratit nuk u tërhoqën nga fronti, megjithë humbjet e shokëve që patën, si Sino Micoli nga Bolena, Mehmet Majko nga Vranishti, Hodo Zeqiri dhe Zenel Ramohito nga Dukati, Musa Basho nga Vranishti dhe u plagosën 14 luftëtarë të tjerë nga forcat tona.
Por dhe armiku pësoi humbje të mëdha në njerëz, shumë të vrarë dhe të plagosur dhe shumë robër. Në luftën e Vlorës Sali Murati derdhi përvojën e tij të gjatë në luftra e rrethime kundër armiqve të atdheut. Ai ishte rritur e burrëruar mes luftrash. Në sulmin e dytë e të tretë mbi forcat italiane, ai drejtoi jo vetëm çetën e Vranishtit, por edhe gjithë çetat e Rrëzës që sulmuan në drejtim të kalasë së Kaninës dhe në Qafë të Vreshtave të Mëdha, si çetën e Kaninës, Gumenicës , Tërbaçit, Bolenës dhe Kallaratit. Populli i këndoi : “ Çetë e Rrëzës u vërvinë, Kishin kapedan Salinë, Të madh trim, vetullëzinë “. Në mes të korrikut 1920 u krye sulmi i tretë, që ishte vendimtari në çlirimin e Vlorës nga armiku pushtues, që u krye natën. Fillimi i sulmit iu la Sali Vranishtit, që në këtë kohë komandonte forcat rreth Kalasë së Kaninës dhe në Qafë të Vreshtave të Mëdha e deri në afërsi të Babicës.
Para nisjes çetat u ndanë në dy drejtime : Njera mori drejtm Kallafetin nga ana e Kalasë dhe tjetra Vreshtat e Mëdha të po atij fshati. Çetat e tjera morën drejtimet e tyre, që u kishte caktuar komanda deri në Qafën e Koçiut, poshtë. bNë orën e caktuar filloi zjarri me sulm të furrishëm. Qysh në fillim fronti ynë përparoi dukshëm dhe pjesa më e madhe e fortifikatave të armikut u kapërcyen, forcat shqiptare arritën të kapin vijat e para të mbrojtjes së armikut, duke e detyruar armikun të tërhiqet dhe shumica e mbrojtjes italiane e lanë vrapin në skelë të Vlorës. Ky shpartallim e frikësoi shumë general Piançentinin, i cili i humbi shpresat. Sulmi i tretë mbi Vlorë i datës 31 korrik 1920 i kushtoi rrëndë çetës së Rrëzës dhe veçanërisht çetës së Vranishtit sepse pati shumë të vrarë dhe të plagosur. Kapedan Sali Vranishti sulmin e tretë e udhëhoqi në ballë. Dhe aty në ballin e frontit një predhë artilerie e plagosi në kofshën e kwmbës së djathtë. Ai nuk donte të largohej nga fronti, por shokët, kur panë se kishte gjakderdje të madhe, Mersin Zoto dhe Hysen Gjuzi e morrën në krahë dhe e çuan nga fronti i luftës në Kallafet, ku pastaj e hipën në kalë dhe e çuan në spitalin e Kotës. Edhe larg shokëve dhe frontit të luftës kundër okupatorit, ai e kishte mëndjen atje, te fitoria që po i afrohej Luftws sw Vlorës. Atje në spital e gjeti marrëveshja e 2 gushtit dhe festimi i fitores së 3 shtatorit 1920.
Lufta e Vlorës Sali Muratin,Vranishtin e përgatiti me të vërtetë si një strateg popullor. Ai ishte frymëzuesi i përdorimit të lesave e gunave mbi tela. Ai ishte një ushtarak i talentuar, me intuit tw mprehtë, çeta e tij ishte njw repart fluturues, që shkonte atje ku e kwrkonte atdheu dhe mbrojtja e popullit tonw.Trashëgimia që la Sali Murati – Vranishti, do të jetë përherë e vlefshme për brezat që vinë. Sali Vranishti sot është monumenti i atdhetarisë dhe trimërisë labe. Ai mbylli sytë në fshatin e lindjes, më 24 janar 1926 nga një sëmundje e rrëndë, që iu shkaktua nga plagët e marra në luftime. Sot këtij atdhetari dhe trimi të madh i këndohet kënga : “ Kapedan Sali Vranishti, Sa rroi i punoi gishti “.Lavdi heroit të pavdekshëm tw popullit tonë Sali Vranishti.