Kompania “NewCo Ferronikeli” ka njoftuar se do të ndërpresë përkohësisht të gjitha aktivitetet prodhuese deri në fund të vitit 2025. Ky vendim është marrë si pasojë e krizës së zgjatur ekonomike në industrinë e metaleve dhe kostove të larta të energjisë, që kanë rënduar kapacitetet financiare të kompanisë. Sipas menaxhmentit të Ferronikelit, nga data 16 prill 2025, do të fiket plotësisht furra elektrike, një komponent kyç i prodhimit, dhe do të reduktohet orari i punës për një numër të caktuar punëtorësh. Ky vendim, i marrë pas analizave të gjata financiare dhe teknike, është rezultat i çmimeve të larta dhe të paqëndrueshme të energjisë elektrike, si dhe çmimeve të ulëta të nikelit në bursat ndërkombëtare. Asnjë punëtor nuk ka humbur vendin e punës dhe se racionalizimi i shpenzimeve është bërë i domosdoshëm për të ruajtur stabilitetin financiar të kompanisë. “NewCo Ferronikeli” po ndjek zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të metaleve dhe energjisë elektrike dhe shpreson të rifillojë prodhimin kur kushtet të jenë më të qëndrueshme dhe ekonomikisht të pranueshme.
