Nevoja e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi do të sjellë në rajon emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, kësaj radhe edhe me këshilltarët e presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman. Nga Bashkimi Evropian bëjnë me dije se ndarazi emisarët do të takojnë Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç për të parë si do të vazhdohet tutje me dialogun. Përfshirjen më intensive në dialog të Francës dhe Gjermanisë e ka mirëpritur i pari i qeverisë, Albin Kurti. Deri më tani Bashkimi Evropian nuk ka dhënë detaje për kohën dhe agjendën e një takimi të mundshëm në kuadër të dialogut, megjithëse në Kosovë pritet të diskutohet për çështjen e targave. Por, gjatë qëndrimit në veri të Kosovës, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç tha se nuk do të ketë marrëveshje tjetër pa dakordim për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
